Nga Kiço BLUSHI
Si shumë qytetarë të tjerë që nuk gjejnë dot mirëkuptim e rrugëdalje me qeverinë, me bashkitë, me gjykatat, me organet e rendit, edhe banorët e Shkozës, pasi protestuan dhe u kërleshën me Policinë e Shtetit, pasi u sprapsën me dhunë prej saj, pasi dështuan në kërkesën për t’u marrë vesh paqësisht me përfaqësuesit e pushtetit lokal e qendror, pasi dëgjuan kryeministrin që nëpërmjet fejsbukut bënte me dije se shtëpitë e tyre do të prisheshin pa një pa dy, iu drejtuan “Rrugës së Elbasanit”, përkatësisht ambasadorit amerikan Lu, për t’u ankuar e për t’u zgjidhur hallin.

Nuk ka shqiptar që nuk e beson dhe nuk e di se autoriteti i ambasadorit amerikan është i padiskutueshëm e më vendimtar se ai i çdo lloj qeverie, presidenti a kryeministri. Askush nuk e di sa letra me ankesa dhe lutje kësodore i drejtohen çdo ditë ambasadorit Lu. Askush nuk e di cili është efekti e dobia e këtij komunikimi, por fakti që zgjidhja dhe shpresa e vetme dhe e besueshme ka mbetur te ambasada amerikane, përveç të tjerash, dëshmon se qytetarët e sotëm shqiptarë nuk kanë pikë besimi te organet e përfaqësuesit e tyre të zgjedhur “në mënyrë demokratike e legjitime”.

Se, afërmendsh, a mund të bëjë vaki p.sh. që një qytetar amerikan, kur bie në konflikt e në hall me qeverinë, me gjykatat, apo edhe me arbitraritetin e policisë amerikane, t’i drejtohet për ndihmë ambasadorit rus, kinez, indian (aq më pak atij shqiptar!) të akredituar në Uashington?

Kjo është prova më kokëfortë e më e trishtueshme se si funksionon te ne demokracia dhe shteti ligjor. Kjo dëshmon se qytetarët “e lirë” shqiptarë nuk kanë pikë besimi te shteti i tyre “ligjor”, se ky shtet e kjo qeveri me mandat mbarëpopullor (“pasi iu dha, me vota të lira dhe demokratike”, e gjithë tepsia dhe timoni), ashtu si të mëparshmet, nuk vepron e nuk gjykon sipas standardeve të demokracive funksionale, nuk garanton barazi, nuk jep drejtësi, nuk i vë qytetarët para detyrimit: të gjithë janë njësoj të barabartë para ligjit. E po qe se je anonim e nuk ke mbështetje politiko-nepotike, aq më zi po qe se u përket shtresave në nevojë, nuk ke siguri jete, pune, shëndeti dhe arsimimi për fëmijët.

Humbja e besimit te shteti dhe organet e zgjedhura, përveçse është humbje e besimit te sistemi demokratik, ringjall nostalgjinë për diktaturën (si ka ndodhur, sipas sondazheve), amplifikon edhe dyshimin brejtës se “ky vend nuk bëhet”…

Mungesa e shpresës dhe e perspektivës, rritja progresive e mosbesimit të ndërsjellë i ka shtyrë shqiptarët të besojnë se ky vend e kjo shoqëri është e kriminalizuar pandreqshmërisht nga lart-poshtë, nga koka te këmbët, ndaj duhet braktisur një sahat e më parë…

Fakti që edhe shkencëtarët, artistët, mjekët, inxhinierët, së fundi edhe infermierët, kërkojnë azil në Gjermani, Angli e SHBA, duke pranuar të bëjnë çdo lloj pune të zezë, ku, më e preferuara do të ish si pjatalarës, a roje ashensori, nuk shpjegon “budallallëkun” e naivitetin e tyre se, kësisoj ata, me gjasë, do të bëhen sakaq të pasur, por se mendojnë që më e rëndësishme, në një botë të mirëfilltë demokratike nuk është vetëm sigurimi i kafshatës së gojës, por nevoja të jetosh si njeri në një shtet që të jep e të garanton drejtësi e barazi, siguri e qetësi, arsim e mjekësi për së mbari, detyrime e mbrojtje, besim dhe shpresë… Pikërisht këtu qëndron “sekreti” i amalgamës që lidh njeriun me shoqërinë, me atdheun, me bashkëkombësin, me komunitetin, pse jo edhe me shtetin e qeverinë e vet.

“Të paktën të shpëtojnë fëmijët!”, kjo është motoja e të gjithë ikurakëve. Pra cilat nga këto të drejta themeltare ia siguron ky “shtet ligjor” qytetarit shqiptar, edhe pse ato janë të sanksionuara në Kushtetutë?

***

Por pyetja mbi njëqindvjeçare, qëkurse u bëmë me shtet të mëvetësishëm, ka mbetur pa shpjegim e pa përgjigje: Përse denbaden ne shqiptarët kemi pasur dhe ende kemi më shumë besim te të huajt, te ndërkombëtarët, te qeveritë e të huajve (sidomos kur ato janë superfuqi), se te ato që “i zgjedhim vetë”, qofshin diktatoriale, monarkike, apo edhe demokratike?

Se: “Jemi vend i vogël e i varfër”; se: “nuk kemi jetuar kurrë në demokraci të vërtetë”…; se: “Nuk kemi kulturë demokratike”… etj., etj. Këto janë disa nga përgjigjet më të atypëratyshme e më të zakonta që artikulohen kafeneve.

Në Bosnjë, – më tha para ca ditësh një mik, – shumica e banorëve nuk ia dinë emrin ambasadorit amerikan. Kurse këtu te ju, pothuajse çdo natë ka një lajm me zërin ose me figurën e tij…

E pra, Bosnja nuk është as vend më i madh se ne, as më i pasur, aq më tepër që ka shumë probleme etnike e politike të pazgjidhura si shtet i pakonsoliduar e si shoqëri multietnike, njëlloj si Maqedonia… Këto dy vende nuk kanë jetuar më shumë se ne në demokraci e nuk mund të mburren se kanë kulturë demokratike e qytetare më shumë se ne… Por edhe për emigracion, pra për nivelin e mosbesimit, ne jemi më të avancuar. Ne zëmë vend të parë në Evropë për braktisje të atdheut, të vendlindjes, të shtëpisë, të origjinës. Nuk lëshojmë vetëm kombësinë, po ndërrojmë edhe emrin.

E pra, përse disa nga fqinjët tanë, si Sllovenia, Bullgaria e Rumania u bënë anëtarë të BE-së, e përse, edhe Serbia, që u bombardua nga NATO e që vazhdon të bëjë karshillëk me dashurinë për Rusinë, gjendet më afër BE-së se ne?

Të gjitha këto pyetje dramatike e kanë rrënjën te mosbesimi ynë tradicional te njëri-tjetri, te fqinji, te komuniteti dhe, sidomos, te administrata publike. Jo te toka, e cila nuk është shterpë, as te krahët (se në shtetet e huaja bëjmë çdo lloj pune e robtohemi sa na del bretku), por te shteti, te përfaqësuesit dhe qeveritë që na kanë drejtuar. Sepse ne, as edhe një herë nuk kemi votuar lirisht e nuk kemi zgjedhur përfaqësuesit që meritojmë. Ose na kanë detyruar të votojmë me gogla e votimi të dalë 99,99%, ose me lista të mbyllura që tepsia, “me kod zgjedhor”, t’i jepet e tëra një partie e një njeriu, paçka se niveli i përfaqësuesve (edhe në vitin 2017!) nuk është për t’u krenuar, si këndohet nëpër stadiume, por për të të ardhur turp ta quash veten shqiptar.

Fatkeqësisht, qeveritë janë perceptuar e kanë funksionuar si mjete mrekullibërëse për të vjedhur, për të plaçkitur, për të abuzuar, për të demonstruar fodullëk ballkanik, superioritet prej bajlozi, mundësi për t’u pasuruar shpejt e shpejt, pa mund e pa aftësi, pa të hyrë gjemb në këmbë; dhe, më në fund, për të bërë emër, pse jo, edhe për të mbetur në histori. Ose për të ikur në drejtim të paditur, si shumica e krerëve.

Në këtë arsyetim ndoshta mund të jetë fshehur përgjigjja e pyetjes se përse e kërkojmë zgjidhjen te ambasadori amerikan Lu dhe përse ne, njëlloj si atëbotë kur nuk kishim shtet të mëvetësishëm, pra para Pavarësisë, edhe sot kemi më shumë besim te ndërkombëtarët dhe qeveritë e tyre, sesa te të zgjedhurit tanë që përfaqësojnë “shtetin ligjor”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: