Shqiptarët janë shpesh dyshues për rezultate e ndehsjeve, sidomos kur ato marrin kthesë të papritur në harkun kohor të pak minutave. Pas ndeshjes së Skënderbeut kundër Dinamos së Kievit, pati edhe nga ata që me batutë, xhelozi apo edhe me bindje të plotë mërmëritën ndër dhëmbë se ndeshja ishte “e shitur”.

Pikërisht për këtë lloj sjellje të tifozëve, ish-sulmuesi i kombëtares, Roland Luçi, ka bërë një koment kritikues ndaj sjelljes emocionale të tifozëve, por edhe të medias.

Në analizën e publikuar në facebook, Luçi, thotë gjithashtu se nuk duhet të na rrëmbejë euforia dhe përfaqësohemi të gjithë shqiptarët me një klub, qoftë ai edhe meë i sukseshmi në Europë siç është Skënderbeu. Sipas tij, shqiptarët i përfaqëson të gjithë vetëm Kombëtarja.
Luci-Roland-470x302

Ja komenti i plotë i tij: Për tifozët sezonalë të FK Skënderbeut
Në fund të pjesës së parë plasën njoftimet për përfaqësimin kombëtar dinjitoz nga FK Skënderbeu i mrekullueshëm në Kiev, menjëherë mbas ndeshjes filluan “pëshpëritjet me zë të lartë” se ndeshja qenka shitur duke dëmtuar kështu rëndë imazhin e futbollit shqiptar. Pra një piruetë 180-gradëshe e gjendjes emcioanale dhe “qëndrimit patriotik” brenda harkut kohor të një ndeshjeje futbolli.

Ku qendron gabimi këtu? Në tifozllëkun sezonal e konjuktural që mbërrin deri te gazetarët sportivë e mediat e specializuara sportive që nuk kuptojnë se është e gabuar fryma e identifikimit me Skënderbeun si të ishte ai përfaqesuesi zyrtar i Shqipërisë dhe futbollit shqiptar, gjë që nuk është e vërtetë. Tjetër përkrahja dhe gëzimi për sukseset e tij dhe tjetër identifikimi me Klubin e Futbollit Skënderbeu të Korçës.

Pra duke i lënë mënjanë hipokrizitë, ne, shqiptarët dhe futbolli ynë nuk ndihemi ekskluzivisht të përfaqësuar në arenën ndërkombëtare nga Klubet e veçanta, nga të huajt e kampionatit tonë të mbingarkuar prej tyre tashmë i kthyer në një konglomerat racash në Klubet Sportive perkatëse kushdo qofshin dhe jo vetëm KF Skënderbeu.

Dhe s’ka se si të ndihemi të përfaqësuar nga Radas, Ali Soue, Nimaga apo Segun James Adeniyi me shokë. Ne na përfaqëson vetëm Kombëtarja jonë para takimeve të së cilës ngrihemi në këmbë sepse ekzekutohet Himni ynë Kombëtar. Tjeter dukuri e mbasndeshjes së Kievit: Vetparaqitemi si “të vegjël” duke tentuar që edhe një humbje me dy gola të quhet rezultat pozitiv ngaqë po luajmë kundër një “gjigandi”.

Ne nuk kemi pse e shohim veten aq të vogël e në fakt “të vegjël” nuk ka më, koha e të vegjëlve ka perënduar. Në mesin e 80 ekipeve më të mira të Europës (32 Champions + 48 Europa League) gjenden përkrah ekipit të qytetit të Korçës dhe xhuxhmaxhuxhë të tjerë që dje arritën rezultate ku e ku më të larta se Skënderbeu.

E kam fjalën duhet ta shohim veten jo inferiorisht, sëmundje që prek shumë prej nesh dhe në analizimin e punës së Kombëtares duke e llogaritur veten më të vogël se sa jemi realisht dhe qëllimi i këtij zvogëlimi gjeo-demografik është ose hiperpobilizimi i fitoreve, ose justifikimi i humbjeve. Po kush janë xhuxhmaxhuxhët e sivjetëm?

– Ja psh Maribori, Karabag, Basel, Nikosia që konkurrojnë në Champions krahas gjigandëve realë europiane dhe pastaj edhe të tjerët e Europa League “kolegë” të FK Skënderbeut si Astana, Limasol, Borisov, Tiraspol, Zlin, Östersund e deri te Rasgradi i madh sa Lezha që mori pikë në Stamboll!

Unë ndihem mirë që një ekip shqiptar vazhdon garën në Europa League, dhe si jo-korçar i gëzohem paraqitjes pozitive dhe sidomos sukseseve të FK Skënderbeut, jam ndër të parët që uroj publikisht e privatisht dhe këtu elozhet, entuziazmi dhe euforia mbarojnë.

Kaq është në gjendje të veprojë një klub i një qyteti shqiptar tek unë dhe kaq jam në gjendje të bëj unë për të. Suksese Skënderbeut, përfaqësuesit më të suksesshëm të Kampionatit tonë në arenën ndërkombëtare!/panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb