Nga Sulejman MATO

Nuk them asgjë të re kur flas për personazhe kalimtarë dhe për personazhe historikë. Kalimtarë jemi të gjithë, por në panteonin e historisë hyjnë shumë pak figura të ndritura të kombit. Historia ka treguar se midis miliona kalimtarëve, disa syresh vijnë në këtë botë për të ndriçuar si yje dhe për t’u djegur si meteorë për çështjen kombëtare. Persona të tillë, jo vetëm i përkasin ndërgjegjes dhe historisë kombëtare, por ata bëhen vetë historia dhe ndërgjegjja kombëtare.

Çdokush vjen në këtë botë me synimin për të lënë gjurmë në familje dhe në shoqëri. Gjurmët në familje janë evidente, edhe gjurmët në shoqëri, ndërsa gjurmë në historinë e kombit lënë vetëm pak persona. Ata janë persona idealistë dhe sakrifikues për çështjen kombëtare. Ata nuk bëhen, ata lindin të tillë! Gjatë një shekulli me shtet shqiptar, kemi pasur shumë figura të spikatura shtetformuese, kryeministra, presidentë, shkrimtarë, deputetë, profesorë, akademikë, studiues, historianë, arkeologë, artistë, krijues, të cilët do të dëshironin që me aktivitetin e tyre të pranoheshin në altarin e figurave të ndritura kombëtare, mirëpo, pak individualitete politike, historike dhe letrare e kanë merituar titullin “Nderi i kombit”. Sjell ndërmend figura të shquara, që ndër shekuj kanë bërë histori, qysh nga lashtësia e hershme e gjer në ditët tona. Një lulëzim të veçantë pati shekulli i nëntëmbëdhjetë, fillimisht me rilindësit arbëreshë, De Radën, Darën, Krispin, Seremben, e më pas me disa figura historike të kohës së Tanzimatit: Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali etj. Më pastaj, lindën vëllezërit Frashëri, “Abdyl, Naim e Sami, që nderuan një Shqipëri”. Historia e kësaj familjeje është një rast unik në historinë e Shqipërisë. Raste unike janë dhe emrat e Vaso Pashës, Andon Zako Çajupit, Asdrenit, Poradecit etj. Historia jonë ka pasur dhe do të ketë shumë figura të ndritura, që me veprën dhe jetën e tyre do të shkruajnë historinë e Shqipërisë. Të tillë janë Ismail Qemali me legjendarin Isa Boletini. Nderim të thellë për këta dy prijës të kombit, të cilët e paguan sakrificën e tyre me helm në kafe dhe vrasje pas shpine! Me krijimin e shtetit të parë shqiptar do të veçonim personalitetin e madh Fan Noli. Pavarësisht vërejtjeve, nuk i duhen ulur vlerat as Ahmet Zogut, i cili hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar. Emrat e personaliteteve të Shqipërisë janë të shumtë. Midis tyre ka shumë heronj e heroina, ka poetë, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë bërë histori. Kujtojmë Migjenin, Mjedën, Fishtën, Koliqin. Kujtojmë deputetët e shtetit të parë demokratik, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, Avni Rustemi e Hasan Prishtina. Po të vazhdonim me emra, lista do të bëhej shumë e gjatë. Disa prej tyre, si Migjeni e ndonjë tjetër, me jetën e tyre të shkurtër u bënë piketa kilometrazhi në udhën e kulturës së popullit tonë.

Karakteristikë e të gjithë personaliteteve historikë, e përsëris, është ideali dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare. Dhe Lufta Nacionalçlirimtare pati figura heronjsh e heroinash, të cilët me gjakun e tyre shkruan epopenë e lavdishme. Një nga figurat e ndritura të luftës është Qemal Stafa. Edhe rindërtimi i vendit pati personalitete historikë. Të gjithë sa përmenda më lart kanë pasur të përbashkët idealizmin dhe përkushtimin ndaj çështjes shqiptare. Idealistë dhe përkushtues ishin edhe heronjtë e luftës dhe të punës për ndërtimin e socializmit. Me këtë rast do të përmend Mësuesin e Popullit, pishtarin e dritës, Ndrec Ndue Gjoka, i cili e pagoi me plumb pas shpine hapjen e 50 shkollave në Mirditë dhe në Kosovë.

Duke gjykuar rreth këtij fenomeni, një gjë të bën përshtypje: shumica e personazheve të spikatur historikë të këtij kombi kanë pasur një fat tragjik. Ata e kanë dashur përparimin e kombit aq sa në shumicën e rasteve, kanë dhënë jetën për këtë kauzë. Ka një kriter i cili i vlerëson dhe i dallon ata nga të tjerët. Ekziston një hendek ndarës, sado të shquar të shfaqen në kohën e tyre disa personalitete kalimtare. Shumëkush prej nesh, me punën e palodhur dhe titujt, do të dëshironte të mbetej në histori, por të paktë janë ata burra të cilët bëhen pjesë e historisë dhe ndërgjegjes kombëtare. Për ta nuk ka nevojë as për tituj dhe grada shkencore, as për bujë mediatike. Ata e kanë fituar betejën, qysh se kanë lindur të tillë, idealistë dhe përkushtues, ata e kanë siguruar pasvdekjen pa vdekje, dhe përkushtues ndaj çështjes kombëtare. Vlerësimi i tyre nuk bëhet as me komisione, as me votime.

Vlerësimi i tyre bëhet mbi parimin “Çfarë bën ti për Shqipërinë që Shqipëria të bëjë për ty?”. Sipas këtij parimi vlerësohen heronj, politikanë, shkrimtarë dhe artistë, qysh me të madhin De Rada, për “Milosaon” magji, e me Naim Frashërin, për poemën madhështore “Bagëti dhe bujqësi”. Vlerësimi vazhdon me poemat liriko-filozofike të Ndre Mjedës dhe poemat epike-patriotike të Fishtës, dhe mbërrin te kryemjeshtri, poeti i madh i mjerimit Millosh Gjergj Nikolla. Për çudinë tonë, të gjitha këto figura letrare të përkushtuara ndaj çështjes kombëtare, i ka ndjekur një fat i trishtë. De Rada vdiq i varfër, me një cironkë në xhep. Mjedën e përgjakën ushtarët në prag të kishës, në mbrojtje të popullsisë së strehuar në kishë. Fishtën e lanë pa varr, ia hodhën eshtrat në lumë. Milloshi, që i këndoi aq bukur varfërisë, vdiq i ri, nga tuberkulozi, në një spital të Torinos, në moshën 27-vjeçare. Jetët e tyre! Ndaj për këtë gjë i duam shumë dhe i vlerësojmë edhe më shumë!

Pas viteve nëntëdhjetë, nuk po shfaqen më personalitete të nivelit të tyre, as heronj, as politikanë, as letrarë të shquar. Nuk kam ndërmend të anashkaloj çdo lloj suksesi të gjithkujt prej atyre që synojnë të mbeten në histori. Në letërsi ka disa emra të cilët synojnë të mbeten në histori, qoftë dhe me një vepër të tyre, si Jakov Xoxa, Petro Marko, Sterjo Spase, Kolë Jakova, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli. Një rast tepër i veçantë është Ismail Kadare, me romanet “Dimri i madh”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, e sidomos poema “Përse mendohen këto male”, të cilat e vendosin denjësisht këtë shkrimtar të gjallë në listën e personaliteteve historikë.

Po politikanë apo biznesmenë, a ka kjo kohë, që me veprën e tyre mund të mbeten në histori? Është tepër herët për të gjykuar e për të bërë klasifikime. Ka ende kohë që dikush të ngrihet mbi kohën e të bëjë diçka për kohën, e cila do ta rendiste atë në listën e personaliteteve historikë. Cilido qoftë ai apo ajo, biznesmen, politikan, shkrimtar, artist, shkencëtar apo humanist, në qoftë se do t’i përkushtohet çështjes kombëtare, sigurisht do të futet denjësisht në panteonin e personaliteteve historikë. Koha jonë ka shumë nevojë për personalitete historikë. Ka tentativa dhe prirje, madje ka edhe iniciativa, por ato janë të pamjaftueshme për të fituar një titull të tillë. Le të marrim disa raste të tilla: Pandeli Majko hodhi dikur idenë e ndërtimit të Rrugës së Kombit. Kjo ide i dha atij mjaft popullaritet. Realizimi i saj me nismën e Sali Berishës, e futi emrin e Berishës në listën e pretendentëve që mund të mbeten në histori. Edi Rama, është në kohën e tij. Ka mundësi dhe ambicie për të mbetur në histori. Nëse nuk do të mbetet për shumë premtime, le të mbetet për sheshin “Skënderbej” apo për Lungomaren e Vlorës. Me keqardhje vërej që nga bashkëkohësit e mi nuk pritet të bëhen çudira. Në vendin tonë dhe në kohën tonë nuk ka “Nënë Tereza” që të zgjidhë problemin kyç të varfërisë, por, gjithsesi, mund të dalë dikush e të ngrejë një fondacion bamirësie për shtresat e varfra. Le të dalë dikush e le të na kthejë Lidhjen e shkrimtarëve dhe Artistëve, tempullin tonë të humbur dhe dinjitetin tonë të nëpërkëmbur. Artisti Edi Rama le të bëjë diçka për artin dhe kulturën, dhe unë besoj se ai sigurisht do të mbetet në histori.

Të gjithë ne jemi personazhe kalimtarë. Janë të tjerë ata që lindin “me këmishë” dhe me “yll në ballë”. Janë të tjerë ata që ndriçojnë qysh në lindje, e më pas, digjen si meteorë në fluturim për çështjen e madhe kombëtare. Ata janë të veçantë dhe të paktë si uraniumi dhe floriri, por të nevojshëm dhe të domosdoshëm si ajri dhe drita për shoqërinë tonë. Historikisht, jeta e secilit prej tyre ka qenë herë e shkurtër e herë me një fund tragjik, por pasvdekja e tyre iluministe mbetet plot dritë e shkëlqim. Nderim dhe respekt të thellë për të gjithë yjet dhe meteorët e kësaj toke!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: