TIRANË- Katër herë ministër dhe pesë herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën Partinë Demokratike, Genc Ruli vendos të rrëfehet në këndin e “Ekselencës” pjesë e emisionit “Vila 24” në News 24.

Ka nisur me një rrëfim për jetën, për të vijuar tek përshtypjet që ka për liderin aktual Lulzim Bashën por edhe Edi Ramën. Ka folur për lëvizjet e fundit politike të opozitës, duke thënë se është e pamundur të hyhet në zgjedhje pa u siguruar kushtet që lekët e drogës dhe krimit të mos i prekin ato, por na ka befasuar të gjithëve me një deklaratë, ku lë të nënkuptohet se mund të tërhiqet nga politika.

“Gjatë karrierës sime politike kam qenë deputet i zonave të vështira, që në ‘92 kur kandidova në Gjirokastër që ka qenë bastion i së majtës. Më pëlqejnë zonat e vështira, por ende nuk e kam vendosur nëse do mund të vazhdoj apo mund të mos vazhdoj më në politikë”,- thotë Ruli.

Kujtojmë se bashkë me Majlinda Bregun e Arben Imamin, Genc Ruli ka qënë një nga zërat më kritikë ndaj liderit aktual të PD-së, Lulzim Basha.

E duke u ndalur tek Basha ai deklaron se ka raport të mirë, por si lider e sheh në maturim e sipër. “Nuk është kollaj të bëhesh lider, duhet mjaft punë”,- thotë Ruli.

Ndër të tjera, ai thotë se Basha është nga ata liderë që të paktën nuk merr vendime pa dëgjuar.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: