TIRANE-Të lexosh një libër duke e mbajtur atë në dorë, krijohet padyshim një lidhje më e ngushtë me atë çka lexon, por teknologjia e ka bërë tashmë pre të saj edhe librin. Sot, pjesa më e madhe e lexuesve në botë i lexojnë librat në internet, duke përdorur formate digjitale si e-book ose Kindle. Kjo është një mënyrë e mirë edhe për autorin që të promovojë librin e tij në formatet digjitale. Ndërsa në Shqipëri situata është shumë larg këtij realiteti. Për fatin tonë të keq, gjuha shqipe nuk mbështetet nga programi Amazon KDP, kështu shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë nuk mund të blejnë ose lexojnë libra elektronike në gjuhën shqipe.

Duke marrë shkas nga kjo, është ngritur një peticion online, drejtuar “Amazon Kindle Direct Publishing”, platforma më e madhe në internet për publikimin dhe leximin e librave në formatin digjital. Peticioni është krijuar në uebsajtin Avaaz.org, komuniteti më i madh në botë i peticioneve në internet, dhe i bën thirrje çdo individi të shoqërisë civile që ta firmosin atë, në mënyrë që të bëjë të mundur vendosjen e gjuhës shqipe në librarinë më të madhe online në botë. Në kohën kur teknologjia përparon me ritme shumë të shpejta, kjo shihet si një kërkesë emergjente për të integruar gjuhën shqipe bashkë me gjuhët e tjera.

Për të firmosur peticionin, duhet të klikoni tek Avaaz.org, të shkruani adresën e emailit dhe të shprehni me pak fjalë se përse është e rëndësishme për ju përfshirja e gjuhës shqipe në platformën Amazon KDP.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: