Nga OLA MITRE*

Kur ushtron një funksion të caktuar, duhet të jetë i standardizuar për dijet që ka, ndërkohë që edukimi i vazhdueshëm është kryesori për mjekët dhe infermierët”. Deklarata vjen nga shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT, njëkohësisht një nga mjekët më të nderuar të Shqipërisë, Mentor Petrela, i cili shpjegon dhe qëndrimin e tij ndaj testimit kombëtar të lançuar nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tij, ai është i nevojshëm për të përcaktuar nivelin profesional, por ai vetë nuk do të futet, pasi sipas mjekut, tashmë profesionalizmi i tij është i vërtetuar edhe në revistat më të rëndësishme ndërkombëtare të neurokirurgjisë.

Prof. Petrela, prej disa javësh, Ministria e Shëndetësisë ka lançuar nismën për testimin kombëtar të bluzave të bardha. Cili është pozicioni juaj?

Pozicioni im është si qytetar dhe si mjek. Ju më drejtoheni mua nga ana profesionale, por nga ta dini ju që unë kam kompetencë dhe cilat janë kompetencat e mia: vetëm nga ecejaket në oborret e spitalit?! Jo. Në shoqëritë e përparuara, në momentin që ti je në funksion, duhet të jesh i standardizuar për dijet që ti ke. Unë mund t’ju tregoj vetëm dy revista amerikane për neurokirurgjinë, që unë jam i detyruar t’i shfletoj çdo muaj. Ndërkohë duhet edukuar edhe popullata. Kam këtu një libër të shkruar nga një profesor që ka shkruar ‘Biblën’ e Neurokirurgjisë, por ai është shkencë popullore për njerëzit e zakonshëm, sesi mjekët duhet të bëjnë edukimin e popullatës përmes historive të popullatës.

Pra, ju po thoni se edukimi i vazhdueshëm është shumë i rëndësishëm për bluzat e bardha?

Po. Edukimi i vazhdueshëm është kryesori dhe, në qoftë se ne nuk ecim me edukim të vazhdueshëm si shoqëri, atëherë ne do të jemi një ‘absurdistan shtet’, një shoqëri absurde. Kjo organizohet me forma nga më të ndryshmet, por çdo drejtim që do të kemi ne drejt Evropës, nuk mund të kuptohet pa edukimin e vazhdueshëm.

Mendoni se testimi do e ndihmojë procesin e edukimit në vazhdim?

Për sa i përket mënyrës sesi organizohet me aktet ligjore, me aktet informative, duhet bërë duke marrë gjithë strukturat që do të angazhohen, sepse kjo nuk bëhet nga një njeri, kjo bëhet nga shoqatat profesionale të mjekëve, nga shoqatat e infermierëve, nga Urdhri i Mjekut etj. Të gjithë këta janë aktorët, të cilët duke marrë modele të gatshme, që bota i ka, duhet t’i tresin dhe t’i prodhojnë për t’u aplikuar. Ndërkohë, drejtuesit duhet të nxjerrin aktet ligjore, urdhrat qeveritarë, që kjo të futet dhe të bëhet e aplikueshme, duke ndarë që secili, nga viti që fillohet seriozisht, duhet të saktësojë se jo të gjithë janë të barabartë për të njëjtin vlerësim; nuk është një tru 25-vjeçar apo 30-vjeçar që ka ‘mendimin e shpejtë’ me një që vjen në moshat 50 apo 60 vjeç. Për momentin që jemi, janë këto standarde që i ka vënë bota e përparuar dhe që ne duhet t’i aplikojmë. Pas 10 vitesh, të gjitha këto mund të mos jenë të nevojshme.

Testimi ka sjellë një zemëratë te shumë profesorë dhe mjekë, të cilët thonë se për shkak të nivelit të lartë profesional, nuk duhet t’i nënshtrohen këtij testimi sepse është ofendues për ta. Ju ndërkohë jeni një nga profesorët më të nderuar të shëndetësisë shqiptare. A do të futeni në testim?

Unë testimin tim e kam në impakt-faktor. Nëse doni të shihni karrierën akademike dhe si zhvillohet një pozicion akademik (profesor shkencash, profesor i asociuar etj.) me standardin perëndimor, ai kalon vetëm me impakt-faktor, pa bla bla bla të tjera. Në qoftë se ti arrin të futesh te revista më e rëndësishme e neurokirurgjisë, ky është testimi. Fatmirësisht ne kemi dy artikuj të pranuar në revistën kryesore që ka sot bota për neurokirurgjinë në 2015-ën.

Pra, nuk do të futeni në testim?

(Tregon me dorë revistën e neurokirurgjisë)

Por do të jetë detyrim ligjor…

Për mua ky është ligji (revista). Ligjet e tjera janë absurde. Ky është ligji.

Ju jeni ‘pro’ testimit, por vetë refuzoni të futeni. Nuk ju duket kontradiktor ky qëndrim?

Unë futem në testim vetëm nëse vjen bordi i revistës më të rëndësishme të neurokirurgjisë për të më testuar. Vetëm ata mund të më testojnë dhe hyj me dëshirë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: