TIRANE – Kreu i grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se projekt buxheti i vitit 2018 nuk do të votohet nga LSI. Pas mbledhjes së LSI, Vasili tha se grupi ka konstatuar disa probleme të pakapërcyeshme tek ky buxhet.

Si problem kryesor, Vasili konstatoi se është taksa për biznesin e vogël, e cila nuk e favorizon aspak mbijetesën e tij apo dhe punësimin e njerëzve.

Sipas kreut të grupit të LSI, qeveria e Ramës është kthyer në një pastruese parash për kriminelët dhe klientët e saj, duke diskriminuar qytetarët e thjeshtë.

“Problem kryesor, është TVSH për biznesin e vogël, do të jetë e keqe për mbijetesën e tij dhe për punësimin e mijëra njerëzve aty. Kjo do të thellojë informalitetin dhe është masë që do favorizojë oligarkët që janë të lidhur me qeverinë.

Masa të tjera që e bëjnë të pakapërcyeshme situatën, është roli që merr qeveria për taksat, ku qeveria hyn në konflikt me kushtetutën e vendit, zhvesh parlamentin nga kompetencat, dhe i jep vetes të drejtat për t’i lehtësuar punën klientëve të pushtetit, që duan të pastrojnë paratë e krimit.

Qeveria kthehet në pastrues parash për kriminelët duke diskriminuar qytetarët e thjeshtë. Është e qartë që ka një qëndrim të errët në sektorin publik-privat.

Gjithashtu vihet re që risqet në ekonomi janë të larta. Qeveria nuk tregon asnjë burim financimi, se ky sistem taksash nuk është fare favorizues për biznesin e huaj. Nuk ka aspak investime. Ka ristabilizim të favoreve që qeveria do t’i bëjë klientëve,” tha Vasili.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb