Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Pikantet / “Eja se ta tregoj përjashta”, Trashi përplaset me tifozët pas përfundimit të ndeshjes

part

Partizani-Lushnja nuk ngjalli interesim të madh, pasi të pranishëm ishin rreth 2 mijë veta. Gjithashtu në stadium ishin edhe tifozë miq, ku binin në sy rreth 20 ultras që e mbështetën Lushnjën gjatë gjithë ndeshjes.

-Të shumtë ishin drejtuesit, lojtarë dhe trajnerë të klubeve të ndryshme në shkallët e stadiumit. Madje nuk munguan edhe disa ish-lojtarë të kuq, që luajnë jashtë Shqipërisë, si Mentor Mazrekaj, Ardian Cuculi, Endri Vrapi e disa lojtarë të tjerë që luajnë në Kosovë. Presidenti i Laçit, Pashk Laska, pjesën e parë të ndeshjes e pa mes tifozëve të kuq, ndërsa në të dytën u akomodua në sektorin e gazetarëve.

-Ndriçimi u përdor në këtë takim vetëm në pjesën e dytë.

-Skuadra e parë që ka zbritur në fushë për nxehmje ka qenë Lushnja. Gjatë kësaj kohe, Xhevahir Sukaj, duke mos qenë titullar, ndodhej në pistë dhe për rreth 10 minuta ka zhvilluar një bisedë miqësore me trajnerin e Lushnjës, Artan Bano.

-Ish-kryeministri Bashkim Fino, aktualisht deputet i Partisë Socialiste për zonën e Lushnjës, njihet si tifoz i zjarrtë i Partizanit. Por dje Fino e ka “tradhtuar” ekipin e zemrës, pasi ka preferuar që ta shikojë ndeshjen pranë kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, madje duke vendosur në qafë shallin e skuadrës lushnjare.

Zakonisht Fino i shikon ndeshjet e Partizanit pranë presidentit Gaz Demi, por dje ish-kryeministri nuk i ka kursyer batutat me presidentin e të kuqve kur ai ka hyrë në stadium, për zgjedhjen që kishte bërë.

-Luçiano Moxhi u paraqit në stadium me përforcime, pasi për të ndjekur takimin me Lushnjën kishte ardhur edhe djali i tij, Alesandro Moxhi, menaxher i njohur në futbollin italian dhe ndërkombëtar. Të pranishëm dje në stadium ishin edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh kinezë. Prania e madhe e ndërkombëtareve nuk i ka sjell fat Partizanit për të gjetur golin e parë në kampionat.

-Takimi i djeshëm ka nisur pa praninë e zjarrfikëses, pasi ajo është parë që të hyjë në stadium në minutën e 17-të të takimit. Zyrtarëve të ndeshjes u ka shpëtuar ky detaj, ose kanë “mbyllur” sytë duke lejuar që ndeshja të niste pa praninë e saj në ambientet e brendshme të stadiumit.

-Trajneri Artan Bano ka qenë shumë impulsiv gjatë ndeshjes së djeshme, pasi me kërcime në pistë dhe me gjeste shprehte pakënaqësinë ndaj lojtarëve të tij. Të shpeshta kanë qenë përplasjet dhe pakënaqësitë e Banos me gjyqtarin e katërt Olsi Sokoli. Ndërsa Iuliano, në të shumtën e rasateve, ka qenë i qetë duke zgjedhur qëndrim “statujë” në pistë.

-Lushnjarët përdorën disa taktika për të vonuar lojën, ku të shpeshta ishin shtrirjet në fushë. Në minutat shtesë, Papa u këshillua nga stafi dhe lojtarët që ta merrte me ngadalë daljen nga fusha në momentin e zëvendësimit.
trashi
-Fundi i ndeshjes solli irritim të madh te tifozët e Partizanit, të cilët nuk i kursyen ofendimet edhe ndaj lojtarëve të veçantë. Në momentin që Trashi po u drejtohet dhomave të zhveshjes përplaset në distancë me disa tifozë që e ofenduan për lojën e tij. Lojtari ua ktheu me të njëjtën monedhe duke u afruar te rrethimi. Nuk munguan edhe kërcënimet mes palëve dhe “oferta”: Eja se ta tregoj përjashta. (p/sport)

(BalkanWeb)


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.