TIRANE- Deputetja socialiste, Mira Shehu sqaroi dje, se do ta votojë reformën në drejtësi, pavarësisht zërave që qarkullojnë se për shkak të miqësisë së saj me ish-deputetin Koço Kokëdhima nuk do ta votojë këtë reformë.

“Për ata që nuk e kanë lexuar apo nuk duan të kuptojnë çfarë unë kam deklaruar në lidhje me qëndrimin tim për reformën në drejtësi dhe gjejnë kohë të përgatisin skenarë me përmbajtje krejt tjetër. Nuk e kuptoj qëllimin e përdorimit të skenarëve të tillë, të pabazë. Mendoj se ata duhet të përdorin hapësirën e tyre mediatike për ta bërë më tepër transparente përmbajtjen e reformës dhe mundësitë më të mira për implementimin korrekt të saj”, shkruan Shehu në “Facebook”.

Më parë ajo ka sqaruar: “Reforma në drejtësi dëshirohet nga çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, është domosdoshmëri urgjente për sistemin tonë të drejtësisë. Unë do të votoj, për aq kohë që do jem anëtare në parlament, çdo reformë në të mirë të popullit tim. Vota ime do të jetë ‘Pro’ reformës në drejtësi, pa as më të voglin dyshim! Të gjitha të tjerat janë spekulime. Unë i bashkohem pa hezitim dëshirës së çdo shqiptari për drejtësi funksionale, për çdo zemër dhe familje të vuajtur deri edhe të rraskapitur nga padrejtësia e sistemit të drejtësisë së deritanishme”, ka thënë Shehu.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb