TIRANË- Ish-deputetja demokrate që u la jashtë liste nga kreu i PD-së Lulzim Basha duke mos qenë kështu më parlamentare ka dhënë sot një mesazh nga mbyllja e shkollës evropiane verore.

Si kryetare e Këshillit Kombëtar të integrimit evropian, ajo tha se bëri çdo përpjekje për afrimin e Shqipërisë me BE-në dhe si deputete e opozitës. Për mosqenien e saj më brenda parlamentit ajo tha se pagoi çmimin e respektit ndaj vetes.

Ish-ministrja e Integrimit ka folur edhe në lidhje me zërat se ajo do të përfshihet në qeverinë ‘Rama2’. Ajo tha se do të vazhdojë të perpiqet për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Para tre vitesh, kur u krijua Këshilli Kombëtar i Integrimit, pakkush e kishte idenë se ç’duhet të bënim që të mos ngrinim një institucion i cili mund të kthehej në një tjetër fushë beteje, ku dy ushtri (a mos me shumë) politike të luftonin sho-shoqin, të jepnin e merrnin kohë për të bindur shqiptarët se sa më e madhe të jetë armiqësia mes kundërshtarëve politikë, aq më e sukseshme cilësohet karriera politike. Jemi munduar të mbjellim, këtovite, një atmosferë bashkëpunimi, dëshirë për të shkëmbyer ide dhe për të formuluar sugjerime konkrete për rrugën tonë kacavjerrëse e të gjatë për t’u bërë europianë.
Ky fillim shtatori nuk ka rutinën e shumë të parangjashmëve të tij për mua. Ndërkohë që parlamenti po fillon sesionin e ri, unë po mbyll marrëdhëniet e mia disa vjeçare me të. E di se në histori dhe në politikë asgjë nuk mbaron pa një alternativë. Dhe më lejoni dy minuta për të sqaruar njëherë e mirë këtë ndjesi.
Nga marsi i 2007-ës e deri në shtator të 2013-ës mu besua detyra e lartë dhe e vështirë e nxitjes dhe koordinimit të të gjitha përpjekjeve për afrimin e Shqipërisë me Europën. E mora përsipër këtë detyrë, ngërthyer paska edhe nga frika se mund të dështoja. E njihja aq pak proçesin sa mjaftonte për të më tërhequr dhe tepronte për të më trembur.
Investova në të, çdo ditë të kalendarit të më shumë se gjashtë vjetëve, me të të gjithë forcën e pasionit, përkushtimit e përgjegjshmërisë sime. Këtu nuk dështova. Gjithçka u bë, sigurisht, falë edhe shumë të tjerëve, të cilëve sot dhe gjithmonë më tej në kohë, sa herë ta sjellë rasti të flas për këtë, u detyroj mirënjohjen time të sinqertë.
Falë të gjithëve atyre që kanë punuar për orë e orë pa fund, ditë të gjata e netë ku gdhiheshim mes letrave, nuk u ndjeva asnjëherë vetëm dhe dola nga ajo eksperiencë e papërsëritshme më e ditur, më e matur, më e rritur. Dola mbi të gjitha, më e vetëdijshme për fuqinë shtytëse apo frenuese e shkatërruese të politikës mbi secilin prej nesh e mbi jetën e fatet tona gjithashtu”, deklaroi Bregu.

Edhe në opozitë, tha ajo “pavarsisht mungesës së forcës së pushtetit, por me një qartësi më të madhe mbi dëmin që iu bën shqiptarëve ligësia, për të përmbysur çdo arritje të ngrehinës tonë shtet, kur ndërrohet pushteti, mu desh të bëja një tjetër betejë, me veten!”

“Për të mos u llapaçitur as me besim të verbër se e mira dhe e keqja në Shqipëri ndahen sipas kaheve politikë, as me naivitetin se kjo do të kalonte pa bezdinë e përplasjeve apo orgjinë  e shfrenuar të sulmeve nga ata që janë kontributorë të përhershëm në shkretimin e besimit tek politika.
U mundova të kuptoja dhe pastaj të flisja se cfarë nuk shkon më këtë stilin me të cilin brezi im po bënte politikë. Nuk jemi as arkaikë, as më të pazotë se të ngjashmit tanë europianë, por gabuar qofsha nuk jemi edukuar për të qenë të lirë e për ta respektuar lirinë. Ajo që ishte ëndrra më sublime e shqiptarëve, të jetojnë e bashkëveprojnë me njerëz të lirë, për disa u kthye në makthin më të madh.
Se çndodhi në vijim e dijnë të gjithë.  Une pagova çmimin e respektit ndaj vetes, pse thashë ca të vërteta të cilat fatkeqësisht mbeten të vërteta”, tha ish-deputetja.

Bregu foli dhe për njerëz tek të cilët realiteti dhe e vërteta nuk depërtojnë dot brenda tyre.
“Ka njerëz që e kalojnë gjithë jetën duke luajtur symbyllazi me shpirtin e tyre dhe përdorin gjithëmarifetet e mundshme për të mashtruar veten në atë lojë ku janë përfshirë. As realiteti dhe as e vërteta nuk depërton dot brenda tyre, por pluskon duke ua lënë mendjen të ankoruar në hicgjë. Janë njerëz të cilët janë mësuar që veten ta kërkojnë ndër të tjerë. Dhe fatkeqësisht këta janë e keqja që nuk mundet dot kollaj. Jane banaliteti dhe rreziku më i madh politik sot.
Në këtë betejë mes vetes, me instikte dhe pikëpamje të ndryshme nga ca të tjerë, dështova. E them këtë fare e qetë pasi nuk kam luksin të mendoj se kur nuk e fiton një betejë, qoftë ajo edhe për të bërë më të mirë shtëpinë tënde, quhet fitore. Por unë nuk di të ketë standart tjetër për të vënë në provë dinjitetin, përvecse të jesh vetja dhe i vërtetë”, tha ajo.

Lidhur me përfshirjen e mundshme në qeveri, Bregu tha se është e lodhur duke përgënjeshtruar sajesa.
“Shumë gazetarë më kanë pyetur javës që shkoi për një përfolje publike, (se mos ishte e vetmja), për përfshirje timen në qeverinë e sotme, për shkrirjen e e Ministrisë së Integrimit e kështu me radhë.
Jam lodhur duke përgënjeshtruar lajme e sajesa, burimin e të cilave e gjen fare lehtë, mjaft të lexosh ndonjë tarallak rishtar që edhe pse ka blerë një mandat parlamentari e nis punën si shërbëtor.
Mua nuk më duhet të jem as në parlament, as në qeveri, për të qenë shqiptar. Tashmë e kam detyrim të fatit dhe identitetit tim politik që kudo të jem, të përpiqem po njësoj për të afruar datën e Shqipërisë në Europë. Mbase edhe 100 herë më shumë se çdo punonjës i administratës që ka punuar qoftë edhe një ditë në këtë proces. Mbase edhe 1000 herë më shumë se ministrat aktualë. Më takon si një nga ministret e qeverisë që ndezi dritën e kësaj rruge zhytur në terr, derisa e coi Shqipërinë pranë pikës më kyce të këtij procesi atë të marrjes së statusit të vendin kandidat, që vetëm si datë rastisi të jetë guri i parë kilometrik për qeverinë e re”, deklaroi Bregu.

Për integrimin e Shqipërisë, ajo tha se është bërë shumë deri më sot aq shumë sa askush s’duhet të ketë më pafytyrësinë për të çuar dëm një rrugëtim të tërë e për ta krijuar një absurditet të tillë politik ku integrimit të nderet si një ide ende në kërkim të realitetit.

“Në emër të kësaj bindje dhe dëshirë nuk u fsheha pas gërmave dhe as kam patur ndonjë hije dyshimi për rëndësinë e Reformës në Drejtësi. Dhe sot jam më krenare se kurrë për gjithcka që bëra si deputete e opozitës në parlament, aty ku s’ ndjeja asnjë mision tjetër më të madhe sesa ai për të qenë ku janë shqiptarët, qytetarët që më  besuan votën e tyre.
Kam një falënderim me gjithë zemër – dhe jo kështu, se kështu duhet thënë, po se vërtet e ndjej me gjithë zemër – për të gjithë ata që më zgjodhën për t’i përfaqësuar kur isha dikush, për kë më njihte, po askushi në politikë.
Nuk do t’ua harroj asnjëherë që më çuan në Parlament atëherë kur vendimi im për angazhim në politikë ishte shumë më i brishtë se besimi që më dhanë me votën e tyre”, tha Bregu.

Ajo ka falënderuar edhe ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin, me të cilën tha se ka ndarë shqetësimin edhe me nerv për bllokimin e integrimit.

“Falënderime të përzemërta sot kam për Romana Vlahutin, Ambasadore e Bashkimit Europian në Tiranë, me të cilën kam ndarë me entuziazëm dhe shqetësim edhe me nerv grash, se Shqipëria është vend me identitet të qartë europian dhe cdo tentativë për ta bllokuar apo vonuar reformimin tonë së brendshmi është e pafalshme, pavarësisht se prej kujt kahu politik vjen. Ne mendojmë që kryesisht vjen nga burrat:)))
Falënderimet e mia të sinqerta shkojnë për punën dhe përkushtimin e të gjithë atyre që besuan në këtë përpjekje, për partnerët që e mbështetën këtë shkollë: Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë dhe Fondacioni Friedrich Ebert, pa të cilët kjo shkollë nuk do të kishte qënë e mundur.
Por faleminderit të gjithëve që mendojnë se ndërtimi i institucioneve dhe kapitali i duhur njerëzor ecin paralelisht e duhet të sinkronizohen me kujdes dhe, se sot, Shqipëria ka mjaftueshëm ekspertizë lokale për ta realizuar këtë. Duhen vetëm respektuar e besuar.
Faleminderit edhe medias, atyre që janë dëshmitarë ‘in persona’ të fjalive të plota thënë në këto takime dhe në të gjitha daljet e mia publike, para se fjalitë të përfundojnë në tituj sensacionale e pa lidhje nëpër portale. Keqardhje edhe për ata që me dëshirë të madhe më kanë kuptuar aq mirë, sa kanë vendosur të mos ma falin këtë”, tha ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: