Skandal në Has, këshilltarët e Partisë Socialiste nuk ndalen edhe pas paralajmërimeve të PD-së.
Këshilli Bashkiak i Hasit në një qëndrim të paprecedentë ka shpallur sot “Qytetar Nderi” ish-deputetin socialist Gafur Mazrekun që plagosi me 5 plumba themeluesin e PD-së Azem Hajdarin në shtator të vitit 1997 në sallën e seancave të Parlamentit të Shqipërisë.

Për këtë ai u dënua me 8 vjet heqje lirie. Ai u lirua pas pesë vjetësh nën një amnisti të dhënë nga kryeministri Fatos Nano. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.

Propozimi i një grupi këshilltarësh socialistë në Bashkinë e Hasit ka qenë në rendin e ditës dhe me 13 vota pro dhe 1 abstenim pasi të djathtët nuk morën pjesë në votim, Këshilli vendosi t’i japë titullin e qytetarit të nderit atentatorit të themeluesit të Partisë Demokratike Azem Hajdari.

Gafur Mazreku është shpallur “Qytetar Nderi” me motivacionin si ‘Personalitet me kontribut në pushtetin vendor’. Këshilltarët e djathtë nuk morën pjesë në votim duke e lënë gjithçka në dorë të majtëve e duke mos marrë pjesë në debat.

Kreu i Bashkisë së Hasit Adem Lala tha për News24 e “BalkanWeb” se Mazreku është një nga figurat më të mira të Hasit dhe se “nuk e kupton pse duhet te debatohet figura e tij”.

Gafur Mazreku qëlloi me pistoletë në vitin 1997 në Kuvendin e Shqipërisë Azem Hajdarin. Prej ditësh opozita ka dalë kundër këtij akti, që sipas tyre bëhet me urdhër të kryeministrit Edi Rama. PD e sheh si një vrasje të dytë për Azem Hajdarin.

Madje dje Berisha deklaroi se dekorimi i atentatorit të Azem Hajdarit është hakmarrje politike primitive duke theksuar se maxhoranca i ka shpallur luftë PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb