Dy ditë pasi Presidenti i SHBA-ve Donald Trump bëri të ditur se i ka dhënë udhëzime Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) për formimin e “Forcës Hapësinore” si degën e gjashtë të ushtrisë amerikane ka ardhur edhe reagimi i Kremlinit.

Rusia u shpreh e alarmuar nga zotimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se do të ruajë dominimin e SHBA-së në hapësirë dhe se do të krijojë forcën hapësinore si degë të veçantë të ushtrisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, shprehu shqetësimin e Rusisë një ditë pasi Trump tha se “Amerika do të jetë gjithmonë e para në hapësirë”. “Nuk duam që Kina, Rusia dhe vendet e tjera të na udhëheqin neve”, tha po ashtu Trump.

Zakharova tha se SHBA-ja “po ushqen plane për të dërguar armë në hapësirë, me qëllim që ndoshta të ndërmarrë veprime ushtarake atje”.

Ajo paralajmëroi se nëse realizohen, planet e tilla do të kenë “efekt destabilizues në stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Rusia ka një degë të ushtrisë të quajtur “forcat hapësinore”, por aktivitetet e tyre janë “thjesht mbrojtëse”, tha Zakharova.

Propozimi i Presidentit Donald Trump më parë duhet të kalojë në Kongres për miratim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb