NGA IV KALOCI*
Publikohet për herë të parë fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, të mbajtur më 21 gusht të vitit 1946 në Konferencën e Paqes në Paris, ku ai u detyrua që të pohonte të gjithë ndihmën që i dhanë Shqipërisë gjatë asaj lufte aleatët anglo-amerikanë. Konfliktet dhe debatet e Enver Hoxhës me delegacionin grek dhe kryeministrin Caldaris, për çështjen e pretendimeve greke, që donin ta radhisnin Shqipërinë në palët humbëse të asaj lufte.

Enveri në Paris: Pretendimet e Caldarisit ndaj Shqipërisë, absurde dhe inekzistente

Plot 69 vite më parë, më 21 gusht të vitit 1946, qeveria shqiptare mori pjesë në Konferencën e dytë të Paqes në Paris, me një delegacion të nivelit më të lartë, i cili kryesohej nga vetë kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, që mbante gjithashtu edhe postet e ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes. Kurse anëtarë të tjerë të atij delegacioni, ishin dhe: Hysni Kapo (ambasador i Shqipërisë në Beograd), Kahreman Ylli (ambasador i Shqipërisë në Paris) si dhe Javer Malo, përkthyes dhe përfaqësues i shtypit shqiptar. Ndërsa nga ana e sigurisë, ai delegacion shoqërohej nga kolonel Myftar Tare, ndihmësministër i Punëve të Brendshme për zbulimin me jashtë. Ky fjalim, të cilin po e botojmë më poshtë në këtë shkrim me shumë shkurtime, nuk është bërë asnjëherë publik i plotë, pasi pas prishjes me anglo-amerikanët në vitin 1946, citimet e tij ndaj aleatëve anglo-amerikanë dhe kontributin e tyre në luftë në Shqipëri, u fshinë njëherë e përgjithmonë. Po kështu, edhe pas prishjes me jugosllavët në vitin 1948 dhe me sovjetikët në vitin 1961, kontributet reale të këtyre dy delegacioneve në atë konferencë, u përmendën vakët, për të mos thënë që u fshinë fare, për shkak se Enver Hoxha donte t’i atribuonte vetes të gjithë meritën e “shpëtimit” të Shqipërisë në këtë konferencë, ndaj konfliktit me delegacionin grek.

Gjithashtu, vlen për t’u theksuar se fjalimi i parë që kishte përgatitur delegacioni shqiptar dhe që do ta lexonte Enver Hoxha, “u vodh” nga një pjesëtar i delegacionit grek. Dhe fjalimi që mbajti Enveri (ky që po botojmë më poshtë) u përgatit në momentet e fundit në ambasadën shqiptare në Paris. Një gjë tjetër mjaft interesante nga ditët e qëndrimit të delegacionit shqiptar në Paris, është dhe fakti se Enver Hoxha, në momentet e fundit ndërroi hotelin “Continental”, ku ishte vendosur bashkë me delegacionin, dhe u vendos në një hotel tjetër pranë ambasadës shqiptare. Dhe këtë gjë, Enveri e bëri për arsye se aty në vitin 1920 ishte vrarë Esat Pashë Toptani. Këtë fakt, veç të tjerash e ka bërë publik në shtyp para disa vitesh, edhe ish-shoqëruesi e njëkohësisht shefi i sigurisë së delegacionit, kolonel Myftar Tare. Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u ndalëm te fjalimi i Enver Hoxhës në lidhje me kontributin e anglo-amerikanëve në Shqipëri, kurse në shkrimin që po botojmë më poshtë, kemi shkëputur konfliktin me delegacionin grek si dhe traktatin e paqes me Italinë.

(vijon nga numri i kaluar)

(Fjalimi i mbajtur nga Enver Hoxha në seancën plenare të Konferencës së Paqes në Paris. 21 gusht 1946)
Të nderuar zotërinj. Gazeta “Figaro”, Nr. 588, 4 korrik 1946, duke bërë fjalë për luftën italo-greke shkruante: “Çetat shqiptare nga ana e tyre sulmonin autokolonat dhe trupat italiane në rrugët që çonin në front”. Ndërsa radio Londra më 26.X.1940 transmetonte: Mësohet nga Shqipëria se çeta shqiptare në veprim të prapavijave italiane presin dhe sabotojnë vijat e komunikacionit, duke u futur tmerrin reparteve italiane të izoluara. Grupe të armatosurish kanë mundur të hyjnë në kryeqytet dhe kanë afishuar mbi të gjitha godinat qeveritare e deri edhe në pallatin e qeverisë italiane proklamata, me të cilat i ftojnë italianët të zbrazin Shqipërinë.

Enveri: BBC-ja publikoi luftën tonë
Gjithashtu, më 4.1.1941 – A.A. (BBC) transmetonte: “Në rrethet ushtarake vihet re se shqiptarët u sjellin ndihmë të madhe grekëve kundër italianëve”. Por krahas akuzave të gënjeshtërta kundër popullit shqiptar, z. Caldaris duhet të dijë të na sqarojë këtu edhe këto pyetje: A i konsideron agresorë, sikundër e bën Shqipërinë dhe popujt e ndryshëm të Evropës, kuislingët e të cilëve kanë dërguar jo vetëm batalione, po kanë organizuar ekspedita të tëra kundër Ushtrisë së Kuqe heroike, që ishte për të gjithë popujt shembull heroizmi dhe trimërie dhe njëkohësisht mbështetja e tyre më e madhe? Është zor t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. A do ta konsiderojë z. Caldaris si vend agresor Francën, prej ku Hitleri mendoi të ndërmarrë ofensivën kundër Anglisë? Edhe kësaj pyetjeje është zor t’i përgjigjet. Z. Caldaris kujton se i lejohet çdo gjë kundër Shqipërisë së vogël, por gënjehet. Argumentet e tij pa ndonjë vlerë, nuk mund të qëndrojnë më këmbë. Jo, populli shqiptar nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë agresor dhe nuk përbën asnjë rrezik për popullin grek, siç pretendon z. Caldaris. Sulmet e delegatit të parë grek kundër vendit tim, duke pretenduar se ne i turbullojmë ujërat, na bëjnë të kujtojmë përrallën e La Fontenit. Kemi jetuar gjithnjë mirë me popullin grek, me të cilin kemi luftuar krah për krah kundër okupatorëve fashistë italianë dhe gjermanë. Gjatë luftës sonë antifashiste populli shqiptar u lidh me miqësi të sinqertë me fqinjët e tij, me popujt jugosllavë dhe grekë. Në dritën e këtyre fakteve, akuzat greke duken nën figurën ë tyre të vërtetë, të gënjeshtërta dhe pa asnjë bazë.

Enveri: Caldaris harroi kuislingët grekë?!
Por a e ka harruar z. Caldaris kaq shpejt se kuislingët grekë, në bashkëpunim me gjermanët, kanë luftuar shumë herë kundër shqiptarëve dhe janë përgjegjës për njëmijë të këqija? Ja disa prova: Më 8 shtator 1943, ditën e kapitullimit të Italisë, gjermanët hynë në Konispol duke ardhur nga ana e Sajadhës, të udhëhequr prej kapitenit zervist të quajtur Vitos dhe dogjën më se 50 shtëpi. Gjatë ofensivës së madhe të dimrit 1943-’44, organizuar prej gjermanëve kundër ushtrisë sonë nacionalçlirimtare, forcat gjermane me bandat e Zervës erdhën nga Greqia në Shqipëri dhe u vunë zjarrin krahinave të Zagorisë dhe të Pogonit. Banda të tjera zerviste bashkë me gjermanët luftuan kundër partizanëve shqiptarë në janar 1944 dhe u vunë zjarrin katundeve Krane dhe Dermish, si dhe shtëpive të të gjithë partizanëve minoritarë të Dropullit, kurse në shkurt 1944 këto banda dogjën katundin Dhrovjan.

Gjatë ofensivës tjetër të madhe të gjermanëve në qershor të vitit 1944, forcat zerviste erdhën përsëri bashkë me ushtrinë gjermane nga Greqia nga ana e Voshtinës dhe dogjën në Zagori ç’kishin lënë herën e parë. Kështu, kurdoherë që gjermanët vinin nga Greqia për të goditur forcat e ushtrisë nacionalçlirimtare, mbështetja e tyre kryesore përbëhej prej bandave të gjeneralit kuisling grek Napoleon Zerva. Delegacioni grek ka pretenduar se qeveria shqiptare e tanishme ndjek një politikë shkombëtarizimi kundrejt minoritetit grek në Shqipëri. Zotërinj, minoriteti grek në Shqipëri, që përbëhet prej 35 mijë frymësh, ka luftuar krah për krah me mbarë popullin shqiptar kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë dhe kundër kuislingëve shqiptarë dhe grekë. Sot në gjirin e Republikës Popullore të Shqipërisë ai gëzon të drejta të njëllojta me popullin shqiptar.
Enveri:

Minoriteti grek në Shqipëri, me të drejta të plota
Ai ka 79 shkolla dhe një lice në gjuhën greke, ai e ushtron vetë pushtetin lokal autonom si populli shqiptar; ai ka përfaqësuesit e tij në Kuvendin Popullor; në radhët e ushtrisë dhe të administratës ndodhen gjithashtu minoritarë grekë. Nga ana tjetër, nuk e di nëse zotërinjtë delegate kanë dijeni për terrorin e ushtruar në kurriz të pakicës shqiptare në Greqi. Nga të 60 mijë shqiptarët e mbetur në Greqi, sipas Traktatit të Londrës, nga viti 1913 e gjer në vitin 1923, 35 mijë shqiptarë u dërguan me forcë në Turqi si “nënshtetas turq” në këmbim të grekëve të Azisë së Vogël; në kundërshtim me angazhimet e marra solemnisht prej Greqisë, qeveritë greke kanë ndjekur gjithmonë një politikë shfarosjeje kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi dhe nuk i njohën kurrë ndonjë të drejtë. Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zerva deshën t’i zhduknin shqiptarët që kishin mbetur: ata dogjën katundet e tyre, u plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Më se 20 mijë shqiptarë, që mundën të shpëtonin nga vdekja, u arratisën në Shqipëri, ku sido që kanë ndihmën e qeverisë dhe të popullit shqiptar, jetojnë në një mjerim të madh. Por objektivi i vërtetë i gjithë këtyre thënieve të delegatit grek është që t’i merren Shqipërisë dy krahina: të Korçës dhe të Gjirokastrës, që kanë qenë gjithmonë nga qendrat më të zjarrta të patriotizmit shqiptar, si gjatë pushtimit të gjatë turk, ashtu edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare kundër zaptuesve italianë dhe gjermanë. Këto qëllime pasqyrojnë politikën e vjetër të “Megali-idesë” greke, domethënë të zgjerimit imperialist grek në krejt Ballkanin, ide që ka mbirë edhe në kokën e qeveritarëve grekë të tanishëm. Në fakt, këta, me rivendikimet që bëjnë kundër Shqipërisë, me provokimet e tyre të përditshme në kufijtë tanë dhe me intrigat që kurdisin, si ajo e propozimit, bërë delegatit jugosllav prej z. Caldaris vetë, për ta ndarë Shqipërinë, kërkojnë të turbullojnë paqen në Ballkan. Zotërinj, ne kujtojmë se është pa vend dhe një gjë e papranueshme të preket në këtë konferencë çështja e integritetit tokësor të Shqipërisë. Populli shqiptar i vogël në numër, por i madh nga sakrificat që ka bërë për kauzën e përbashkët, nuk ndodhet këtu për të diskutuar për kufijtë e tij, por për të shprehur dhe për të kërkuar të drejtat e veta. Po deklarojmë solemnisht se: brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse ato për ne janë të shenjta.

Shqipëria dhe Traktati i Paqes me Italinë

Italia, zotërinj delegatë, është plotësisht përgjegjëse për humbjet dhe dëmet që iu shkaktuan popullit shqiptar në këtë luftë. Kapitullimi i 8 shtatorit 1943 u dha fund agresioneve dhe paturpësive të Italisë fashiste, por ne kërkojmë, në emër të mijëra të rënëve dhe për fatkeqësitë e shkaktuara prej Italisë vendit tonë, që Traktati i Paqes i nënshkruar, t’i japë fund njëherë e mirë politikës agresive dhe imperialiste të Italisë. Shqipëria ka vuajtur shumë nga Italia fashiste, por ka vuajtur gjithashtu edhe nga Italia parafashiste, e ashtuquajtura demokratike, dhe shumë shenja e fjalë të qeverisë së tanishme italiane nuk paralajmërojnë asgjë të mirë, përveçse po atë politikë italiane kundrejt Shqipërisë, domethënë një politikë dominimi dhe pushtimi.

Italia e tanishme është bërë streha e gjithë kriminelëve shqiptarë të luftës që kanë mundur të shpëtojnë nga ndëshkimi i drejtë i popullit dhe që kanë gjetur atje një fushë të përshtatshme për të propaganduar dhe komplotuar kundër Shqipërisë së re Demokratike. Kriminelët italianë të luftës, përgjegjës për agresionin kundër Shqipërisë dhe për kaq të këqija në kurriz të popullit shqiptar, janë të lirë dhe bile me pozita të larta. Në mars 1946, fashistët italianë vranë në Bari një kapter shqiptar të misionit ushtarak shqiptar pranë Shtabit të Përgjithshëm aleat. Burra shteti të qeverisë së tanishme italiane, në fjalimet e tyre gjatë fushatës së zgjedhjeve të pranverës së kaluar, kanë folur me lakmi për pavarësinë e Shqipërisë, dhe po këtu, delegacioni italian ka në gjirin e vet burra që ishin agjentë besnikë të Musolinit për t’i imponuar Shqipërisë vullnetin e Italisë, për të pushtuar dhe martirizuar vendin tonë. Delegacioni shqiptar e ka studiuar me kujdes projektin e Traktatit të Paqes me Italinë dhe i shpreh mirënjohjen Këshillit të Ministrave të Jashtëm, i cili në kohën e punimit të këtij traktati, nuk i ka kaluar në heshtje interesat e Shqipërisë. Megjithëkëtë, ai merr guximin sot të bëjë disa vërejtje mbi këtë traktat, duke rezervuar të drejtën të shprehë pikëpamjen e vet më me hollësi përpara komisioneve kompetente mbi çështjet e veçanta, kurdoherë që do ta gjejë me vend. Shqipëria kërkon që Traktati i Paqes t’i sigurojë garanci të forta, t’i presë hovin në të ardhmen një kthese agresive të politikës imperialiste italiane kundrejt saj dhe t’i heqë Italisë çdo mundësi të përsërisë të kaluarën, si për kohën para 7 prillit 1939, ashtu edhe për kohën pas kësaj date, që të paraqesë kundrejt Shqipërisë reklamime të çdo lloji qofshin. Për këtë shkak, delegacioni shqiptar merr guximin të propozojë disa përmirësime: Delegacioni shqiptar çmon se forcat ushtarake, tokësore, detare dhe ajrore, që i janë lënë Italisë, i lejojnë kësaj të prekë paqen dhe sigurinë e fqinjëve dhe të vendeve ballkanike. Shqipëria është e mendimit që këto forca të pakësohen edhe më tepër për ta vënë Italinë në gjendje që të mos mundë të rrezikojë paqen, kështu që të mund të rrojmë dhe të punojmë në siguri. Delegacioni shqiptar do të dëshironte të bënte një vërejtje mbi një pikë shumë me rëndësi të këtij traktati dhe që lidhet ngushtë me ngritjen ekonomike të Shqipërisë. Dua të flas mbi kapitullin e dëmshpërblimeve. Këshilli i Ministrave të Jashtëm ia lë konferencës barrën të vendosë mbi kërkimet e dëmshpërblimeve nga ana e Francës, Jugosllavisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Abisinisë.

Dhe z. De Gasperi, në fjalimin e tij, megjithëse heshtazi, kërkon që ta shpëtojë vendin e tij nga detyrimet e drejta që fashizmi i ka ngarkuar atij me agresionet e veta kriminale. Zotërinj, për 54 muaj rresht, agresorët italianë, me dashje dhe për qëllime të caktuara, duke grabitur dhe duke shfrytëzuar rrënjësisht të gjitha burimet e tokës dhe të nëntokës, bujqësinë tonë dhe bagëtitë tona, duke djegur qytetet dhe fshatrat tanë për ta larguar popullin nga kauza e tij e drejtë e çlirimit, duke e kthyer vendin tonë paqedashës në fushë lufte, i kanë shkaktuar ekonomisë sonë kombëtare dëme të pandreqshme. Kanë vrarë, torturuar, burgosur ose mbyllur në fusha përqendrimi me mijëra patriotë dhe kanë vënë në zi me mijëra mëma, gra dhe fëmijë. Italia është përgjegjëse kundrejt Shqipërisë për humbjet dhe dëmet që kapin shumën prej 3 544 232 626 frangash ari. Delegacioni shqiptar do të parashtrojë me hollësi kërkesat e veta për dëmshpërblim dhe përmirësimet e nevojshme në traktat, por që tani ai kërkon, si një të drejtë të pabisedueshme për vendin e tij, që Traktati i Paqes të caktojë shumën që Italia duhet t’i paguajë Shqipërisë, si dhe kushtet e pagimit. 3. Nga sa u tha më lart, del se Traktati i Paqes me Italinë ka një rëndësi të dorës së parë për Shqipërinë. Ka edhe pika të tjera me rëndësi, mbi të cilat nuk desha të zgjatem këtu; si nenet mbi kriminelët e luftës, mbi kthimin e sendeve të grabitura, mbi pasuritë e nënshtetasve të kombeve të bashkuara në Itali, përveç disa hollësive, por jo pa rëndësi, që prekin drejtpërdrejt vendin tonë. Ky traktat parasheh për Shqipërinë të drejta dhe detyrime shumë me rëndësi. Këto janë lidhur ngushtë me indipendencën, sovranitetin dhe integritetin e saj tokësor, me të ardhmen e saj ekonomike dhe politike. Megjithëkëtë, delegacioni shqiptar është i detyruar të konstatojë se, me gjithë sa u thanë më lart dhe me gjithë faktin se Shqipëria me kontributin e saj në luftën e përbashkët, është radhitur me mish e me shpirt në radhët e kombeve të bashkuara fitimtare, Traktati i Paqes me Italinë, ashtu siç paraqitet sot në projekt, nuk i siguron Shqipërisë të gjitha të drejtat që i takojnë normalisht dhe (a mos është vallë ndonjë paradoks juridik?) nuk e lejon ta nënshkruajë këtë traktat si palë kontraktuese, sepse nuk konsiderohet si fuqi-shoqe.

Delegacioni shqiptar shpreson se konferenca do ta pranojë amendamentin që vijon dhe që do të mbante si numër “nenin 26, pika a” në pjesën II, seksioni V ose të shtohet në parathënie, gjë që do të zhdukte një varg keqkuptimesh dhe ndërhyrjesh të vazhdueshme nga ana e delegacionit tonë. Amendamenti i propozuar është ky: “Neni 26 a”. “Për sa i përket zbatimit të këtij traktati, Shqipëria konsiderohet si një fuqi-shoqe”. Dua të përcaktoj se delegacioni shqiptar rezervon të drejtën të paraqesë pikëpamjen e tij në mbledhjen plenare të konferencës, si dhe përpara komisioneve kompetente, kurdoherë që do ta gjykojë me vend, që të ndërhyjë mbi Traktatin e Paqes me Italinë. Delegacioni shqiptar e ndjen për detyrë të paraqesë kërkesat e tij të drejta kundrejt Italisë në mënyrë që kjo të pushojë së qeni një rrezik i vazhdueshëm për Shqipërinë e vogël dhe paqedashëse, që t’i paguajë dëmshpërblimet, t’i kthejë sendet e rrëmbyera dhe t’i dorëzojë sa më shpejt kriminelët shqiptarë të luftës dhe të huaj, të kërkuar prej qeverisë shqiptare dhe që gjenden të strehuar në Itali. Republika Popullore e Shqipërisë do të jetë e lumtur të ketë marrëdhënie normale me një Itali të re me të vërtetë demokratike që t’u përgjigjet me nder detyrimeve të saj ndërkombëtare, që të mbajë kufijtë e saj natyralë dhe të respektojë ato të të tjerëve, që të mos jetë një çerdhe neofashistësh dhe kriminelësh lufte të të gjitha vendeve, që të mos jetë një vatër e re agresioni, por që t’ia ketë ënda të bashkëpunojë me vendet e tjera demokratike për paqen dhe për sigurimin kolektiv. Shqipëria nuk kurseu asgjë për fitoren e përbashkët. Ajo është po aq e vendosur të japë përkrah aleatëve të luftës dhe të të gjitha vendeve demokratike kontributin e saj për vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të një sigurimi kolektiv. Delegacioni shqiptar do ta ndjejë veten të lumtur nëse ky kontribut i vogël në këtë konferencë do të ndihmojë në kryerjen e kësaj barre të rëndë.
(Botohet me shkurtime sipas tekstit të gazetës “Bashkimi”, Nr. 540, 22 shtator 1946)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb