TIRANE-Policia ka arrestuar sot rreth orës 16:35 dy deputetët Mark Frroku dhe Tom Doshi duke ekzekutuar kështu vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Paralelisht me arrestimet efektivët e policisë gjyqësore kontrolluan imtësisht banesat e dy ligjvënësve.

Deputeti i PKD-së Mark Frroku u arrestua në një lokal në pronësi të familjes së tij në zonën “Misto Mame”. Në momentin e arrestimit deputeti Frroku ka qenë në prani të avokatëve të tij, ndërsa mësohet se nuk ka bërë rezistencë. Kanë qenë strukturat e njësisë “Shqiponja” që kanë ekzekutuar urdhrin e ndalimit të lëshuar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për deputetin Frroku.

Ndërkohë që deputeti Tom Doshi është arrestuar pak minuta më vonë në banesën e tij. Ai ka qendruar aty përgjatë gjithë kohës së kontrollit. Në banesën e deputetit Doshi kanë qënë edhe familjarët e tij si dhe avokati Vladimir Meçi. Mësohet se kontrolli në banesën e tij ka zgjatur plot 60 minuta, ndërsa avokatët deklaruan se në banesë nuk ka qenë i pranishëm Prokurori, ndërsa policia ka mbajtur procesverbal. Po sipas tyre, në banesë nuk është gjetur asgjë me rëndësi për hetimin.

Në orën 17:30 minuta mjeti që shoqëronte deputetin socialist të Shkodrës, Tom Doshin, një ‘Range Rover’ në ngjyrë gri ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, i shoqëruar nga forca të shumta policie. Dy minuta para tij, mbërriti edhe deputeti Mark Frroku, edhe ky i shoqëruar nga forca të shumta policie. Të dy të arrestuarit pritet të merren në pyetje, ndërkohë që avokatët e tyre mbrojtës, të pranishëm në ambientet e Policisë së Tiranës kanë deklaruar se arrestimi i tyre është i paligjshëm dhe arbitrar.

Vendimi për arrestimin e dy deputetëve erdhi menjëherë pasi Kuvendi i dha leje prokurorisë të arrestojë dhe kontrollojë banesat e tyre. Kuvendi miratoi me 80 vota pro kërkesën e Prokurorisë për vijimin e hetimit penal ndaj dy deputetëve. Prokuroria i akuzoi deputetët për deklarim të rremë në lidhje me deklaratat e tyre për ekzistencën e një komploti për eliminimin fizik të Doshit dhe deputetit të PD-së, Mhill Fufi.

POLICIA: EKZEKUTOHEN URDHËRNDALIMET PËR DEPUTETËT FRROKU DHE DOSHI, JA AKUZAT
Ora 19:50-Rreth katër orë pas ekzekutimit të urdhër-ndalimeve të Prokurorisë policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate për mediat jep detajet. Në njoftim theksohet se Urdhër-ndalimet janë lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës dhe mbajnë datën 26.03.2015, për veprat penale “Kallzim i rremë”, “Deklarata e rreme përpara Prokurorit” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”.

NJOFTIMI I PLOTE

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka ekzekutuar Urdhër-ndalimet për shtetasit Tom Gjek Doshi, 49 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, si edhe Mark Preng Frroku, 43 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Urdhër-ndalimet janë lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës dhe mbajnë datën 26.03.2015, për veprat penale “Kallzim i rremë”, “Deklarata e rreme përpara Prokurorit” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, parashikuar përkatësisht nga nenet 305, 305/a dhe 312/a, të Kodit Penal. Shtetasi Tom Doshi u ndalua në banesë, ndërsa shtetasi Mark Frroku u ndalua në ambjentet e firmës së tij, në Tiranë.
Gjithashtu me autorizim të Kuvendit të Shqipërisë, me vendimet nr. 39 dhe 40, datë 26.03.2015, mbi bazën e Urdhrit të Prokurorisë, është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Doshi dhe Frroku.AVOKATËT E DEPUTETIT FRROKU: NDALIMI I PALIGJSHËM, PROKURORIA DO PËRBALLET ME GJYKATËN

Ora 19:00- Dy avokatët e deputetit Mark Frroku e kanë cilësuar të paligjshëm ndalim arrestimin e tij. Në një prononcim për media pasi dolën nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës avokatët theksuan se do ndjekin procedurat ligjore dhe se se arrestimi nuk ishte kompetencë e prokurorisë. Ata bënë me dije se do bëjnë ankimim në Gjykatën Kushtetuese për vendimin Kuvendit. “Do ndjekim proceduren ligjore. Është e paprecedent, akuza është e tillë që arresti as është aplikuar dhe as është parashikuar nga ligji. Prokurori ka urdhëruar ndalimin, nuk ka as akuzë është nën hetim.  Klienti nuk është marrë në pyetje.

Do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Parlamentit. Jo se nuk e  prisnim, që në momentin që Prokuroria i kërkoi Parlamentit për arrestim që nuk është e ligjshme,  e dinim që Prokuroria do jepte urdhrin e ndalimit pas vendimit të Parlamentit. Prokuroria e Përgjithshme që të urdhëronte ndalimin për veprat penale që kanë gjobë ose dënim deri në një vit, duhet të kalonte më parë në gjykim, pastaj kishte të drejtë Prokuroria të kalonte në veprim. Ky proces do jetë një përballje e Prokurorisë me Gjykatën jo e jona.”- u shprehën avokatët.

AVOKATËT: TOM DOSHI NUK KA BËRË ASNJË DEKLARATË SEPSE NUK ËSHTË PYETUR. PRESIM TI KOMUNIKOHEN AKUZAT
 Ora 18:35-Pasi kanë dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dy avokatët e deputetit Doshi deklaruar se ky i fundit ende nuk ka bërë asnjë deklaratë pasi nuk është pyetur. Avokatët theksuan se deri tani ëhstë kryer vetëm procedura e ndalimit me korrektësi dhe se ende nuk i janë komunikuar akuzat e ngritura nga Prokuroria.  “Nuk ka patur deklarim sepse nuk është pyetur. Duhet të pyetet menjëherë pasi merret masa e ndalimit por nuk është pyetur. Janë bërë procedurat e ndalimit me shumë korrektesë, jemi në pritje të komunikimit të akuzave. Brenda 48 orëve duhet të paraqitet kërkesa.”- u shprehën avokatët. Më tej ata sqaruan edhe një herë se ditën e nesërme do të bëjnë një kërkesë në Gjykatën e Lartë kundër urdhrit të ndalimit të lëshuar ndaj Deputetit Doshi pasi sipas avokatëve ky urdhër mund të lëshohej vetëm nëse deputeti Doshi do të tentonte të largohej nga Shqipëria.
“Ne do bëjmë një kërkesë në Gjykatëne  Lartë kundër urdhrit të ndalimit të ndërmarë nga Prokurori i Përgjithshëm pasi e konsiderojmë haptazi të paligjshëm.  Ky urdhër merret vetëm kur ka shkaqe të bazuara që personi mund të ikë. Deri tani ka 2 javë që Tom Doshi shoqërohet nga një “Hamer” i policisë. Tom Doshi i ka qëndruar besnik deklaratave të tij se është në dispozicion të hetimit ndaj prokuroria nuk duhet të lëshonte urdhër ndalimi”- u shprehën avokatët.

Të dy avokatët nuk konfirmuan asnjë gjë në lidhje me sendet që janë sekuestruar nga policia në banesën e deputetit Doshi. Ata deklaruan se kanë një kopje të procesverbalit, por u shprehën se nuk do e bëjnë publik për mediat.
“Nuk mund të konfirmojmë asnjë gjë se çfarë është marrë nga policia, por siç kemi deklaruar policia veç ekzekutimit të urdhrit të ndalimit ka bërë edhe kontroll banese. është mbajtur një procesverbal ne e kemi kopjen por nuk e konsiderojmë që duhet ti vihet në dispozicion medias.”- u shprehën avokatët.

AVOKATI MEÇE: DO KËRKOJMË LIRIMIN E MENJËHERSHËM TË DEPUTETIT DOSHI, ARRESTIMI I PALIGJSHËM
Ora 17:57-Edhe avokati tjetër i deputetit Tom Doshi, Vladimir Meçe në një prononcim për mediat thekson se do kërkojë lirimin e menjëhershëm të deputetit. Sipas avokatit arrestimi është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Avokati shprehet se nga kontrolli i ushtruar nuk është gjetur asnjë gjë.

“E gjetën në shtëpinë e tij, edhe sot në mëngjes ka qenë në shtëpi, ka qene edhe tek “Sheratoni”. Ne do kërkojmë për lirimin e menjëhershëm si arrestim i kryer në kundërshtim me ligjin  dhe Kushtetutën. Në banesë nuk kanë gjetur asnjë gjë”- u shpreh avokati.

AVOKATI: NDALIMI I PALIGJSHËM, DO KËRKOJMË LIRIMIN E DOSHIT
Ora 17:55- Njëri nga avokatët e deputetit socialist, Tom Doshi, Ferid Mucaj deklaron se nxitimi i prokurorisë për të bërë arrestimin e Doshit ka prapavijë politike.
“Prokurori i Përgjithshëm duhet ti kishte bërë kërkesë gjykatës së Lartë për arrestimin. Gjithë nxitimi për veprime të shpejta dhe arbitrare tregon që ka prapavijë politike për të denigruar figurën e tij. Vendimi i ndalimit për një person bëhet me urdhër prokurori kur ka të dhënë se do largohet, ose do i fshihet hetimet, jo në rastin konkret, ku dihet që Doshi është paraqitur 8 herë në Prokurori. Ky ishte një vendim arbitrar për të denigruar figurën e tij”.
Avokati sqaroi më tej se edhe kontrolli në banesën e deputetit ka qenë i paligjshëm.
“Gjatë kontrollit nuk gjetën asgjë të kundraligjshme”, tha avokati.
Ai shtoi se pala mbrojtëse do kërkojë lirimin e Doshit, pasi vendimi për ndalimin e tij, siç shtoi avokati është i kundraligjshëm. “Ne do paraqesim edhe njëherë kërkesën për të shpallur urdhrin e ndalimit të paligjshëm”.

(a.n/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: