DURRES – Policia e Durrësit nuk e përjashton pistën e largimit në mënyrë ilegale në vendet fqinje të dy motrave Kajtazi, të cilat u zhdukën në mënyrë misterioze, rreth një muaj më parë. 29 ditë pas largimit të tyre nga shtëpia, policia nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e motrave Orialda dhe Klevisa Kajtazi. Sipas burimeve policore, kanë kaluar në “sitë” kontrolli të gjithë lokalet e natës dhe janë mbikëqyrur për katër ditë radhazi hotelet dhe motelet e qytetit bregdetar, por nuk ka mundur të lokalizojë dot vendndodhjen e dy motrave. Sipas policisë, nuk përjashtohet mundësia e largimit të tyre ilegalisht nga vendi, dhe për këtë arsye është kërkuar ndihma e policive të shteteve fqinje.
Bërja publike e ngjarjes ka vështirësuar së tepërmi punën e Policisë. Agjentët e Policisë dyshojnë se pasi ngjarja u bë publike, vajzat apo personat të cilët i udhëheqin, nuk i lejojnë të dalin në rrugë, si dhe nëpër bare apo lokale me muzikë live. Katër telefonat celularë që vajzat kanë marrë nga shtëpia rezultojnë të fikur, ndërsa policia vijon verifikimin e tabulateve të tyre.
Burime nga policia sqarojnë se edhe familja e vajzave nuk ka bashkëpunuar për ti gjetur ato në kohë të shpejtë. Është dashur pyetja me orë të tëra për disa ditë që familjarët të tregojnë rrethanat se si ka ndodhur ngjarja.

Vajzat u hidhnin vazhdimisht prindërve në ushqim një medicament që quhej “loram” dhe i vinin në gjumë dhe më pas frekuentoheshin më njerëz të panjohur gjatë natës. Motrat Kajtazi më 15 korrik helmuan prindërit e tyre për herë të fundit dhe dyshohet se i kanë vënë flakën shtëpisë dhe më pas kanë grabitur një shumë prej 5 milionë lekë të vjetra kursime të familjes.
Ndërkaq, në një komunikim telefonik me “News24”, Hiqmet Kajtazi babai i vajzave të zhdukura, deklaroi se një banor i lagjes i ka pohuar se vajzat janë larguar me taksi mesnatën  e 15 korrikut nga banesa, dhe sipas tij kjo dëshmi do të verifikohet nga policia e Durrësit.

“ Jemi në dëshpërim të thellë. Nuk dimë ku të drejtohemi.  Policia na thotë të jemi optimist se do gjenden,  por po bëhet një muaj që nuk na kanë marrë në telefon asnjëherë, nuk na kanë bërë asnjë mesazh në celular apo në Facebook.  Duam vetëm të na thonë që janë gjallë, e janë mirë. Ne po i presim, në shtëpi, me merak të madh” – tha babai i vajzave.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: