Leonard Koka, ‘kumbari’ i marrëveshjes PS-LSI më 1 prill të vitit 2013 përfundoi sot në polici dhe nën hetim pas ndalimit të djalit të tij Renald Koka nga Policia Rrugore. Burime nga policia për “News24” bëjnë me dije se “djali i Leonard Kokës ka qenë me një makinë me targa italiane dhe pa asnjë dokument. Në rrugën e Kënetës e ka ndaluar policia. Radari shënonte 93 km në orë, ndërsa tabela ishte për 40 km/orë. Bëhet fjalë për një rrugë, ku kanë ndodhur aksidente të shumta”, – sqarojnë burimet.

“Policia i ka komunikuar Renald Kokës se do e shoqëronin në komisariat dhe i riu ka shkuar pa kundërshtim. Djali i Leonard Kokës është futur brenda dhe kanë përpiluar dokumentet e ndalimit të mjetit dhe të gjobës”, thonë burimet për “News24” raporton “BalkanWeb”.

“Në këtë kohë Nard Koka ka hyrë nga dera e pasme e komisariatit duke përfituar nga momenti i daljes së një makine. Ai ka hyrë në dhomën ku oficerët e policisë dhe djali i tij po firmosnin dokumentet dhe gjobën dhe i ka kërkuar të birit e policit të mos firmoset asgjë pa e lexuar edhe ai. Polici ka rënë dakord”, thanë burime për “News24“.

Ato pohuan se “kur ka marrë bllokun në dorë Leonard Koka ka grisur të dy fletët e gjobës. Pas këtij veprimi është mbajtur i ndaluar për tre orë në komisariat dhe pasi janë përpiluar kallëzimi i policit dhe janë marrë deklarimet e tij është lënë për t’u ndjekur në gjendje të lirë. Ndërkohë është pezulluar nga detyra polici roje që e lejoi të hynte në komisariat Leonard Kokën”. Të njëjtat burime thanë se i biri ka mbajtur qëndrim korrekt.

Për sa i përket automjetit që drejtonte Renald Koka, burimet thonë se “ishte me targa italiane dhe kishte vetëm një letër nga prokuroria si kthim sendi pas një hetimi për makinë të vjedhur në Itali. Pra ishte makinë që duhej të rrinte në parking derisa të plotësonte dokumentet shqiptare dhe jo të lëvizte në rrugë”, sqarojnë burimet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: