Policia e Kosovës bëri të ditur se ka kryer kontrolle brenda hapësirave që shfrytëzohen nga Kryqi i Kuq i Serbisë në disa qytete të Kosovës.

Në një njoftim të policisë thuhet se “gjatë realizimit të kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme të cilat dyshohet se janë përdorur nga individë në këtë organizatë”.

Në komunikatë thuhet më tej se janë konfiskuar “dokumente që dyshohet se kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë të cilat vlerësohet të jetë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi regjistrimi i popullsisë bëhet nga institucionet kompetente të Kosovës”.

Policia e Kosovës thotë se gjatë këtij operacioni policor ka marrë në pyetje disa individë që në momentin e kontrolleve janë hasur në ato hapësira ndërsa bëë të ditur se disa pjesëtarë të saj kanë pësuar lëndime gjatë realizimit të operacionit policor në veriun e Mitrovicës, pasi janë sulmuar nga persona të dyshuar, ndaj të cilëve ka hapur edhe hetim për “sulm ndaj personit zyrtar”.

Për aksionin e policisë së Kosovës ka reaguar Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë e cila e ka dënuar siç thuhet “fuqishëm kontrollet dhe bastisjes në ambientet e Kryqit të Kuq të Serbisë”.

Në komunikatën e kësaj zyre thuhet se “ky veprim i turpshëm është pjesë e llogaritjes së strukturave të vjetra dhe të reja politike në Prishtinë dhe brenda konfliktit shqiptar, e cila është rezultat i tranzicionit të pushtetit në institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes,” thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë duke nënvizuar se nuk do të lejohet keqpërdorimi i çështjeve humanitare për qëllime politike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb