TIRANE – Telefonatat e Vladimir Gjutës, personi që u akuzua për vendosjen e tritolit tek farmacia e babait të Saimir Tahiri, janë gjurmuar me pajisjen e shumëpërfolur të Interforces italiane “IMSI Catcher”. Ky fakt është bërë i ditur nga Haki Çako në prokurori, pas pezullimit nga detyra, ku theksoi se kjo pajisje ka shërbyer për të zbuluar grupe të dyshuarish.

Vladimir Gjuta ka lënë më 24 prill qelinë e burgut të Bradasheshit, në Elbasan. Gjuta doli nga burgu, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi procedimin penal ndaj tij dhe nipit të tij, Baftjar Bruka, të dyshuar për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Vladimir Gjuta është një ndër 7 personat (për të tjerët hetimet janë pushuar më parë) si autorë të dyshuar të shpërthimit të tritolit të telekomanduar në farmacinë e Bashkim Tahirit si dhe vendosjen e lëndës plasëse pranë një stacioni autobusi në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto”, në Tiranë. Këto ngjarje kanë ndodhur gjatë orëve të para të datës 10 shkurt të vitit të kaluar.

Fillimisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetimet ndaj personave të dyshuar të ngjarjeve nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Më pas, gjatë hetimeve janë kryer një sërë veprimesh procedurale, përfshirë edhe ekspertiza, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Në përfundim të këtyre hetimeve nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte se personat e arrestuar ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme.

Vladimir Gjuta u la i lirë pasi vuajti dënimin me 7 muaj e 20 ditë për kanosje të gjyqtarit, vendim që ka hyrë në fuqi më 20 nëntor të vitit të kaluar.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb