Nga Zoje JAKAJ

Politika është një profesion historikisht i udhëhequr nga meshkujt, që nga gjeneza e saj më saktë. Gjithmonë është cilësuar si një punë e denjë vetëm për gjininë mashkullore dhe se prania e grave në të ka sjellë vetëm çoroditje. Në çdo diskutim ku flitet për rëndësinë e përfshirjes së plotë të femrës në politikë, të gjithë kujtojë “Helenën e Trojës”, bukuroshen që u bë shkak i një lufte, apo Kleopatrën, që nuk u rezistoi dot tundimeve femërore. Me gjithë lëvizjet e shumta dhe të hershme feministe (të gjitha bazuar në të drejtën e barazisë njerëzore!) për të çrrënjosur stereotipat gjinorë, e vetmja gjë që është arritur, është mënyra se si shihen femrat në politikë: femrat për politikën janë një make-up i bukur, një dekor i domosdoshëm, ose “femrat-burra” janë të vetmet që mund të japin kontributin e tyre në jetën politike të vendit.

Në një vështrim të përgjithshëm të kombeve të bashkuara, nga niveli lokal në atë global, lidershipi i grave dhe pjesëmarrja politike mbetet i kufizuar. Gratë janë të nënpërfaqësuara si votuese, si dhe në pozita udhëheqëse: qoftë në zyrën e zgjedhur, në shërbimin civil, në sektorin privat apo në atë akademik. Kjo ndodh pavarësisht nga aftësitë e tyre të dëshmuara si udhëheqëse dhe agjente të ndryshimit, bazuar në të drejtën e tyre për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike. Gratë përballen me një mori pengesash për të siguruar pjesëmarrje në jetën politike. Barrierat strukturore përmes ligjeve dhe institucioneve diskriminuese ende kufizojnë mundësitë e tyre për të kandiduar në zyra përfaqësimi e drejtimi. Boshllëqet e kapaciteteve nënkuptojnë se gratë kanë më pak gjasa se burrat që të kenë arsimimin, kontaktet dhe burimet e nevojshme për t’u bërë udhëheqëse efektive.

Domosdoshmërisht që duhet të pajtohesh me këtë konkludim, përderisa sot të gjithë i shikojnë femrat nga mënyra se si vishen, si qëndrojnë, apo se si kujdesen për veten – a thua se meshkujt nuk i kryejnë këto rituale! Dhe në gjithë këtë, vendi ynë nuk mundet kurrsesi të bëjë përjashtim. Nisur nga traditat e hershme e të forta, ligjet zakonore, historiku komunist e një mori me ndodhi e ngjarje në të ashtuquajturën ‘demokraci e jona’, lidershipi mbeti gjithmonë në dorë të meshkujve. Për kujtesë le të kthehemi pas disa vite. Të gjithë e kujtojnë shfaqjen e Jozefina Topallit në politikë: rreth viteve ‘96, jo pak vite të vështira për një grua që të ishte në poltron në krah të burrave shqiptarë, e për t’ia dalë duhej të dukeshe e fortë si një burrë në pamje, zë dhe sjellje, pra një “burrneshë”, e ndërkohë e fortë u cilësua nga të gjithë! Kur në fakt, Jozefina ishte një femër si gjithë të tjerat – kishte një burrë e fëmijë me të, pra diçka që koncepti i burrneshës nuk e pranon. E megjithatë, ajo vazhdoi të cilësohej si e tillë deri ditën që vendosi të kujdesej për lukun e saj – të ndiqte trendet e modës, të shfaqej me çanta elegante në seancat parlamentare e të tjera “histori femrash” siç rëndom i quajnë burrat. Aty numri i grave në parlament paksa ishte shtuar dhe znj. Jozefinë i duhej të përballonte edhe sfidën femërore, por kjo e dyta ndodhi që ta zbehte paksa forcën prej burri të gruas-lider në parlament. E sot ajo nuk është pjesë e tij.

Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë prej vitit 2005. Për mbarë botën zonja Merkel është lidere ‘de facto’ e Europës – dhe megjithatë (ka gjithmonë një të tillë) – nuk mundi dot t’u shpëtonte stereotipave kur filloi të vishte funde. Dhe dy-tre raste doli në publik me dekolte të hapur. Kudo në botë, media filloi të komentonte këtë ndryshim të saj dhe e cilësoi atë si një ogur të zi për vijueshmërinë e saj në krye të Gjermanisë. Ndoshta nga natyra e saj “prej gjermaneje”, kancelarja, duket se nuk i kushton shumë nga koha e saj pamjes vizive, e ndoshta kjo është arsyeja pse masa nuk e sheh atë si një grua që rrezikon politikën!

Historia botërore ka një numër të konsiderueshëm të grave të suksesshme në politikë: Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore, sepse mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë; mbretëreshë Viktoria – një epokë e tërë e artë mban emrin e saj; Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB, nga e cila kemi trashëgimi Deklaratën e famshme për të Drejtat e Njeriut; ndikimi i Margaret Thatcher, zonjës së hekurt, në stabilitetin e ekonomisë është i paarritshëm; Benazir Bhutto – kryeministrja e parë femër në një vend mysliman (Pakistan) udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci. Pa lënë jashtë kësaj liste edhe një numër të madh emrash, si humanistja Nënë Tereza, Eva Peron në Argjentinë, Zhaklin Kenedi, Anna Frank, Zhan D’Ark, Annie Besant, që ndikoi në pavarësinë e Indisë, apo edhe emra të tjerë të njohur, që ndoshta, edhe pse mund të ndiqen nga një numër i madh skandalesh, ia kanë dalë të bëjnë histori në politikë. Hillary Clinton mbetet idhulli i shumë grave në botë.

Rruga e politikës për këto gra nuk ka qenë aspak e lehtë. Ndërsa ne, në vendin tonë, duke qenë se nga traditat e trashëguara e nga kanunet që shpeshherë i zbatojmë më shumë se ligjet, për t’u dukur demokratë e bashkëkohorë, në njëfarë mënyre ua kemi shtruar rrugën vajzave e grave që duan të merren me politikë me një dorë zhavorr. (!) Politika jonë ka vetëm zonja e zonjusha të kuruara deri në detajet më të vogla, ku për pjesën më të madhe të tyre të gjithë e dinë se potenciali financiar i gjithsecilës është i pamjaftueshëm për shfaqje të tilla, dhe detyrimisht i lidhim ato me hijen e disa meshkujve të tjerë që i financuan për të qeverisur nëpërmjet tyre. Dhe kjo, përkthehet në aksiomën e famshme se gratë nuk janë për politikë – dhe ku fatkeqësisht, nisur nga kjo ne duhet të biem dakord!

Ne jetojmë në një botë që vazhdimisht ndryshon dhe përparon, zakonisht për mirë në drejtim të barazisë gjinore; megjithatë, nuk mjafton thjesht të kuptohet problemi. Lëvizjet feministe kanë pasur një ndikim të fuqishëm pozitiv në vende pothuajse tërësisht demokratike, dhe duke mbështetur kauzat gjinore, në vend që t’i shkatërrojnë ato, mund të bëhen përparime të rëndësishme. Arritja e barazisë gjinore në të gjitha etapat e zhvillimit, e aq më tepër në atë të përfaqësimit, është më tepër se e rëndësishme; është jetike nisur nga kompleksiteti që edhe vetë mbart. Por, për këtë është e rëndësishme që edhe këtu të vendoset sita – njerëzit kanë talente e prirje nga më të ndryshmet – jo të gjithë janë të aftë për politikën, pavarësisht dëshirës së madhe që mund të kenë. E kjo vlen edhe për femrat! Për të arritur ndryshimin, duhet parë nga vetja. Nuk mund të tejkalosh kapacitetet e aftësitë personale, sepse më pas, kthehesh në një matës dhe tregues të qartë të stereotipit që thua se po lufton.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: