Nga: Roland QAFOKU

2010, 2011, 2012, 2013, 2015, 2017: Tani duhet të gjejmë vitet kur nuk kemi patur përmbytje dhe jo e kundërta. Shqipëria po paguan haraçet e asaj çka bëri këto 27 vjet. Asaj çka i ka bërë natyrës, tokës, lumenjve, përrenjve, liqeneve dhe rezervuarëve. Gjithë këtë papërgjegjshmëri, natyra na e kthen siç e meritojmë. Por më shumë se shiu dhe uji i të gjithë lumenjve që rrjedhin, pushtetarët tanë vazhdojnë të konsumojnë kaq shumë politikë.

Nuk ka asnjë vend në botë që, në një fatkeqësi natyrore, politikanët të dalin në ekran më shumë se të dëmtuarit, politikanët të flasin e të flasin nga mëngjesi në darkë, të deklarojnë publikisht për çdo situatë, në çdo rrethanë dhe për çdo detaj, duke lënë të kuptojnë se vërtet natyra e dëmtoi vendin, por ata janë Zeusi që mposhtin edhe natyrën, se ata janë shpëtimtari dhe askush tjetër. Janë më se të mjaftueshme përmbytjet e viteve të fundit, për të konfirmuar se liderët politikë kanë bërë aq shumë politikë, sa akuzat dhe kundërakuzat e hedhura, ngjajnë si të jemi në fushatë elektorale. Ja çfarë thoshte Edi Rama, kryetar i PS-së, dhe në opozitë në vitin 2010, në përmbytjen e parë të madhe që ka ndodhur në Shqipëri.

“Përmbytjet në Shkodër, janë shëmbëlltyrë të dështimit të kryeministrit Berisha. Qeveria nuk mori masat e duhura për parandalimin e përmbytjeve. Përmbytjet nuk vinë për shkak të fatkeqësive natyrore, nuk ndodhin për shkak të Zotit, nuk ndodhin për shkak të harbimit dhe çmendurisë së lumenjve, por nga mungesa e ndërhyrjes në argjinatura. E dhimbshme dhe aq qesharake të shikoje që në Torrovicë, ishte vetëm zv/ministri i Kulturës. Shqipëria nuk qeveriset, sepse nuk ka në këtë vend një qeveri të shqiptarëve, por ka vetëm një çetë të kusarëve. Qeveria ka fshehur dëmin real”. (Shkurt 2010, Edi Rama, kryetar i PS-së, për përmbytjet në Shkodër, më 2010)

Dhe ja përgjigja e kryeministrit Berisham për akuzat e Edi Ramës.

“Gjatë viteve 2005-2013, në të gjitha rastet e përmbytjeve, kudo që kanë ndodhur në Gjirokastër, Korçë, Fier, Vlorë, Laç, Lezhë, Shkodër, është shpallur gjendje e emergjencës civile dhe janë dëmshpërblyer pa asnjë përjashtim. Nga të gjitha zonat, Shkodra u përmbyt tri herë dhe të përmbyturit e Shkodrës, janë dëmshpërblyer në tre përmbytjet, si asnjë herë më parë. Por në përmbytjen e tretë, ju dha një pjesë, kurse për pjesën tjetër detyrimi nuk u shlye dhe shteti i mbeti borxh qytetarëve. Për këtë borxh, shteti u dha secilit qytetar të përmbytur, dokumentin e detyrimit që kishte ndaj tyre. Pse kjo? Sipas ligjeve të vendit dhe konkretisht ligji të digave, që autorizon pronarin e digave të hapë portat në raste rreziku, pra të përmbyte në zonën nën digë, e detyron pronarin e digave, në rastin konkret, ndërmarrjen publike e KESH, të dëmshpërblejë të gjithë pasojat e përmbytjes. Në atë periudhë, KESH-i kishte pafundësi financiare të dëmshpërblente. Ne vitin 2013, sapo situata financiare e KESH u përmirësua, qeveria i kërkoi KESH-it të fillonte dëmshpërblimin e të përmbyturve dhe kjo ndodhi. Pas ardhjes në pushtet, Edi Rama nuk e detyroi KESH-in të shlyente detyrimet ndaj të përmbyturve dhe vazhdoi serinë e mashtrimeve”. (Sali Berisha, kryeministër, 2005-2013)

Duket që përmbytja e 30 nëntorit dhe 2 dhjetorit të këtij viti, pati një qasje tjetër politike, e megjithatë nuk shpëtoi dot nga politika. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, duhet përshëndetur që dha mirëkuptimin për ndërprerjen e seancës së të enjtes, në mënyrë që qeveria të menaxhonte situatën, por pavarësisht kësaj, gjatë daljes në terren, edhe Basha nuk i shpëtoi traditës së të bërit politikë.

“I bëj thirrje Edi Ramës, të mos e shohë situatën nga asfalti i autostradës, siç më thanë banorët se ka bërë me Fushë-Krujën, por të shkojë pranë njerëzve, t’i ndihmojë me ushqime, me veshje dhe me strehim. Në Fushë-Krujë, pata rastin të falënderoj dhe të shpreh mirënjohjen, për ushtarët dhe policët që po sakrifikojnë prej 3 ditësh, për të shpëtuar jetën e njerëzve”. (Lulzim Basha, 1 dhjetor 2017)

Përgjigjja e kryeministrit Rama, është unikale. Ndoshta i vetëdijshëm se Basha nuk po bën atë që ai bëri kur ishte vetë në opozitë, ka bërë një falënderim, duke prishur rregullin e traditës së politikës shqiptare. Ja çfarë shkroi Edi Rama, kryeministër, për Lulzim Bashën, kryetar të PD-së:

“Gjithkush prej nesh mund të bëjë punë të mira dhe kur dikush e bën një punë të mirë, sado e vogël a e madhe qoftë, duhet falënderuar e respektuar për atë punë, pavarësisht nëse në jetën e përditshme, mendojmë njësoj a mendojmë krejt ndryshe”. (3 dhjetor 2017, Edi Rama, Kryeministër)

Por a kemi të bëjmë me një politikë tjetër, mes dy liderëve, Rama dhe Basha, ndryshe nga ajo që bënte dikur Sali Berisha me Fatos Nanon, apo ka ndryshuar vetëm forma, sepse përmbajtja e konfliktit është i njëjtë? Do ishim shumë të lumtur, që vërtet të kishte ndryshuar, por të gjithë jemi të bindur se nuk është kështu. Ndoshta forma, ndoshta mund të jetë që përvoja e Ramës dikton Bashën të sillet pak më ndryshe. Por jemi të bindur që, kryeministrit i intereson një opozitë e butë dhe kreut të opozitës i intereson një shumicë që gërryen vetveten. Dhe kjo sjellë dilemën: Më mirë sjellja refraktare Berisha-Nano, apo dueli politik i sheqerosur Rama-Basha? Përgjigjja është e thjeshtë: Nga përmbytja vijmë, në përmbytje shkojmë, por “fushata” vazhdon./AFP

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: