Në emisionin “Politika Online” nga gazetarja Marsela Karapanço në Gsh.al këtë javë ishte e ftuar ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu.

Me statusin e një detyre të re, atij të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bregu zbulon se aplikimin për këtë detyrë, e ka bërë më herët se përfundimi i mandatit të saj në Parlament, kohë kur ishte e vetëdijshme se mund të mos merrte një mandat tjetër. Për të nuk ka vend për mërzitje, që urimet e ish-liderit demokrat kanë munguar.
“I thoja miqve të mi, dëgjoni, unë e bëra vetë gati daljen time nga parlamenti, nuk më ndejti goja rehat këto dy-tre vitet e fundit. Por nuk kam asnjë pishman, sepse gjithçka kam thënë, asgjë s’ka rezultuar e pa vërtetë”,- thotëBregu.

Ju uroi z.Basha?
Jo, as nuk e pres

U mërzitët?
Na nxoren jashtë parlamentit, mund të na nxjerrin edhe jashtë partisë. Ka parë historia shqiptare përjashtime nga partia me kohë…

Për Bregun qershori duket vështirë që të mbyllet me një lajm të mirë për Integrimin e Shqipërisë. Teksa radhit veprimet që ende duhet të ndërmarrin Franca dhe Gjermania, ajo zbulon dhe detaje nga takimi me deputetët holandezë pak javë më parë në Tiranë.
“E kishin ndarë mendjen se çfarë do të thonin që përpara. Pak rëndësi kish çfarë po dëgjonin. Një pjesë ishin me situatat tona fantastike “portokalli” në Parlament. Njëri kishte ujin e Bushatit, njëri atë të miellit, njëri me atë tymin artistik të skenës, si “Moulin Rouge” para ca kohësh. Po me këto foto mendoni të na bindni?- thonin holandezët. Kapen me elemente të cilët, ti nuk mund të marrësh peng historinë e një vendi, apo zhvillimin e një vendi nisur nga elementë sporadikë apo ngjarje të një grupi të kufizuar njerëzish”,- tha ajo.

Zhvillimet e fundit brenda politikës e shqetësojnë Bregun, por nuk mendon të këshillojë asnjë tani që parlamentin e sheh nga jashtë. Madje, për protestën e së shtunës së opozitës, ish-deputetja duket se kopjon Lulëzim Bashën. “Unë jam e prirur të mbështes çdo formë normale të protestës demokratike”,- shprehet Bregu.

Do merrni pjesë në protestë të shtunen?
Jam në një detyrë që nuk më lejon. Jam e “vetëngrire”, si Lulëzim Basha

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb