TIRANE-Kreu i Shtetit, Bujar Nishani ka uruar sot homologun e tij të Malit të Zi, Filip Vujanović për ftesën e anëtarësimit në NATO. Në një deklaratë drejtuar mediave, Nishani theksoi se vendimi i sotëm është shprehej besimi të Aleancës dhe Shqipërisë, për përmbylljen me sukses të reformave.

“I nderuar Zoti President,
Vendimi i sotëm i Këshillit të Atlantikut të Veriut për të ftuar Malin e Zi të bëhet pjesë e NATO-s është shprehje e besimit të plotë të Aleancës dhe Shqipërisë për përmbylljen me sukses të reformave të ndërmarra nga vendi juaj në këtë fazë të anëtarësimit.

Shqipëria, si vend anëtare e NATO-s, e ka mbështetur fuqimisht anëtarësimin e vendit tuaj, e bindur se kjo do të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm për Aleancën, por që do t’i vlejë dhe konsolidimit të mëtejshëm të paqes e stabilitetit në rajonin tonë.

Jam i sigurt se, nën udhëheqjen Tuaj Mali i Zi do t’i mbyllë me brenda afatit të parashikuar negociatat e anëtarësimit në NATO, duke u bërë anëtarja e 29-të e kësaj Aleance.
Duke ju përgëzuar përzemërsisht për marrjen e ftesës, Ju siguroj për mbështetjen e Shqipërisë deri në anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në Aleancë.
Miqësisht,
Bujar Nishani””, citohet në mesazhin e urimit të Presidentit, Bujar Nishani.

RAMA: JEMI KRENARË QË KEMI MBËSHTETUR FQINJËT

Kryeministri Edi Rama në një mesazh në rrjetin social “Facebook” e cilësoi një lajm të madh ftesën për zgjerim për Malin e Zi nga NATO. “Një lajm i madh ftesa për zgjerim për Malin e Zi nga NATO. Jemi krenarë që kemi mbështetur fqinjët tanë”, citohet në mesazhin e Ramës. Sakaq, të të njëjtës linjë kanë qenë dhe drejtues të tjerë të politikës.

META: FTESA ME RËNDËSI GJEOSTRATEGJIKE
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, përshëndet vendimin konsensual të Takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Atlantikut të Veriut për të ftuar Malin e Zi në gjirin e Aleancës. Duke e cilësuar ftesën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim si një vendim historik dhe si një konfirmim të politikës së dyerve të hapura të NATOs në shërbim të sigurisë, Meta tha se kjo i shërben stabilitetit dhe të mbrojtjes së vlerave demokratike të vendeve të rajonit tonë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerëson se “NATO dje konfirmoi vendin e natyrshëm të Malit të Zi. Kjo është një ditë e mirë për Aleancën tonë dhe për të gjithë rajonin. Urime edhe një herë popullit mik malazez dhe mirëpresim kontributin e fqinjit tonë në gjirin e familjes së vendeve demokratike euro-atlantike”.

PD: VENDIM HISTORIK PER BALLKANIN PERENDIMOR
Partia Demokratike përshëndet ftesën që NATO i bëri Malit të Zi për të nisur negociatat e anëtarësimit në Aleancë. Ky është një vendim historik jo vetëm për Malin e Zi por për të gjithë Balkanin Perëndimor për të përmbushur vizionin e një Europë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh bindjen se politika e dyerve të hapura e NATO-s do të vazhdojë të jetë një nga nxitësit kryesore të transformimit dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

MPJ: MALI I ZI NË NATO ME RËNDËSI PËR TË GJITHË RAJONIN TONË
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet Malin e Zi për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, sot, gjatë ditës së dytë të punimeve në Bruksel të Ministerialit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Shqipëria ka qenë dhe mbetet një promotore e fortë e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, pasi integrimi Euro-Atlantik është një vizion për një komunitet më të sigurtë dhe të qëndrueshëm trans-atlantik.

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka një rëndësi gjeostrategjike, jo vetëm për Aleancën, por gjithashtu për të gjithë rajonin tonë, pasi konsolidon arkitekturën e sigurisë në hapësirën e Evropës Adriatike”, thuhet në deklaratën e MPJ.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: