Nga: FATMIRA NIKOLLI

TIRANE – Një mbrëmje, ndërsa nata qe shtruar, ai do të hynte me vrull në një galeri në Dusseldorf. Poshtë një baneri ku shkruhej “Arti do t’ju bëjë të lirë” instaloi një video të ish-liderëve nazistë. Me të, ironizonte në fakt fjalinë e shkruar në hyrje të Aushvic “puna do t’ju bëjë të lirë”. Ironia ndaj fenomeneve, përballja me nazizmin e bënë Sigmar Polke, një nder emrat më në zë të artit të pasluftës. Ndërsa gjermanët kishin qenë ‘symbyllur’, ai kishte ‘parë’.

I lindur në Silezinë gjermano-polake ose në “tokën e askujt” në fillimet e njëzetave, ai do të pikturonte produkte që satirizonin fushatat për pushime luksoze dhe ushqime të përpunuara, e me to, ironizonte statusin që shoqëria iu dha atyre. Stili u quajt realizmi kapitalist, si antitezë e realizmit socialist.

Ndërsa familja e tij, emigroi në Gjermani në vitet 1945, mendohet se i ati, qe punësuar si arkitekt tek nazistët. Nëse ka diçka të vërtetë në këtë, ajo kumbon në punën e tij.

Indinjimi ndaj Fyhrerit, shqetësimi për heshtjen e bashkëkombësve ndaj holokaustit, zënë vend në veprat e tij, ashtu si ndjenjat e fajit, në kokën e tij. Kryqi i thyer (simbol i nazistëve) shihet dukshëm në muralet e Polkes, por edhe në bllokun e tij të vizatimit.

Humori i tij, shpesh është parë ndryshe. “Ajo që është humor mund të interpretohet si cinizëm”, ka thënë kuratorja Kathy Halbreich, ndërsa fliste për ‘rreziqet’ me të cilat përballet ekspozimi i tij. Por ky nuk duket të jetë problem në Tiranë.

“Sigmar Polke krijoi një shije të re të pop-artit europian, i cili në koncept nuk ka vetëm artin, por qëndrimin që të çon në krijimin e tij. Me veprën e tij ai ironizoi mrekullinë ekonomike gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, ironizoi vetë sistemin, realizmin kapitalist dhe artin klasik. Sigmar Polke ishte gjithashtu një artist alkimist i cili ka eksperimentuar me ngjyrat dhe materialet”. Artan Shabani, drejtor i GKA-së, zgjodhi këto fjalë për të prezantuar artistin gjerman, në konferencën para çeljes së ekspozitës, dje në Tiranë. Ajo titullohet “Sigmar Polke-Muzikë me origjinë të panjohur”, e nëse misioni i artit është të nxisë mendime, Polke ia doli të ngrejë pikëpyetje edhe mbi mrekullinë e Gjermanisë postnaziste, edhe mbi realizmin kapitalist, e mandej edhe mbi artin klasik; ai tregoi anën tjetër të medaljes, atë me shpinë nga ne.

Ekspozita prezanton një cikël prej 40 punimesh të vitit 1996, të artistit të njohur gjerman Sigmar Polke (1941-2010). Ajo është konceptuar nga vetë artisti dhe bashkëpunëtori i tij Gotz Adriani. Veprat janë pronë e Republikës Federale Gjermane. Shabani u shpreh krenar që ka në GKA, një artist të madh të pop-artit gjerman dhe botëror.

“Prej fillimit të viteve ’60 ai është marrë me raportin e së vërtetës figurative dhe realitetit, artit dhe të përditshmes. Prej 10 vitesh në Galerinë Kombëtare ndodhet edhe katalogu i kësaj ekspozite”, tha ai. Mandej, Atasheja e Kulturës në Ambasadën Gjermane, Christiane Wolters shënoi se “është bërë një punë e mrekullueshme dhe duket sikur këto vepra janë bërë enkas për Galerinë Kombëtare këtu në Tiranë, një shembull shumë i bukur për bashkëpunimin Shqiptaro-Gjerman”. Çelja e saj, u përshëndet edhe nga drejtuesja e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, Znj.Petra Behlke Campos. “Sigmar Polke, si një nga artistët më të rëndësishëm gjerman, i cili me artin e vet donte të ndryshonte jo vetëm vendin e tij të lindjes, por mbarë botën, përshtatet më së miri në kontekstin shqiptar”, tha ajo. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 shkurt 2015.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: