TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka folur ditën e sotme lidhur me emërimin në poste kyçe drejtuese të vendit, të personave me të kaluar kriminale. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Pollo është ndalur tek rasti i Klement Balilit, rast të cilin ai thotë se PD e kishte denoncuar që në 2014.

Pollo tha se komisioni hetimor për ligjshmërinë e emërimeve në administratë, të cilin ai e kryeson, ka dërguar në polici një listë me 130 persona me të kaluar penale që janë emëruar në poste kyçe.

“Pjesa e fundit të deklaratës së policisë është e politizuar. Nuk hedh kush balte mbi policinë, por hidhet dritë mbi ata që kryejnë vepra penale. Elementë të tillë janë emëruar gjithandej në poste kyçe. Kryesoj komisionin hetimor për ligjshmërinë e emërimeve në administratë, dhe kemi dërguar një listë me 130 persona me të kaluar penale që janë emëruar në poste kyçe, një ndër ato emra ishte Klement Balili.

I kemi patur gjithmonë kriminelët në vend, po ishin në vendin e tyre, jo në parlament apo administratë. Banditët u ngritën në nivele të larta. Në 2014, Arben Ristani e kishte denoncuar. Por asnjë nuk u bë. Ta zëmë se Rama e Meta nuk dinin kush ishte dhe e emëruan, por pasi u bë denoncimi, nuk kishin 2 vite kohë të mjaftueshme për të vepruar. Ata po heqin për teka partiake persona të caktuar nga detyrat e tyre, e jo më të vepronin për këtë rast. Nuk gjenin dot një person tjetër brenda partisë që të ishte me i besueshëm dhe pa precedentë”, tha Pollo.

Sipas deputetit demokrat lajme të tilla të publikuara edhe në mediat europiane, dëmtojnë imazhin e vendit.

“Por kur rasti i Balilit nga Saranda përfundon në gazetat euriopiane e CNN, çfarë imazhi i kemi bërë ne vendit. Kemi hyrë në një stad tjetër të ekspozimit dhe prerjeve të lidhjeve të segmenteve të qeverisë aktuale me krimin. Ky i sotmi ishte një rast”, vijoi ai.

Më tej, Pollo u ndal tek mbledhja e grupit parlamentar të PD i zhvilluar sot në praninë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, ku u diskutua për reformën në drejtësi. Pollo tha se PD është gati të votojë 50 % të draftit të reformës, pos sipas tij, gjysma tjetër ka nevojë për përmirësime.

“Mungesa e reformës në drejtësi i ka shtrirë dorën kryeministrit dhe ministrave që të firmosin koncesione që u marrin miliona para shqiptarëve. Reforma në drejtësi duhet, por duhet të jetë e mirë. Ka disa drafte që kanë ardhur në përmirësim. Ky që është paraqitur ka shumë gjëra të mira. 50% të tij PD është gati ta votojë që nesër. 50% ka nevojë për përmirësim.

Mbledhja e sotme qe një diskutim i hapur dhe i dobishëm, me praninë e ambasadorëve. Synohet të realizohet një reformë e mirë në drejtësi. Sistemi i drejtësisë duhet reformuar”, u shpreh Pollo.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: