NGA RUDINA HOXHA*

Ministria e Mbrojtjes polake shpreh interesin e saj për propozime të mëtejshme bashkëpunimi nga ana e palës shqiptare në fushën e mbrojtjes. Drejtuesi i Departamentit të NATO-s dhe BE-së në Ministrinë polake të Mbrojtjes, z. Ziemowit Waligora, nënvizon në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” se, “mesazhi im për Shqipërinë është se kur vjen puna te siguria dhe mbrojtja, ne jemi të hapur për bashkëpunim. Po përpiqemi të bashkëpunojmë me ju dhe të gjejmë disa fusha të përbashkëta për t’i shërbyer sigurisë ndërkombëtare. Nëse keni propozime, ju lutem, hajdeni t’i diskutojmë”. Sipas z. Waligora, të dyja vendet po përpiqen të rrisin kapacitetet e ushtrive respektive dhe në këtë aspekt, të dyja vendet mund të bashkëpunojnë shumë mirë.
Rreth 16 vite në NATO tashmë. Si po kontribuon Polonia në situatën aktuale të sigurisë në botë?
Problemi me të cilin po ballafaqohemi tani është një situatë komplet e re strategjike do të thosha unë, me të cilën NATO po ballafaqohet. Kriza në Ukrainë e ndryshoi radikalisht perceptimin e situatës së sigurisë nga ana e NATO-s. Polonia sigurisht është në anën e atyre që janë në favor të planit të mbrojtjes së NATO-s. Ne besojmë se kriza aktuale duhet të ndikojë perceptimin tonë mbi kërcënimin në një perspektivë afatgjatë. Ne duhet të nxjerrim mësime nga situata aktuale. Po shohim atë që po ndodh në Ukrainë dhe mendojmë se është diçka që ka ndryshuar mënyrën e mendimit dhe të veprimit. Kjo është diçka që nuk duhet ta neglizhojmë në aspektin e planifikimit të NATO-s. Duhet ta marrim seriozisht në konsideratë në ndërtimin e strukturës së forcave në të ardhmen. Kjo ishte diçka që u reflektua edhe në konkluzionet e samitit të NATO-s në Newport, Uells vitin e kaluar. Gjatë këtij samiti, disa elementë të rëndësishëm u adoptuan. Ato janë më së shumti në të njëjtën linjë me mënyrën tonë të të menduarit sa i takon situatës së re të krijuar. Ne jemi të kënaqur me hapat e marra nga NATO në këtë aspekt dhe vlerësojmë përpjekjet e Aleancës për të sjellë disa forca këtu, konkretisht një prezencë më të madhe të forcave amerikane, franceze, kanadeze e të tjera. Perceptimi ynë është se në sajë të këtyre ngjarjeve, ne kemi një NATO më të konsoliduar tanimë në krahasim me disa vite më parë.
Cilat janë mundësitë që Polonia do të mund të kapë në samitin e radhës, që mblidhet këtu në vendin tuaj në 2016?
Ne e shohim këtë si një aktivitet shumë të rëndësishëm për shumë arsye. Pikë së pari, kjo do të jetë hera e parë që Polonia organizon një samit të tillë që nga hyrja në NATO. Faktori i dytë është që ne e shohim këtë si një zhvillim të rëndësishëm në diskutimet lidhur me temën se si NATO duhet të transformohet. Vendimet dhe masat që u morën në samitin e kaluar në Newport duhet të plotësohen në Varshavë në 2016. Nga aspekti ynë, elementët finalë të këtij procesi adaptimi do të plotësohen në Samitin e Varshavës.
Si e shikoni Ballkanin, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria?
Ballkani ka qenë gjithnjë i rëndësishëm kur vjen puna te politika e sigurisë dhe mbrojtjes sonë. Që nga hyrja në NATO, prezenca jonë ka qenë e gjithmonshme në këtë rajon. Është kyç për sigurinë europiane. Pa një Ballkan të qëndrueshëm, nuk mund të themi se BE apo NATO janë të sigurta. Për këtë arsye, ne vazhdimisht përpiqemi të kontribuojmë për paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni. Në kuadrin e NATO-s, ne jemi të pranishëm në KFOR me 250 forca dhe kjo është prania më e madhe e forcave që kemi jashtë. Ne kemi një prani të madhe forcash në Kosovë dhe nuk kemi plan të bëjmë ndryshime në këtë aspekt. Shpresojmë që Bosnja të qëndrojë e bashkuar dhe e qëndrueshme. Kjo është shumë e rëndësishme në perceptimin tonë për Ballkanin. Ne patjetër që mbështesim zgjerimin e EU dhe NATO-s kur vjen puna tek Ballkani dhe shpresojmë që ky proces të vazhdojë. Ne jemi gati të ndajmë eksperiencën me ato vende të Ballkanit që nuk janë ende pjesë e BE-së apo e NATO-s.
Po midis dy vendeve tona, si shkon bashkëpunimi në fushën ushtarake?
Do të thosha që është i limituar fatkeqësisht, sepse ne shohim mundësi për bashkëpunime. Kemi pasur një atashe ushtarak në Tiranë për tri vite me radhë, por kjo zyrë u mbyll, sepse nuk kishte shumë projekte për të zbatuar. Por ne shohim mundësi. Dhe dua tua transmetoj këtë mesazh autoriteteve shqiptare nëpërmjet kësaj interviste, që nëse ka ide për bashkëpunime, ne jemi të hapur. Fatkeqësisht, ne nuk jemi të angazhuar me ndonjë projekt për momentin.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: