TIRANË- Për protestën e opozitës, PD dhe LSI-së të organizuar më 18 dhjetor ka nisur tashmë hetimet prokuroria e Tiranës. Gazetari i njohur Artan Hoxha i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 thotë se edhe vetë kryeprokurorja Arta Marku duhet të ndihmojë në hetime, pasi ishte prezente në vendngjarje.

Duke treguar detaje nga hetimet, si për ngjarjet e ndodhura brenda Kuvendit ashtu edhe për ato jashtë tij, Hoxha sqaroi se përveç gjashtë protestuesve të arrestuar, pritet edhe arrestimi i 20 të tjerëve.

“Arta Marku ishte edhe Kryeprokurore edhe dëshmitarë okulare, pasi seanca e betimit të saj u kthye në një vendngjarje. Mund të them se atë ditë është shkelur legjislacioni jashtë dhe brenda Parlamentit, prandaj zonja Marku duhet t’ju japë mbështetje prokurorëve që janë duke hetuar protestën në Tiranë. Kjo është një nga ato ngjarje që duhen marrë masa që të mos përfundojmë si Kosova. Prokuroria e Tiranës po heton në lidhje me këtë çështje, gjykata dha sot masën për 6 persona. Dua të përmend një fakt. Në 21 janar personat e arrestuar ishin nga Veriu ndërsa tani nga Jugu. Kjo do të thotë se organizatorët e protestave e kanë ndarë mendjen, është përdorur e e njëjta taktikë, i zgjedhin protestuesit nga rrethet. Atë ditë ka pasur sulm ndaj policisë dhe nga informacionet që unë kam po identifikohen edhe persona të tjerë aktivë. 20 të tjerë janë identifikuar tashmë dhe pritet të ndodhë arrestimi i tyre. Për protestën ka pasur informacione edhe nga SHISH që do të ketë përplasje, por jo deri në këtë fazë. Edhe pse pjesëmarrja nuk ishte shumë e madhe policia e ka pasur të vështirë të menaxhojë situatën sepse në krye të sulmit kanë qenë persona me imunitet, kryesisht deputetë të opozitës. Në protestë janë pikasur edhe individë me precedent penal. Prandaj them që Prokuroria duhet ta çojë deri në fund hetimin, aq më pak që Kryeprokurorja e re ishte prezente në sallën ku iu mjegullua betimi”,- shtoi Hoxha, raporton “BalkanWeb”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: