TIRANE – Posta Shqiptare nuk bie dakord me vendimin e fundit të qeverisë për të tatuar të gjitha blerjet online mbi 22 euro. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Posta Shqiptare thekson se ‘qëndrimi i saj ka qenë dhe mbetet se “tregtia online” duhet inkurajuar, duke rritur pragun e përjashtimeve doganore’.

Por në kushtet e vendimmarrjes së re, me uljen e tavanit për përjashtimin nga detyrimet doganore në 22 euro për blerjet online dhe 45 euro për dërgesat nga individët jashtë vendit, Posta Shqiptare do të fillojë nga java e ardhshme procedura të reja lehtësuese për gjithë klientët.

Posta Shqiptare do të mundësojë nga data 22 gusht kryerjen pranë zyrave të saj edhe të procedurës së plotësimit të deklaratës së thjeshtuar doganore dhe arkëtimit të detyrimit doganor, kundrejt një tarife modeste krahasuar me agjensitë private doganore dhe pagesat doganore në sistemin bankar.

DEKLARATA E PLOTE E POSTES SHQIPTARE
Posta Shqiptare, duke marrë shkas nga vendimi i fundit i qeverisë, në lidhje me uljen e tavanit për përjashtimin nga detyrimet doganore, në 22 euro për blerjet online dhe 45 euro për dërgesat nga individët jashtë vendit, e marrë kjo me iniciativë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sqaron opinionin publik dhe të gjithë klientët, që qendrimi i saj ka qenë dhe mbetet se “tregtia online” duhet inkurajuar duke rritur pragun e përjashtimeve doganore si një tendencë botërore, e cila redukton kostot dhe kënaq pritshmëritë dhe nevojat e konsumatorit vendas.
Gjithashtu “tregtia online” përbën një fluks të ardhurash të konsiderueshme për Postën Shqiptare (si shoqëri tregtare publike) siç është edhe për operatorët global postar.

Gjithsesi, në kushtet e kësaj vendimmarrje të re, Posta Shqiptare duke vlerësuar edhe interesin më të mirë të qytetarëve për të reduktuar burokracitë dhe kostot proceduriale, duke filluar nga java e ardhshme do të inicioj procedura të reja lehtësuese për gjithë klientët, duke mundësuar kryerjen pranë zyrave tona edhe të procedurës së plotësimit të deklaratës së thjeshtuar doganore dhe arkëtimit të detyrimit doganor kundrejt një tarife modeste krahasuar me agjensitë private doganore dhe pagesat doganore në sistemin bankar.

Nga data 22 gusht, për të gjitha objektet postare të ardhura nga jashtë vendit dhe të ndaluara nga përfaqësuesja e autoritetit doganor (e atashuar në Filialin e Qendrës Tranzitë), qytetarët mund të zgjedhin Postën Shqiptare për realizimin e procedurës doganore, duke mos pasur më detyrimin për të ardhur në Tiranë, por të paraqitjes pranë zyrave postare në qytetet ku ata janë banues, për të kryer veprimet e zhdoganimit, pagesën e tyre dhe për të tërhequr objektet postare

Shpresojmë në bashkëpunimin e frytshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në lidhje me këtë procedurë të re.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb