Katërmbëdhjetë kampe të reja pranimi për refugjatë do të krijohen javët e ardhshme në Greqi, pasi dhjetëra mijëra vetë janë bllokuar në kufirin maqedonas. Por jo të gjithë grekëve u pëlqen kjo politikë.

Puna do të ecë me shpejtësi me ndihmën e ushtrisë, e cila që prej fundit të shkurtit punon me vrull të madh për ndërtimin e kampeve të reja të pranimit të refugjatëve. Që në vitin 2015, qeveria e majtë greke pati premtuar se deri në fund të vitit do të hapte vende për 50.000 refugjatë, por pa e arritur këtë.

Që në kohën e fushatave elektorale, partia e Majtë Syriza e kryeministrit Alexis Tsipras bubullonte kundër politikës frenuese ndaj refugjatëve të kryeministrit të atëhershëm konservator, Antonis Samaras. Dhe vetëm pak javë pas kthesës për nga e majta në Greqi, kampi më i madh dhe i tejmbushur i pranimit të refugjatëve në periferinë e Athinës Amygdaleza u mbyll. Ministri i Mbrojtjes Civile, Jannis Panoussis premtoi atëherë se do të ngrinte urgjentisht “qendra të mikpritjes”, në të cilat do të mbizotëronin “kushte njerëzore.”

Me hapjen me shpejtësi të kampeve të reja për refugjatë, Tsipras guxon tani të marrë një kthesë drejt një qendrimi më realist, beson Jorgos Tzogopoulos, bashkëpunëtor i Qendrës Kërkimore të Athinës ELIAMEP, në bisedë me DW. Për kryeministrin e majtë në fund të fundit nuk ka alternativë tjetër veç ngritjes së strehimeve të emergjencës për refugjatët dhe migrantët. Ai nuk beson se do të ketë kryengritje për këtë shkak brenda Syrizas. “Nuk e besoj, sepse për situatën e vështirë të tanishme bëhen përgjegjës të tjerë, pikërisht shtetet e Vishegradit dhe Turqia.” thotë Tzogopoulos.

Banorët protestojnë
Por jo të gjithë janë dakord me aksionet e shpejta të ndërtimit. Në fundjavë, policia e Athinës shpërndau për herë të parë njerëzit në sheshin Viktoria, i cili muajt e fundit qe kthyer në një kamp të hapur dhe pikë takimi për refugjatët dhe migrantët nga e gjithë bota. Familje të tëra me refugjatë u transportuan në kampet e pranimit. Sipas të dhënave të qeverisë, aksioni i policisë ishte një përpjekje për të shkatërruar biznesin e trafikantëve të njerëzve, që mblidheshin aty. Por kryetari socialdemokrat i bashkisë së Athinës, Jorgos Kaminis e pati paraqitur lirimin e Sheshit Viktoria si kusht, që të vinte në dispozicion hapësira për strehimin e refugjatëve.

Në të gjithë vendin do të ngrihen tani të ashtuquajtura hotspots, qendra për regjistrimin dhe pranimin e refugjatëve. Por nga e thëna në të bërë është një rrugë e gjatë. Kur në fshatin Athyron të Greqisë së Veriut u mor vesh se autoritetet lokale i vunë në dispozicion ushtrisë një tokë prej dhjetë hektarësh, për të ngritur një kamp refugjatësh, banorët ndërmorën një aksion të pazakontë proteste: pas Perëndimit të diellit ata e pluguan të gjithë tokën, me pasojë që ara u bë krejt e papërshtatshme si tokë ndërtimi.

Por ka edhe shembuj të kundërt: në qytetin Kozani të Maqedonisë Perëndimore, kryetari i bashkisë Levteris Ioannidis tregohet veçanërisht mikpritës. Ai ngriti në mes të shkurtit në një kohë rekord një kamp pranimi për 150 vetë. “Brenda pak orësh ne arritëm të krijojmë mundësi strehimi në një palestër dhe të pranojmë atje refugjatët e parë”, deklaroi Ioannidis në një intervistë televizive.

(m.k/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: