ITALI – Një operacion antidrogë mes policisë shqiptare dhe asaj italiane ka çuar në arrestimin e 2 shtetasve shqiptarë në Itali.  Si pjesë e operacionit janë sekuestruar edhe 217 kg drogë.

Policia kufitare kishte dyshime se shqiptarët të cilët udhëtonin me traget nga Vlora merreshin me  aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve në territorin italian.

Autoritetet italiane i mbajtën nën vëzhdim shqiptarët dhe i arrestuan duke iu gjetur edhe drogen afër banesës së tyre

Dy shqiptarët jetonin në zonën e Leçes në një banesë me qera. Në oborrin e brendshëm të saj kishin mbjellë bimë të larta dhe poshtë tyre mbanin të fshehur pakot me kanabis

Njoftimi i policisë

Një operacion i përbashkët mes Policisë Kufitare dhe forcave Policore Italiane ka sjellë në kapjen dhe sekuestrimin e një sasie prej 217 kg lënde narkotike e llojit marjuanë në zonën e Leçes.

Janë arrestuar në flagrancë për posedim të lëndës narkotike dy shtetas shqiptarë me banim në Itali.

Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe në kohë reale ka nisur një veprimtari policore e mirëfilltë me shkëmbim informacionesh për persona të dyshuar për veprimtari të trafikut të paligjshëm të cilët operojnë në shtetin italian.

Bazuar në informacionet e dërguara në rrugë operative nga Policia  Kufitare Shqiptare nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Policisë Shqiptare  në Itali, policisë italianë  (shërbimit antidrogë, Policisë së Kufirit të Zonës 9 dhe Guardia di Finanza të Pulias), u bë i mundur arrestimi i shtetasve me iniciale  B. K.  37  vjeç dhe A.D. 26 vjeç , të cilët ishin në përgatitje të trafikimit të lëndës narkotike në zonën e Leçes, Itali.

Janë në vijim veprimtaritë policore dhe hetimore për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre.

Kjo veprimtari dëshmon se bashkëpunimi dhe koordinimi me forcat policore italiane nuk kufizohet vetëm në goditjen e trafikut në det, por edhe në brendësi të territorit qoftë ky në Shqipëri apo në Itali

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: