NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Faza e dytë e pranimeve në universitet do të jetë jo vetëm më kaotike se e para, por rrezikohet të shoqërohet edhe me mungesë transparence. Kjo gjë është sqaruar nga eksperti i arsimit si dhe një njohës shumë i mirë të maturës shtetërore, pasi ka qenë shef i monitorimit të cilësisë së maturës shtetërore për shumë vite, Ndriçim Mehmeti. “Nuk ka asnjë siguri që maturanti me arritje të larta të sigurojë regjistrimin në preferencat që dëshiron. Dhe veç asaj, në pikën 13 të udhëzimit parashikohet një tjetër proces regjistrimi, i cili shkakton konfuzion dhe mungesë transparence, pasi përcakton se sekretaritë do vijojnë regjistrimin deri në plotësimin e kuotave”, thekson Mehmeti, sipas të cilit zgjidhja e ngërçit është amendimi i udhëzimit nr.13

Zoti Mehmeti, si ekspert i arsimit dhe i maturës shtetërore në veçanti, mund të na thoni arsyet përse po ndodh kjo situatë me maturantët dhe pranimet në universitet?
Tri janë arsyet përse është shkaktuar ky kaos me maturantët. E para është se ndryshuan rregullat e lojës me bërjen e maturës dalëse dhe maturantëve nuk iu bënë të ditura kriteret e reja, sa favorizoheshin dhe sa penalizoheshin. Arsyeja e dytë është se Formulari i Aplikimit nuk u bazua në meritë dhe preferencë, por në vënien kuturu të 10 preferencave dhe tashmë kemi pak fitues, të cilët kanë zënë një përqindje të madhe të kuotave të pranimit. Dhe e treta është fakti se, për maturantët u zerua rezultati i 3 viteve, nuk u përllogarit në përputhje me koeficientet dhe formulën me të cilën maturantët mësuan, studiuan për tri vite dhe ishin gati të konkurronin.

Si e gjykoni, ju përse u bë kjo gjë, apo është thjesht e pamenduar mirë nga Ministria e Arsimit?
Kjo nuk është vetëm besëprerje, por një rrëmujë e organizuar me qëllimin e vetëm për të shkatërruar MSH dhe gjoja për t’u dhënë më shumë autonomi universiteteve.

Drejtues të MAS, por edhe kryeministri Rama u janë drejtuar maturantëve duke u thënë se kanë shumë shpresë në raundin e dytë, ju si e shikoni këtë raund të dytë?
Faza e dytë e aplikimit në universitete është po aq e pasigurt sa faza e parë. Kaosit që ka përfshirë fazën e parë të regjistrimit në universitet, i shtohet edhe errësira për mënyrën sesi do të shkojë faza e dytë e aplikimit. Kjo ndodh për faktin se raundi i dytë nuk siguron domosdoshmërish hyrjen, regji-strimin e maturantëve që kanë mbetur pa u regjistruar. Nuk ka asnjë siguri që maturantët me arritje të larta, të sigurojnë regjistrimin në preferencat që ata dëshirojnë. Dhe veç asaj, në pikën 13 të udhëzimit parashikohet një tjetër proces regjistrimi, i cili shkakton konfuzion dhe mungesë transparence. Maturantët nuk do të arrijnë të njoftohen në kohë për vendet e mbetura bosh, pasi ata do të njoftohen gjatë fillimit të fazës së dytë të aplikimit, por nuk përcaktohet asgjë se si do bëhet për kuotat bosh të fazës së dytë. Rrezikohet shumë që maturanti në panik për mundësinë e humbjes së të drejtës së shkollimit, të përzgjedhë një program studimi që nuk është në preferencën e tij, por thjesht e bën student.

Zoti Mehmeti, përse rrezikohet zvarritja e procesit?
Ka të ngjarë që sikurse në fazën e parë, edhe në të dytën një maturant të dalë fitues në më shumë se një program studimi. Normalisht që kjo do sjellë zvarritje dhe kuota të mbetura bosh në mënyrë ciklike. Po ashtu, maturantët vijojnë të mos jenë të qartë se cilat janë shanset e tyre në fazën e dytë.

A do të ketë një fazë të tretë regjistrimesh?
Udhëzimi nr.13 e çon procesin e regjistrimeve deri më datë 20 tetor. Kjo do të thotë që lihet shtegu për një fazë të tretë regjistrimesh për vendet e mbetura bosh, që do krijohen edhe në fazën e dytë, edhe pse nuk thuhet shumë e qartë në udhëzim, por thuhet se sekretaritë mësimore do vijojnë regjistrimin deri në plotësimin e kuotave, duke respektuar renditjen në lista. Nga ana tjetër, data 20 tetor rrezikon fillimin e vitit të ri akademik për programin bachelor në fund të tetorit apo fillim nëntori, ndërsa programi master një muaj më vonë. Procesi sa vjen dhe bëhet më i paqartë, përkundër zotimeve se ai do të qartësohet rrugës.

Cili mendoni ju se do e zgjidhte këtë ngërç që është krijuar?
Amendimi i udhëzimit nr. 13 do ishte pa diskutim zgjidhja e këtij ngërçi. Po ashtu, do sugjeroja shkurtimin e afateve për regjistrim të maturantëve në universiteteve, krijimi i mundësisë së një raundi të tretë për të shfrytëzuar çdo kuotë të mbetur bosh në favor të maturantëve që kërkojnë të shkollohen dhe plotësojnë kriteret për shkollim në universitet; fleksibilitet i MAS për periudhën e regjistrimit në universitete, si dhe një transparencë më të madhe të procesit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: