NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Pjesë e garës në univer sitet për kuotat bosh në këtë fazë të dytë janë bërë 20.346 kandidatë, të cilët kanë plotësuar formularin e aplikimit deri ditën e djeshme më 30 shtator. Sa u përket kuotave të lira në universitetet publike në këtë fazë janë mbi 16 mijë kuota. Ndër të tjera, Agjencia Kombëtare e Provimeve njofton të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në universitetet publike dhe private të vendit se do të kenë afat edhe sot, më 1 tetor 2016 që të bëjnë aplikimin online nëpërmjet formularit të aplikimit.

AKP e ka shtyrë afatin edhe një ditë më shumë, duke u dhënë mundësi të gjithë maturantëve që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aplikimin online, të bëhen pjesë e garës për në universitet. Ky është shansi i fundit jo vetëm për ata studentë që do të aplikojnë në 12 universitet publike, por edhe për ata që duan të ndjekin studimet në universitet private.

APLIKIMI

Data 1 tetor është dita e fundit që portali “Matura shtetërore online” do të jetë hapur për t’u dhënë mundësi të gjithë maturantëve të plotësojnë formularin e aplikimit në universitete. Maturantët në këtë formular kanë të drejtën të zgjedhin 10 programe studimi. Edhe ata maturantë që duan të ndjekin shkollën e lartë në një nga 22 universitetet private në vend, duhet patjetër të bëjnë plotësimin e këtij formulari, pasi në të kundërt nuk do të mund t’i ndjekin studimet.

Të drejtën të aplikojnë ditën e fundit e kanë vetëm ata kandidatë që e kanë kryer pagesën prej 2 mijë lekësh dhe e kanë notën mesatare dhe të dhënat e tjera të shkollës së mesme në sistem. Në portal aplikojnë veç maturantëve që kanë mesataren mbi 6, edhe ata me mesataren nën 6, këta të fundit kanë të drejtë të aplikojnë vetëm për programe mësimore 2-vjeçare me karakter profesional, si në universitet publike, edhe në ato private. Sipas të dhënave zyrtare nga AKPja, deri në mbrëmjen e së premtes janë bërë pjesë e garës në universitet 20.346 kandidatë.

FITUESIT

Në këtë raund të dytë të aplikimeve në universitet, AKP-ja duhet t’u dorëzoje institucioneve të arsimit të lartë listën e aplikantëve brenda datës 4 tetor 2016, së bashku me notat e tri viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e provimeve të maturës. Udhëzimi nr.13 datë 22.07.2016 i MAS përcakton se universitetet shpallin listën paraprake të fituesve brenda datës 6 tetor 2016 dhe pas periudhës së ankimimit, ata shpallin listën përfundimtare të studentëve fitues të raundit të dytë, në datë 12 tetor 2016.

Regjistrimet e fituesve bëhen në online në sekretaritë mësimore me dokumentacionin përkatës deri në datë 16 tetor 2016. Më pas, në pikën 13 të udhëzimit, nga data 16 tetor deri në datën 20 tetor 2016, sekretaritë mësimore vijojnë me regjistrimin e studentëve fitues deri në plotësimin e kuotave për çdo program studimi, duke respektuar renditjen në listë. Në total, në 12 universitet publike në këtë fazë të dytë janë 16.247 kuota të lira, për të cilët po garojnë rreth 20 mijë kandidatë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb