RUSI- Ish-ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Aleksei Uljukajev, është shpallur fajtor për korrupsion nga gjykata “Zamoskvoretskiy” në Moskë, për pranimin e një zarfi me dy milionë dollarë nga pronari i “Rosneft”, Igor Sekini.

Ai u dënua me tetë vite burg dhe punë të detyrueshme, ndonëse Uljukajev vazhdon të pretendojë se është i pafajshëm.

Ky proces ka mbajtur në alarm gjithë median ruse, sidomos pasi ish-ministri u arrestua në hyrjen e selisë moskovite të “Rosneft”-it dhe u gjend me një çantë plot me para.

Sekini, një person shumë i besuar i Putinit, me një të kaluar në shërbimet sekrete (FSB) dhe sipas shumë burimesh drejtues i fraksionit të fajkonjve (një drejtim konservator brenda partisë së Putinit) ka akuzuar Uljukajevin se i morri paratë si shpërblim për miratimin që kishte dhënë për blerjen e “Bashneft”, kompani nafte që në atë kohë ishte në synimet ekspansioniste të Sekinit.

Nga ana tjetër, Uljukajevi, që është anëtar i grupimit të kundërt, pëllumbat liberalë, ka mohuar gjithnjë këtë, duke e përkufizuar arrestimin e tij si një provokim të orkestruar nga Sekini dhe ka theksuar se nuk e dinte që në çantë kishte para, duke menduar se ishte një dhuratë me verë dhe sallam për Krishtlindje.

Sekini, pavarësisht që u thërrit të dëshmonte si akuzuesi kryesor, nuk është paraqitur kurrë në gjykatë për marrjen në pyetje dhe gjykata ka punuar vetëm me depozitimin që ai kishte bërë në fazën fillestare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: