“Panorama Sport” i ka denoncuar ngjarjet e ndodhura në javët e fundit të Kategorisë Superiore dhe jo më kot ato janë etiketuar si javë “qokash”, të cilat kanë qenë të pranishme në çdo stadium ku është luajtur. Zërat për lëshime, madje edhe deklarata publike të ndonjë aktori kryesor, siç ishte rasti i kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, nuk munguan edhe në prag të javës së fundit. “Panorama Sport” ka zbardhur një prapaskenë që ka ndodhur para të ashtuquajturit derbi i ri i kryeqytetit, Partizani-Kamza.

Duke ditur se ishin amplifikuar zërat e skenarëve edhe për këtë javë përmbyllëse, zyrtarët e federatës, në mbledhjen e zhvilluar para ndeshjes, u kanë kërkuar përfaqësuesve të dy klubeve që të jenë të kujdesshëm dhe të luajnë futboll të pastër, pasi janë të monitoruar nga UEFA. Pra, presioni nga FSHF ka qenë prezent para këtij takimi të fundit të luajtur në “Selman Stërmasi”.

Klubet janë këshilluar që të luajnë futboll “fair”, pasi ishte një ndeshje nën vëzhgimin e strukturave përkatëse të UEFA-s. Por, skenari i kësaj jave për lëshim, i përfolur në çdo ambient sportiv, nuk kishte lidhje vetëm me ndeshjen e luajtur në kryeqytet, por edhe me sfidën e Korçës, ku Skënderbeu priste Vllazninë. Madje, spektakli me gjashtë gola i dhuruar në Korçë u zhvillua në prani të krerëve më të lartë të FSHFsë, me në krye presidentin Armando Duka, që dha në fund trofeun e titullit kampion për Skënderbeun. Duke iu referuar asaj që ndodhi para ndeshjes në kryeqytet, natyrshëm lind pyetja se zyrtarët e FSHF-së a dhanë të njëjtin udhëzim edhe për përfaqësuesit e Skënderbeut dhe Vllaznisë? Nga ajo që u pa në këto dy ndeshje, zemërgjerë- sia më e madhe dhe e dukshme ndodhi para syve të krerëve më të lartë të FSHF-së në stadiumin e Korçës.

PARASHIKIMI I MZIUT

I ftuar në emisionin “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko në “News 24”, kryetari i Bashkisë Kamzë, Xhelal Mziu, qëlloi sërish me parashikimin e tij para javës së fundit të Superiores: “Dua të them se jemi të bindur që Kamza do mbijetojë, nëse luhet futboll. Jam i bindur që Kamza nuk del pa pikë me Partizanin. Me qytetin tim, unë nuk bëj pazar. Nuk e konsideroj fitimprurës sportin, e shoh vetëm që ta kthejmë në sport masiv për qytetin, t’i shtyj të rinjtë të futen në futboll. Të vendosin baste që Vllaznia del 2-sh në Korçë, sepse ashtu do federata”.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-prapaskena-fshf-presion-partizanit-delegati-para-ndeshjes-monitoroheni-nga-uefa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: