Barazimi i Barcelonës kundër Atletikos së Madridit, nuk përbën aq lajm sa dëmtimi i Lionel Mesit. Lideri i katalanasve në fushën e lojës kërkoi zëvendësim pak minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë, duke shqetësuar jo pak stafin drejtues dhe tifozët. Pas ekzaminimeve u konstatua se ka një problem muskulor në kofshën e këmbës së djathtë, i cili do ta mbajë jashtë fushave për një periudhë 3-javore.

Por, a ishte ky një dëmtim surprizues për “pleshtin”? Jo! Ai ka pasur shqetësime muskulore në kofshën e djathtë që para afro një muaji, por u vendos që të mos lihej pushim. Ishte një guxim i rrezikshëm, por u mjaftuan duke i kërkuar që të mos sforcohet në fushë, por më tepër të ketë rol shërbyesi për Suarezin dhe Nejmarin. Në fakt, kjo nuk e pengoi Leon që të jetë edhe golashënues, duke shfrytëzuat precizonin e saktë në goditje.

Gjithsesi, në ndeshjen kundër Atletikos, Luis Enrike rrezikoi më shumë kurdoherë duke e futur që nga minuta e parë, pasi kundërshtari praktikon një lojë me ritëm të lartë dhe ndërhyrje shumë të ashpra. I detyruar prej mënyrës se si futbollistët madrilenë ushtronin presing sa herë që ai kishte topin në zotërim, bëri që Leo të sforcohet më shumë se herët e tjera.

Pikërisht në momentin që pati edhe një përplasje me Diego Godinin, ai pësoi edhe dëmtimin muskulor. Një problem i menaxhuar keq nga trajneri por edhe vetë futbollisti, që gjatë kësaj kohe kishte kërkuar gjithashtu që të ishte në fushë.

Riaftësimi
Së pari, argjentinasi ka konfirmuar mungesën e tij në ndeshjen e Kombëtares në fillim të muajit tetor. Ndërkohë, nuk do të jetë as në përballjet e kampionatit me Gijonin, Selta Vigon dhe Deportivon, ndërsa në Champions mungon me Mynshengladbahun, por rrezikon edhe atë me Mançester Sitin.

Sa i përket procedurës së riaftësimit, si fillim ai do të qëndrojë një javë pushim absolut, më pas do të ketë 10 ditë fazë riaftë- simi dhe pas tyre do të nisë të praktikohet me topin. Nuk përjashtohet mundësia që, përveç stafit mjekësor të Barcelonës, të asistojë gjatë gjithë kohës edhe përgatitësi personal i Mesit, Marselo d’Andrea, në mënyrë që të monitorohet çdo gjë si duhet.

Statistikat, ja sa ndikon mungesa e “pleshtit” te Barça
Që nga sezoni 2006-’07, Lionel Mesi ka munguar në total në 96 ndeshje te Barcelona, pjesën më të madhe për shkak dëmtimi. Në të gjitha takimet që argjentinasi ka qenë në fushën e lojës, bilanci i katalanasve është prej 70% fitoresh, 19% barazime dhe 11% humbje. Ndërsa golavarazhi është me 2.65 gola të shënuar dhe vetëm 0.8 të pësuar.

Ndërkohë, në takimet ku “pleshti” nuk ka qenë prezent, statistikat janë më negative, por me një diferencë shumë të vogël. Saktësisht janë fituar 66% të dueleve, barazuar 21% dhe humbur 13%. Diferenca e golave është prej 2.3 të shënuar. Gjithsesi, edhe pse argjentinasi ka një rëndësi të madhe në lojë, ngushëllimi i Luis Enrikes është forma e mirë që po kalon Nejmari dhe Luis Suarezi./panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: