Katër komandot e Forcave të Armatosura, Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi do t’i nënshtrohen një gjyqi ushtarak në rast të arrestimit në Britani, vend ku qëndruan pas mbarimit të një trajnimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes bëri kallëzim penal në Prokurori, kjo e fundit ka nisur procedimin penal ndaj tyre dhe ka nxjerrë urdhër-ndalimet që i janë dërguar autoriteteve në Britaninë e Madhe. Pas ndalimit atje, në bazë të marrëveshjes mes dy vendeve, do të ekstradohen në Shqipëri.

Gjeneral Jeronim Bazo, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve tha sot në Neës24 se dezertimi i 4 komandove është një akt personal i tyre. Sipas tij, ata janë në zinxhirin fundor të piramidës në kuptimin e hierarkisë së gradave. “Janë më të rinj dhe janë ushtarë profesionistë, ende jo duke hyrë në të ashtuquajturën karrierën e gradave, qoftë të oficerëve, qoftë të nënoficerëve. Këta kanë objektiva afatshkurtër edhe kur hyjnë në FA dhe kjo mbase i bën më vulnerabël dhe çedojnë më shpejt”, tha Bazo. E me sa duket braktisja e detyrës ka qenë e menduar nga 4 ushtarakët. Kjo pasi burime për “BalkanWeb” thonë se një familjar i njërit prej tyre i ka ndihmuar duke iu premtuar edhe punë.

E me sa duket këta ushtarë profesionistë kishin shkuar me një qëllim të qartë. Gjeneral Bazo tha gjithashtu se në të njëjtën stërvitje, grupi i ushtarakëve nga Shqipëria në vitin 2013 kishte dështuar në stërvitje por ama ishte kthyer në Shqipëri, kurse këtë vit ekipi i përbërë prej 12 ushtarakësh, bashkë me komandantin e grupit doli me sukses në stërvitje, por 4 ushtarët profesionistë nuk u kthyen në Shqipëri.

“Për hir të së vërtetës ky ekip prej 11 vetash në mos gaboj, bashkë me komandantin e tyre doli këtë radhë faqebardhë, e mbylli patrullimin në lartësitë cambrian, ndërkohë katërshja dështoi ose nuk u paraqit në pikën e grumbullimit për t’u kthyer në atdhe”, tha Bazo.

Ata kishin dalë me leje nga reparti në Mbretërinë e Bashkuar për një shëtitje dhe për të bërë pazar por nuk ishin kthyer më, dhe pjesa tjetër e ekipit duke mos pasur asnjë mënyrë komunikimit është kthyer në Shqipëri. Pasi është pritur edhe disa ditë, është dhënë njoftimi për dezertimin e tyre.

Sipas burimeve, 4 ushtarakët rrezikojnë nga 1-5 vjet burg për shkelje të betimit dhe mosparaqitje tek eprorët.

Dy prej prindërve të komandove kanë folur për News24 dhe kanë deklaruar se ata janë detyruar të qëndrojnë në Britaninë e Madhe për arsye ekonomie, pasi paga e tyre ishte shumë e ulët në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: