Nga Dr. Jorgji Kote

Ky është mesazhi i qartë që dha pardje në konferencën për shtyp në Tiranë dhe në aktivitetet e tjera Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn. Në përgjigje të kërkesës së përsëritur të kryeministrit Edi Rama mbi çeljen e negociatave të antarësimit në BE duke vlerësuar arritjet, Hahn kërkoi sërish hapa dhe dëshmi e prova të tjera për realizimin e pesë përparësive tashmë të njohura, me theks të veçantë në zbatimin e vetingut dhe luftën ndaj drogës. Ai e kompensoi mungesën e një date të shpejtë me rikonfirmimin e mbështetjes së BE-së për zgjerimin, duke përfshirë dhe organizimin e një samiti të posaçëm të Ballkanit Perendimor në maj 2018.

Lidhur me çeljen e këtyre negociatave, ndonëse në pamje të parë nuk ka arsye për nxitim, qeveria dhe autoritetet tona përkatëse përballen me një afat që e shton trysninë mbi to; diku në qershor 2019, institucionet evropiane dhe të gjitha vendet antare do t’u nënshtrohen zgjedhjeve të reja për Parlamentin Evropian dhe rikompozimit të tyre deri nga fundi i atij viti; për rrjedhojë, ato do të spostojnë gjithë axhendën, përfshirë dhe zgjerimin e mëtejshëm. Ndaj, këto negociata për ne duhet të fillojnë jo më vonë se fundi i vitit të ardhshëm, ose nga e keqja dhe tremujori i parë 2019, ndryshe do të rrezikohej shtyrja e tyre për në vitin 2020, vit që mund të sjellë të panjohura të tjera si pasojë e zhvillimeve të brendshme në BE.

Ndaj, këmbëngulja e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare në drejtim të caktimit të një date sa më të shpejtë, veçanërisht me certifikimin e zgjedhjeve parlamentare, dhënien e shenjave të para premtuese për zbatimin e reformave gjyqësore, fillimin e procesit të vetingut etj., është e kuptueshme.

Por kujdes! Të shpejtojmë, por jo të nxitojmë, sepse përvoja tregon se kur nxiton, vonon. Duke pasur parasysh objektivin e lartpërmendur kohor, papritur caktimin nga BE-ja të një date që tani për tani duket e vështirë për shkak të procedurave dhe problematikës së saj të njohur, ajo që ne kemi plotësisht në dorë është përcaktimi i një harte rrugore konkrete afatshkurtër, me afat deri në muajin qershor 2019. Kjo përkon edhe me periudhën kur Komisioni Evropian do të bëjë vlerësimin e progresit të secilit vend dhe me samitin e lartpërmendur. Në atë hartë rrugore do të përcaktohen masat dhe hapat konkrete, realizimi i të cilave do të çojë natyrshëm edhe në vendimin përkatës të BE-së për çeljen e këtyre negociatave, pse jo maksimumi brenda vitit 2018.

Për këtë, po jap disa sugjerime dashamirëse si diplomat i përfshirë direkt gjatë 20 viteve të fundit në këtë proces në Ministrinë e Jashtme, në Berlin dhe dy herë në ambasadën/Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel deri muajt e fundit; në drejtoritë përkatëse në ministri ka ekspertë dhe drejtues të aftë, ish- ambasadorë në Bruksel dhe në metropole të tjera të rëndësishme evropiane; së bashku me Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel, i cili vitet e fundit është kompletuar me një staf 100 për qind profesionist nën drejtimin e një titullareje me përvojë e të përkushtuar, ata po bëjnë maksimumin në këtë drejtim.

Por si edhe më parë, aq më tepër tani, gjithçka varet nga politika, mazhoranca, por edhe opozita, sepse në BE nuk do të hyjë vetëm diplomacia apo qeveria, por e gjithë Shqipëria.

Së pari, është e nevojshme të shmanget raporti i zhdrejtë që ekziston ende ndërmjet shpeshtësisë së “refrenit” tonë për caktimin e një date dhe ngadalësisë në zbatimin e premtimeve që kemi dhënë. Fatkeqësisht, gjatë 20 viteve të fundit, pas këmbënguljes sonë me argumente, BE na ka dhënë afate dhe data të kësaj natyre, por i kemi zhgënjyer me mungesën e seriozitetit politik, megjithë fjalët e bukura dhe stërbetimet. Ndaj, veç procedurave të brendshme, BE është “djegur” nga një praktikë e tillë, ndaj dhe kërkon prova dhe realizime të prekshme.

Pengesë tjetër për caktimin e kësaj date nga ana e BE-së është fakti se viti 2017 ka qenë periudhë zgjedhore në vendin tonë, për më tepër gjysma e këtij viti u karakterizua edhe nga konflikti i njohur disamujor me opozitën. Zgjedhje të përgjithshme ka pasur dhe në disa vende të BE-së, si Austri, Holandë, Francë, Gjermani dhe së fundi në Çeki. Madje, kjo vështirësi do të jetë edhe për këta dy muaj të mbetur e pak më tej, sepse ende këto vende veç Francës janë në procesin e krijimit të qeverive të koalicionit.

Në këto kushte, strategjia e vetme efektive do të ishte që muajt e mbetur deri në majin e ardhshëm t’i shfrytëzojmë pa zhurmë e pa bujë për të zbatuar detyrimet tona të njohura në pesë fushat përparësore. Aq më tepër që gjatë këtyre muajve të fundit, dosjet në këto fusha janë “pasuruar” me elementë të rinj “djegës” dhe problematikë – çështja “Tahiri”, zbatimi i shpejtë i vetingut, shmangia e dyndjes së kërkesave për azil, reformimi i administratës publike, etj., të cilat janë në lupën vëzhguese të BE-së.

Blloku i dytë madhor për çeljen e negociatave sa më parë brenda vitit 2018 është rinovimi i konsensusit të plotë politik, sidomos me opozitën. Marrëveshja e 18 majit mbetet një bazë e mirë dhe opozita do të tregonte shenja të emancipimit të saj politik dhe vizion që ta rinovonte atë marrëveshje, duke e ndarë përfundimisht nga debatet dhe polemikat e tjetra. Ka ardhur koha të hiqet dorë nga sakrifikimi i integrimit europian për hir të disa inateve apo interesave pjesore dhe të çastit, padyshim ndër shkaqet kryesore të vonesës historike të negociatave me BE-në gjatë 20 viteve të fundit. Natyrisht që shumica parlamentare dhe qeveria kanë përgjegjësinë e tyre në ndërtimin e një dialogu konstruktiv me opozitën, me median dhe të gjitha grupet e interesit.

Komponenti tjetër madhor me ndikim të drejtpërdrejtë në çeljen e negociatave ka të bëjë me kujdesin në marrëdhëniet me BE-në në të gjithë spektrin dhe elementët, pa nënvleftësuar asnjë aktor dhe institucion. Këtu ka rëndësi të kuptohet drejt nga politika se BE përfshin jo vetëm Komisionin Evropian, shumë i rëndësishëm, i cili bën dhe propozimet përkatëse për datat dhe negociatat; as vetëm Parlamentin Evropian, që ka një delegacion për vendin tonë dhe një raporter të posaçëm pozitiv si gjermani Kurt Fleckenstein, por veç tyre ka edhe Këshillin, ky i fundit përfaqëson të 27 vendet antare të BE-së, të cilat kanë ardhur duke e rritur ndjeshëm rolin e tyre.

Kësisoj, vendimi për hapjen e negociatave do të jetë produkt i përbashkët i të gjitha këtyre instancave dhe vendeve, duke filluar nga Gjermania, Franca, Italia e deri te Luksemburgu i vogël, por me peshën e tij të posaçme. Kjo kërkon kujdes, madje edhe kur bëjmë publike mbështetjen e njërit apo të tjetrit, pasi ka sensibilitete të shumta, duke shmangur keqkuptimet dhe pse jo “xhelozitë” e rastit. Aq më tepër tani që veç lodhjes nga zgjerimi, në BE kanë dalë në pah përparësi të reja krahas prirjeve për thellimin e proceseve rivonuese. As të mos na shkojë në mendje se duke “përplasur” intitucionet apo vendet anëtare me njëra-tjetrën për hatrin tonë do të përshpejtojmë datat dhe etapat.

Në këtë vështrim, një sy i vëmendshëm nuk ka si të mos vlerësojë demarshet dhe përpjekjet tona diplomatike për zgjidhjen e problemeve me fqinjin tonë, Greqinë deri te takimi aq i nevojshëm dhe dobishëm që po zhvillojnë dy ministrat e Jashtëm në Kretë, por edhe përpjekjet e vazhdueshme për akomodimin e pozicioneve edhe të ndonjë vendi tjetër lidhur me problemet e azilit, pakicave, etj; kësisoj, shmanget edhe ndonjë hezitim/kundërshtim i mundshëm lidhur me datën në fjalë. Moderacioni dhe takti në këtë drejtim nuk kompromenton kursesi pozicionet dhe parimet tona, por ndërkohë ndihmon për sheshimin e problemeve jo të pakta. Kjo është sfida dhe avantazhi i diplomacisë zyrtare, sepse asaj i duhet të shohë dhe trajtojë në dinamikë një seri aspektesh dhe problemesh në mënyrë komplekse dy dhe shumëpalëshe dhe në një plan më afatgjatë se sa aktorë dhe faktorë të tjerë politikë, ekonomikë dhe socialë.

Së fundi, po aq e rëndësishme është kujdesi nga politika për të mos kompromentuar apo dhe zbehur hapat dhe arritjet e lartpërmendura me pohime dhe deklarime me nuanca të tilla, që mund të krijojnë te partnerët tanë evropanë dhe gjetkë hamendësime apo dyshime të ndryshme.

Gjithashtu, është shenjë serioziteti dhe mençurie që vërejtjet apo rezervat që mund të kemi për BE-në, t’i shprehim në kanalet dhe forumet e shumta që kemi me BE-në dhe jo jashtë tyre.

Ndryshe, politika në vend të drejtojë dhe lehtësojë çeljen e negociatave, do ta pengojë, vështirësojë dhe vonojë edhe më tej këtë proces historik. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb