Nga Mero BAZE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk harroi askënd për ta takuar në Tiranë. Presidentin, kryeministrin, ish- presidentin dhe ish- kryeministrin, shefin e opozitës dhe partive të vogla, deri tek pretendenti për princ të Monarkisë në Shqipëri, i cili si rekord të jetës së tij, ka faktin që ka qenë këshilltar i Presidentit të Republikës.

Nuk besoj se Haradinaj në jetën e tij ka pasur kaq shumë protokoll brenda ditës. Firmosi dhe një protokoll të përbashkët me Edi Ramën për “Vitin e Skënderbeut”. Ranë dakord si do ta kalojnë dhe 27 e 28 Nëntorin bashkë të dy qeveritë, menunë e flive dhe tavës së Elbasanit.

Ky spektakël, sidomos kur bie në dorë të një regjisori si Edi Rama, është mbresëlënës dhe të mbush mendjen vërtet që je dikushi.

Por nuk dëgjova asnjë rresht çfarë u bë me patatet. Në kulmin e sezonit veror, pati një ngjarje të hidhur. Dogana e Kosovës bllokoi mallrat që vinin nga Shqipëria, pasi më parë doganat e Shqipërisë, kishin ndaluar patatet e Kosovës të futeshin në Shqipëri, pasi nuk e kishin parashikuar në marrëveshjen doganore. Shqipëria eksporton në verë gati 1 milion euro në ditë produkte bujqësore drejt Kosovës, ndërsa Kosova pak më pak, kryesisht patate, rrush, speca dhe ndonjë produkt tjetër bujqësor. Sistemi doganor mes dy vendeve, është më shumë pengues se ai mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian, apo ai mes Kosovës e Serbisë, nga ku na vjen mielli i helmuar për të dy shtetet.

Kanë gati 18 vjet që janë zotuar se do ta rregullojnë, se do heqin barrierat doganore, se do unifikojnë sistemin e mbledhjes së taksës doganore etj, por në fakt asgjë nuk është bërë. Rrushi i Kosovës kalbet tani nëpër rrugë dhe e ke të vështirë ta sjellësh në Shqipëri, ashtu si shalqini ynë kalbet në fusha në Myzeqe, dhe nuk është aq e lehtë ta çosh në Kosovë.

Të vetmet që kanë depërtuar në tregun e Kosovës nga Shqipëria janë shoqëritë e sigurimeve dhe rrjetet televizive, dhe ato me sa duket e kanë çarë kufirin me para në dorë. Gjithçka tjetër është më keq se mes dy shteteve normale. Shqipëria e ka humbur betejën për ta bërë Kosovën treg të saj prej 18 vitesh dhe për këtë nuk ja ka fajin, as Serbia, as Greqia, as Bashkimi Europian, por dëshira për ta parë veten në qilima të kuq dhe televizione si patriotë, dhe pastaj për të vazhduar tregtinë me Serbinë e vendet fqinje të Shqipërisë.

Tregu nuk diktohet me emocione patriotike dhe as me urdhra. Tregu diktohet me rregulla që e mundësojnë atë të jetë sukses. Dhe politikanët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës kanë dështuar ta bashkojnë tregun e Shqipërisë me atë të Kosovës. Kanë dështuar se janë pikë së pari të paaftë, pastaj të korruptuar dhe të kapur nga oligarkë që nuk e lëshojnë tregun e tyre me vendet fqinjë dhe në fund, edhe se nuk është se kanë menduar shumë për këtë punë.

Bashkimi Kombëtar është një flluskë sapuni që e fryjnë nga buzët e tyre kur i kanë keq punët me pushtetin, por nuk po ua kërkon njeri. Bashkimin e tregjeve, funksionimin si një shoqëri e përbashkët dhe hapësirë unike ekonomike, është një e drejtë që nuk të kufizon njeri. Por këtë duket që nuk e bëjnë dot.

Ndaj dhe dita e sotme ishte e mbushur me qilima të kuq, flamuj kombëtar, himne, ish- presidentë, ish- kryeministra, presidentë e kryeministra në detyrë, e deri pinjollë të Monarkisë, për të na kujtuar se të gjithë këta së bashku, as patatet e Rahovecit nuk na i sjellin dot në Kukës. Asnjë fjalë nuk dëgjova për patatet!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb