NGA Valentina MADANI

TIRANE– Ahmet Prençi për herë të parë foli si politikan në “çadrën e lirisë”. Por lidhjet e tij me politikën janë të hershme, që kur ishte student i dhjetorit 90-ës. Nuk qëndroi indiferent në momentin më historik për shqiptarët, sepse në familjen e tij kishte dy të pushkatuar dhe persekucioni komunist e kishte ndjekur që fëmijë. Për shkak të angazhimit në strukturat e policisë së shtetit për vite me radhë, i veshur me detyra të rëndësishme në organet ligjzbatuese, Prençi nuk mundi të angazhohej në politikë.

Por ai thotë për “Gazeta Shqiptare” se politikën e ndoqi në vijimësi dhe në janar të këtij viti nuk refuzoi ftesën për t’iu bashkuar PD-së. E nisi nga qeliza e partisë, nga baza, nga Kamza e Paskuqani bashkë me një ekip demokratësh. U rendit në një vend të pasigurt në listën e Tiranës, por Ahmet Prençi punoi sikur të ishte i pari në listë, sepse qëllimi kryesor ishte fitorja e PD-së dhe jo hyrja e tij në parlament.

Z.Prençi ndjehet i keqardhur për humbjen e thellë të PD-së dhe situatën brenda saj. Ish-kreu i Policisë së Shtetit denoncon ashpër blerjen e votës duke thënë se “shteti dhe krimi u bënë bashkë në zgjedhje”.

Z.Prençi ju kemi parë mjaft aktiv muajt e fundit në politikë, fillimisht në “çadrën e lirisë” e më pas i angazhuar në fushatën elektorale me strukturat e PD-së në Tiranë, deri dhe te përfshirja në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë, pavarësisht në një vend të pasigurtë. Si po e gjeni veten nga drejtues i Policisë së Shtetit në politikën e djathtë?
Unë në muajin janar kam pasur një ftesë për të dhënë kontributin tim në Partinë Demokratike, pra për t’u përfshirë publikisht në politikë. Që nga vitet ’90 kur isha student i angazhuar në lëvizjet për rrëzimin e komunizmit, më pas, nuk jam marrë me politikë, pasi kam qenë pjesë e institucioneve ligjzbatuese të shtetit dhe ligjërisht nuk lejohej politikë bërja dhe këtë gjë e kam respektuar me rigorozitet të plotë. Sigurisht që e kam ndjekur politikën, kam diskutuar për të gjithmonë, por në rrethe të ngushta dhe jo në publik. Kur u ndodha përballë kësaj oferte jam menduar, jam konsultuar me miq të afërt dhe vendosa të bëhem pjesë e kontributit për PD-në.

Përse iu bashkuat pikërisht Partisë Demokratike?
Kjo për disa arsye: së pari, nga prejardhja e familjes time në raport me komunizmin, pasi në familjen time si nga babai dhe nga nëna nuk kam pasur asnjë anëtar të Partisë së Punës dhe në funksione të regjimit të asaj kohe. Së dyti, në rrethin tim shumë të afërt familjar, kemi dy persona të pushkatuar nga regjimi komunist. Së treti, përfshirja ime si të gjithë bashkëmoshatarët e mi në lëvizjen e ndritur të dhjetorit 90, ishte një summum dhe nuk mund të beja sehirxhiun, pra nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Së katërti, në karrierën time detyrën më të lartë pas zgjedhjeve të vitit 2005, ma dha qeverisja e PD-së, duke më emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Duke qenë në këtë detyrë u arritën gjera të mëdha për Shqipërinë; anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, vizita e Presidentit të SHBA-ve etj. U goditën të gjitha grupet kriminale që bënin ligjin në territore të caktuara të vendit, të cilat u morën nga strofkat e tyre ne Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Itali, Francë etj. dhe u vendosën para bankës së drejtësisë. U rrit ndjeshëm bashkëpunimi ndërkombëtar policor, u minimizua trafiku ndërkombëtar i drogës nga Shqipëria si vend transit, u minimizua prodhimi dhe trafiku i cannabis sativa nga Shqipëria si vend origjine. E them me bindje të plotë se bazuar në implementimin me korrektësi të ligjit të ri të Policisë së Shtetit u arrit shkëputja përfundimtare në atë kohë e policisë nga politika. Duke përmbushur këtë detyrë, sigurisht që ndjehem krenar për këto arritje me rëndësi historike. Duke menduar këto arsye unë vendosa të jap kontributin tim modest për t’ia kthyer jo thjesht PD-së vlerësimin që tregoi për mua, por qindra mijëra demokratëve që e rikthyen atë në pushtet në vitin 2005. Në momentin që vendosa të pranoj përfshirjen në politikë, së pari, kam dhënë dorëheqjen nga detyra që mbaja në një pozicion shtetërorë dhe prononcimi im i parë publik politik është bërë në protestën e 18 shkurtit, e më pas në çadër.

Po sa i përket kandidimit tuaj për deputet, renditjes në listën e Tiranës?
Për sa i përket renditjes në listën e Tiranës unë nuk kam kërkuar asnjë preferencë, por jam angazhuar njëlloj si të isha i pari, po ashtu dhe i 34-i, pra për mua rëndësia dhe serioziteti i angazhimit për fitoren e PD ishte i njëjti dhe do ishte i njëjti dhe po të isha i pari në listë. Pata fatin të jap kontributin tim në Bashkinë e Kamzës, ku së bashku me Flamur Hoxhën, Korab Litën e Vendim Demën arritëm një rezultat shumë të mirë. Duhet të falënderojmë strukturat e PD-së Kamëz nën drejtimin e kryetarit të partisë, Xhelal Mziu, si dhe strukturat dhe kryetarin e PD Paskuqan, Anton Pjetërnikaj për kontributet e spikatura në këtë fushatë. Falënderoj kreun e PR-së Fatmir Mediu që përveç angazhimeve të tjera ishte së bashku me strukturat e partisë së tij shumë aktiv në Kamëz. Gjithashtu, ish-themeluesit dhe ish-ministrit të PD-së Besnik Mustafaj i shkon mirënjohje e thellë për praninë e tij në fushatë.

Intervistën e plotë e lexoni në “Gsh.al”:

 

http://www.gsh.al/2017/07/08/prenci-basha-favorit-per-fitoren-e-kreut-te-pd-se-shteti-dhe-krimi-u-bene-bashke-ne-zgjedhje/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb