ATHINE- Pas deklaratës së ashpër për çështjen çame që shkaktoi ‘tërmet’ në politikën shqiptare, presidenti grek Prokopis Pavlopulos nuk tërhiqet dhe vjen me një tjetër qëndrim kësaj here.

Mediat greke raportojnë se Pavlopulos teksa e cilëson Shqipërinë një vend mik, për liderët e saj shprehet se ata bazohen te pretendimet e ish-bashkëpunëtorëve të nazizmit.

Po ashtu presidenti grek tha se integrimi i Shqipërisë varet nga respektimi i së drejtës. “Pozicionet e udhëheqjes shqiptare bazohen tërësisht në pretendimet e bashkëpunëtorëve të vjetër të nazistëve, dhe kjo nuk e favorizon miqësinë mes nesh dhe perspektivën evropiane të vendit fqinj. Mbështesim perspektiven evropiane të Shqipërisë. Integrimi varet nga respektimi i së drejtës. Të respektohen minoritetet dhe e drejta e pronës”, tha ai.

Në lidhje me Shqipërinë, ai theksoi se “Greqia mbështet perspektivën evropiane të një vendi mik si Shqipëria. Megjithatë, e ardhmja varet nga respektimi i plotë i së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, në veçanti respektimi i të drejtave themelore të njeriut, të drejten e minoriteteve dhe të drejtën e pronës.

Prokopis Pavlopulos me tone aspak diplomatike i bëri thirrje Tiranës zyrtare më 4 shkurt që të respektonte ligjin, të drejtat e njeriut dhe të pronës, si dhe të drejtat e pakicës greke në Shqipëri. Presidenti grek e cilësoi çështjen çame si pjesë të mizorive naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Është e pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë çështje çame. Përveç faktit se kjo çështje nuk ekziston, është më mirë që Shqipëria të mos kujtojë se çfarë do të thotë historia e të ashtuquajturave çamë gjatë periudhës së mizorive naziste në Greqi. Nëse dëshiron të ketë ndonjë perspektivë evropiane. Më vjen keq që jam i drejtpërdrejtë, por në ditë të tilla si kujtimi i holokaustit ata guxojnë të flasin për çamët. Më mirë të mos kujtojmë historinë e atyre që u shfaqën si çamë në hapësirën greke. Respekti për historinë është baza ndërkombëtare për miqësinë dhe fqinjësinë e mirë”, tha Pavlopulos.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb