Presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos shtroi një darkë për nder të vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron, e para jashtë Francës që prej fitores së tij në zgjedhje. Pas kësaj darke presidenti grek Prokopis Pavlopoulos ka lëshuar mesazhe “thumbuese” ndaj Shqipërisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Deklarata e z. Pavlopoulos është bërë gjatë pjesës së fjalimit ku ai i është referuar çështjeve kombëtare dhe marrëdhënieve me fqinjët, si dhe çështjes qipriote dhe problemeve me Turqinë.

Presidenti grek ka thënë se Shkupi dhe Tirana po minojnë, me veprimet e tyre politike, ecurinë e tyre evropiane, njëri fqinj duke përdorur një emër që përcjell irredentizmin dhe fqinji tjetër duke shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe në veçanti të pronës.

“Kjo po ndodh edhe me Shqipërinë fqinje. Edhe ajo duhet të gjejë vendin e saj në BE, por me respekt të plotë tek të drejtat europiane. Dhe një prej shtyllave të të drejtave europiane janë të drejtat e njeriut. Kur shikojmë shkelje të tilla të të drejtave themelore, siç është përshembull e drejta e pronësisë, si është e mundur që Greqia të favorizojë një perspektivë të tillë europiane, të një shteti që shkel të drejtat europiane?!”, u shpreh presidenti grek.
(I.Ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb