Një tjetër incident ku protagonist është presidenti i ekipit të Laçit Pashk Laska. Gazetari i News24 në Krujë Prend Shota është kërcënuar nga Pashk Laska, ndërsa ndiqte stërvitjen e skuadrës së ekipit të Kosovës. Gjithçka ka ndodhur pasditen e së mërkurës në stadiumin e Laçit, dy ditë para ndeshjes mes Kosovës dhe Islandës.

Laska ka ushtruar dhunë verbale ndaj gazetarit, të cilin e ka kërcënuar se do e dhunonte edhe fizikisht, nëse nuk largohej. E gjithë skena ka ndodhur në sy të dëshmitarëve të shumtë që ndodheshin në stadium në ato momente.

Gazetari Shota ka treguar në një prononcim për “BalkanWeb” gjithë dialogun që ka pasur me presidentin e ekipit të Laçit.
“Laska më tha mbylle kamerën dhe me vrap përjashtë. I thashë pse? Më tha ‘e di unë atë punë dhe mos e zgjat më tepër, mos e hap më gojën e të përdor forcën e të bëj hatanë. Bile që nga ky moment as në Laç të mos shkelësh më’. I thashë çfarë problemi ke ti që të sqaroj? ‘Kaq’ më tha dhe ‘mos e zgjat më tepër, merr vesh apo jo’. U detyrova të dilja, mbylla kamerën. I thashë çfarë pune ke ti me stadiumin, nuk është i joti dhe s’mund të më kërkosh hesap e të më detyrosh çfarë të filmoj.
‘Ore jam unë i pari këtu dhe mos shkel më as në Laç se kam për të bërë namin’, më tha”, ka rrëfyer gazetari Shota.

Kërcënimi ka ardhur për shkak të detyrës. Presidenti i Laçit i ka përmendur gazetarit rastin kur ai ka fokusuar e pasqyruar një episod dhune në këtë stadium disa kohë më parë. Bëhet fjalë për dhunën e ushtruar gjatë ndeshjes Laçi-Kastrioti, më 4 dhjetor të 2011-ës, kur u godit gjyqtari i ndeshjes.

Pamjet tregonin dhunën ndaj gjyqtarit u ushtruar nga tifozët e Laçit të cilët hynë në fushë në përfundim të ndeshjes. Pashk Laska njihet për raportet e këqija me mediat dhe gazetarët, një pjesë e të cilëve janë kërcënuar e dhunuar verbalisht nga ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb