IRAN-Presidenti iranian, Hassan Rouhani tha të martën se nuk do të shqyrtojë rinegocimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit me administratën e re të zotit Donald Trump, i cili ka e dënuar disa herë marrëveshjen.

Duke folur në një konferencë shtypi të martën në përvjetorin e parë të nënshkrimit të marrëveshjes, Rouhani tha se përpjekja për ta rinegociuar atë tani “nuk ka kuptim”.

“Marrëveshja bërthamore është e përfunduar, ajo është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-s dhe është bërë një dokument ndërkombëtar,” tha ai. “Kjo është një marrëveshje shumëpalëshe dhe nuk ka asnjë kuptim të rinegociohet.”

Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen bërthamore, së fundi edhe në një intervistë të dielën me gazetën Times të Londrës, duke thënë: “Nuk jam i kënaqur me marrëveshjen për Iranin. Mendoj se është një nga marrëveshjet më të këqia të bëra ndonjëherë.”

Marrëveshja, e arritur vitin e kaluar në mes të Iranit dhe disa vendeve perëndimore, kufizon aftësitë e pasurimit të uraniumit të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Edhe pse nuk e përmendi me emër zotin Trump, presidenti i SHBA Barack Obama paralajmëroi në një deklaratë të hënën se marrëveshja nuk duhet të prishet, pasi ka treguar “rezultate të rëndësishme dhe konkrete.”

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: