Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se Kosova duhet të rregullojë mosmarrëveshjet me Serbinë dhe të arrijë në një marrëveshje që do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi mori ftesën për një raund të ri bisedimesh në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

“Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve që në një mënyrë apo tjetër po zgjasin tash e njëzet vite, që të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një shekullore në raportet në mes dy shteteve dhe popujve tanë”, tha ai.

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe në paktin NATO. Për të siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se edhe në këtë fazë Kosova do të ketë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij, janë thellësisht të interesuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet tona politike të përkohshme. Shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse apo opozitare, duke i bërë të papërfillshme lidhjet afatshkurtra në mes të politikanëve dhe partive në Kosovë. Kosova në asnjë rrethanë nuk mund të refuzojë dialogun apo negociatat”, tha ai.

Takimi i së dielës në mes të dy presidentëve shihet si një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb