TIRANE– Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti Kongresin e Dytë të Noterisë me temë: “Dixhitalizimi, prioritet i aktivitetit modern të noterisë”, ku ishin të pranishëm dhe diskutuan Presidentja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushaj, Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, Jose de Llano, Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Drejtorja e Përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, etj. Gjatë fjalës së tij presidenti Meta u shpreh se problemet me noterinë do marrin fund dhe procedurat dot ë lehtësohen falë dixhitalizimit

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta në këtë Kongres:

E nderuar Znj. NënKryetare e Kuvendit,

I nderuar Z. Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë

I nderuar Z. Jose De Llano, President i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve,

E nderuar Znj. Sadushaj,

Të nderuar noterë, miq e të ftuar,

Është kënaqësi të përshëndes sot, Kongresin e II-të të Noterëve. Po kështu fokusi i zgjedhur nga ju si temë e këtij kongresi është shumë I rëndësishëm, sepse dixhitalizim do të thotë, transparencë, shpejtësi, efektivitet, dhe përgjegjshmëri, elementë këto të cilat sjellin vetëm progres dhe zhvillim të padiskutuar.

Profesioni i noterit në Shqipëri, ka peshën e tij domethënëse brenda sistemit të drejtësisë, sepse cilësia e shërbimit të tij, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në efiçensën e gjyqësorit por dhe të organeve të tjera shtetërore.

Edhe pse për një periudhë të gjatë kohe, roli i noterit e humbi peshën e vet, shumë shpejt ky profesion rigjeti pozitën e tij, dhe sot ai paraqitet me kompetenca të plota dhe autoritet publik, me funksion të deleguar nga shteti, brenda fushës së profesioneve të lira.

Dhoma Kombëtare e Noterëve të Shqipërisë ka arritur të krijojë ura solide bashkëpunimi me autoritetet më të larta të përfaqësimit të noterëve në botë, duke u bërë natyrshëm pjesë e tyre, ndaj shpreh kënaqësinë që sot keni shumë partner europianë të pranishëm edhe në këtë kongres dhe kjo ndikon që në sistemin noterial shqiptar të përfshihen edhe praktika nga vendet e zhvilluara.

Mbështes pa asnjë hezitim çdo iniciativë tuajën, që nxit dhe formalizon marrëdhënie bashkëpunuese me organizatat paralele, të cilat kanë treguar se janë model suksesi, pasi shkëmbimi i eksperiencave dhe mbështetja tek një partneritet i qëndrueshëm, orienton si duhet, përmirësimin e modelit të notariatit Shqiptar në shërbim të shoqërisë.

Por gjatë këtyre viteve të funksionimit, edhe profesioni i noterit është ndeshur me vështirësi, të cilat janë vlerësuar nga Kuvendi, duke bërë që natyrshëm edhe noteria si pjesë e sistemit të drejtësisë, të përfshihet në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë.

Ndryshimet ligjore që do të ndërmerren në këtë drejtim, besoj se do të trajtojnë përmirësimin e situatës së profesionit tuaj në drejtim të;

– Përmirësimit të sistemit aktual të arsimit juridik për profesionin e noterit, trajnimin fillestar dhe të vazhdueshëm të tij ;

– Krijimin e mekanizmit të përshtatshëm ligjor dhe administrativ për trajtimin nga noteri të individëve në pamundësi ekonomike, për të përballuar tarifat noteriale;

– Krijimin e një procesi transparent e objektiv, të procedimit disiplinor të noterit, në bashkëpunim të ngushtë midis Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë;

– Si dhe disiplinimin e akteve dhe veprimtarisë noteriale.

Kështu do të përmirësohet cilësia e shërbimit ndaj shoqërisë në këtë pjesë të së drejtës, dhe në këtë mënyrë do të jemi më afër standardeve europiane.

Të nderuar të pranishëm,

Detyra kryesore e noterit është të legjitimojë vullnetin e palëve, t’i japë formën e duhur akteve, sipas këtij vullneti, në përputhje me zakonet e mira, dhe ligjet në fuqi. Për këtë, palët presin nga noteri që ai të zotërojë njohuritë më të thelluara.

Sa më e plotë të jetë njohuria e noterit për fusha të caktuara të ligjit, dhe sa më shumë të jetë i azhornuar ai me ndryshimet e legjislacionit, aq dhe më cilësore do të jenë aktet që formalizohen në një studio noteriale.

Dixhitalizimi dhe futja e risive të teknologjisë e lehtëson procesin e punës së noterit, e rrit transparencën e veprimtarisë së tij, por edhe ndihmon në shpërndarjen e dijes dhe praktikave më të konsoliduara në këtë shërbim.

Janë bërë përpjekje pozitive për dixhitalizimin e shërbimit noterial, por ky proces duhet të vazhdojë pasi legjislacioni ndryshon, teknologjia përparon dhe në këtë mënyrë përshtatja me kërkesat e kohës, është e nevojshme për vet noterin dhe e detyrueshme për autoritetin publik.

Në shërbimin noterial funksionon sot sistemi elektronik i arkivës noteriale.

Ngritja dhe funksionimi i këtij sistemi është një hap shumë i madh drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit.

Nga aplikimi i detyruar i këtij sistemi, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera, përveç se është arritur progres në punën tuaj, është lehtësuar gjithashtu puna e autoriteteve në parandalimin e veprimtarive të paligjshme në fushën ekonomike, por njëkohësisht dhe në zbulimin e veprimeve kriminale në fushën e pastrimit të parave dhe aseteve kriminale.

E vlerësoj shumë theksin që vuri z. De Llano për rritjen e rolit të noterëve në luftën kundër krimit të organizuar.

Në këtë mënyrë, dixhitalizimi dhe përsosja e platformave dixhitale të ndërveprimit, nuk do të ndihmojë vetëm noterët, por njëkohësisht lehtëson zbatimin e ligjit nga organet e tjera, nxit bashkëpunimin në kohë reale, dhe në këtë mënyrë kostot që duhen përballuar për zhvillimin e dixhitalizimit, janë vetëm pozitive.

Dixhitalizimi përveçse shkurton kohën e punës suaj, por njëkohësisht, lehtëson jetën e qytetarëve, si dhe nxit ekonominë vendase të zhvillohet më shpejt.

Edhe pse noteri hyn në sferën e profesioneve të lira, funksioni që ai kryen ka karakter publik dhe për të ruajtur besimin e publikut, dhe për të ofruar gjithmonë një shërbim cilësor, është e nevojshme monitorimi i vazhdueshëm i veprimtarisë së tij, por gjithmonë pa cenuar pavarësinë profesionale të tij.

Pikërisht, monitorimi i veprimtarisë së noterit është një tjetër moment ku dixhitalizimi është i nevojshëm dhe lehtësues.

Një sistem elektronik i ndërtuar mirë, i dixhitalizuar krejtësisht për të gjitha proceset e punës, dhe sipas parametrave të kohës, do të pakësonte mundësitë që noteri të gabonte, duke shmangur kështu pasojat.

Një aspekt tjetër, ku mund të shfrytëzohet teknologjia dixhitale në notariatin shqiptar, është krijimi i platformave on-line, në distancë për trajnimin vazhdues të noterit, praktikë kjo e cila do të nxisë shkëmbimin e eksperiencave, apo opinioneve në lidhje me çështje të caktuara ndërmjet vet noterëve dhe organeve të tyre drejtuese.

Një noter i kohës është ai që lexon në mënyrë të vazhduar, dhe pranon pa hezitim zhvillimet e fundit të teknologjisë.

Ky model noteri sjell respekt të merituar nga shoqëria dhe rrit besimin e saj tek ky profesion.

Ndaj, ju inkurajoj të zhvilloni më shpesh aktivitete të kësaj natyre, pasi jo vetëm që ato shërbejnë për shkëmbimin e eksperiencave më të mira, por njëkohësisht, ju tërhiqni vëmendjen e aktorëve vendimmarrës, për ta

mbështetur akoma edhe më shumë profesionin tuaj të nderuar dhe për të rritur dobinë publike tuajën në interes të shoqërisë .

Ju uroj edhe një herë suksese punimeve të këtij Kongresi. Faleminderit!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: