TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shtruar një iftar në Pallatin e Brigadave, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Të pranishëm në këtë darkë, ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, Ministrja e Kulturës, Ambasadori i OSBE, Ambasador Florian Raunig, përfaqësues të besimeve fetare në Shqipëri, klerikë, Drejtues të institucioneve të shtetit, etj.

Duke shprehur mirënjohjen për kontributet e komunitetit mysliman dhe drejtuesve të saj, për harmoninë ndërfetare dhe demotivimin e çdo forme të instrumentalizimit fetar në vend, kreu i shtetit theksoi se tradita e islamit në vendin tonë është e shkëlqyer.

Në frymën e harmonisë fetare, Nishani kërkoi vigjilencë ndaj kujtdo që predikon për një shtet me natyrë fondamentaliste dhe rekruton shqiptarët drejt vatrave të terrorit.

“Jemi mbledhur sonte të gjithë së bashku në këtë darkë Iftari në shenjë respekti të thellë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, të cilët me devocionin dhe përkushtimin e tyre ndaj Zotit po e përcjellin Muajin e Madhërishëm të Ramazanit në paqe, harmoni e përshpirtje duke reflektuar dhe promovuar mesazhin që vjen prej tij. Ju uroj nga zemra agjërim të lehtë dhe të mbarë! Në këtë darkë dua të shpreh gjithë mirënjohjen time për kontributin që Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe drejtuesit e tij kanë dhënë për harmoninë ndërfetare, për mbështetjen e tyre pa kushte ndaj demokracisë dhe integrimit evropian si dhe për demotivimin që i kanë bërë çdo forme të instrumentalizimit fetar në vend”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit kërkoi të ekspozohen para shoqërisë dhe ligjit kushdo, që tenton që mbi librat e shenjtë të sajojë doktrina terrori, absolutizmi e përjashtimi dhe në çdo moment të luftohen si përfaqësues të së keqes, armiq të fesë dhe antishqiptar.

Kjo dialektikë e jona nuk është realizuar kurrë me ushtarë, asnjëherë me konventa, pa nevojë  ndërmjetësish, por natyrshëm nën ritmin e jetës. Ky Muaj i sakrificës dhe dëlirjes shpirtërore i afron më tepër njerëzit duke na kujtuar se nuk është kurrë vonë për t’u vetëpërsosur dhe për t’u bërë më të mirë e më të drejtë, sepse kështu do të kemi një shoqëri më humane, një jetë më të lumtur, një botë akoma edhe më të sigurt. U uroj me mirënjohje paqe e mirësi të gjithë besimtarëve myslimanë!”, tha Nishani.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: