Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24” ka deklaruar sot se është i gatshëm të ushtrojë autoritetin e tij kushtetues për të ndikuar uljen e palëve në një tryezë dialogu për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Nishani ka bërë publike edhe “ofertën” e tij, raporton “BalkanWeb”.

Jemi në një kohë dhe fazë kaotike. Sot është data 1 prill, 4 vite nga marrëveshja e koalicionit, ndërkohë që aktualiteti politik ka mjaft zhvillime. Jemi dy muaj para zgjedhjeve. Si do e cilësonit situatën? Duket që palët nuk po lëshojnë pe dhe ajo që duket e sigurtë është se nuk ka një strategji për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme.
Situata është shumë e tensionuar, në kuptimin politik të fjalës marrëdheniet ndërinstitucionale janë goxha të vendosura në një ngërç edhe komunikativ jo vetëm të aspektit funksional.

E kam fjalën te parlamenti por edhe te marrëdhëniet ndërpartiake sepse në fund të fundit partitë politike kryesore parlamentare,  janë aktorë vendimarrës në proceset e rëndësishme të vendit. Kjo situatë politike kaq e tensionuar nuk po duket të ketë ndonjë reagim përsa i takon angazhimit për të gjetur një proces, që mund të mos mbyllet brenda një dite por një proces që të fillojë ta ç’tensionojë situatën dhe ta adresojë pjesën e komunikimit ndërpartiak dhe të faktorëve kryesorë politikë në rrugën e duhur.

Unë e kam thënë edhe herë të tjera, jam i gatshëm si president i Republikës dhe vazhdoj të nxis edhe në qëndrimet e mia institucionale edhe publike interesin më të mirë të vend. Që do të thotë edhe në mënyrë indirekte interesi i partive politike, i aktorëve politike. Ulja në bisedime, qëndrimi në kontakt me njëri tjetrin, pavarësisht objektivave që kanë, synimeve politike që kanë, duhet të ketë një proces komunikativ mes partive, duhet të ketë negociata, në mënyrë që të vendoset në bazë të këtyre negociatave standardi kryesisht për zgjedhjet.

Përtej negociatave aq shumë të përfolura përsëri duket sikur diçka çedon. Ju si kryetar i Shtetit a mendoni se duhet thirrur një tryezë për palët?
Ne duhet të jemi realistë, padyshim që insitucioni i Presidentit dhe unë janë përpjekur që me qëndrimet dhe sjelljen institucionale ta mbajë në gatishmëri të plotë institucionin e e Presidentit. Për të lehtësuar komunikimin mes palëve politike, por President i Republikës nuk mund të imponojë asnjë prej palëve politike. Kushdo që mund të mendojë apo mund të pretendojë se Presidenti mund të imponojë palët politike është jashtë ralitetit dhe është thjesht spekulim dhe abuzim.

Mund të thërrasë presidenti por mund ta bëjë këtë nëse palët janë të gatshme që t’i përgjigjen thirrjes se Presidentit, sepse në fund të fundit imazhi i Presidentit të Republikës nuk mund të cënohet nga një dialog apo thirrje pa një produkt, për më tepër që ne kemi një eksperiencë jo pozitive kohët e fundit, kur është bojkotuar pa argument edhe tryeza shtetërore si ajo e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga ana e Kryeministrit të vendit, çka nuk ka bërë vaki në të shkuarën gjithsesi këto le t’i takojnë të shkuarës.

Presidenti i Republikës është tërësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet dhe vullneti duhet të demostrohet patjetër që nuk do të mungojnë edhe komunikimet edhe gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t’u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikes por institucioni i Presidentit është i gatshëm që të ushtrojë të gjithë mundësitë e tij, të gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues, jo vetëm për të legjitimuar, por për t’i dhënë edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve për të negociuar dhe për të gjetur dhe një orientim dhe një proces. Flas gjithmonë për një proces, jo për një konkluzion përfundimtar nga takimi sepse nuk mund të kemi konkluzion përfundimtar nga një takim.

Përsa i përket dhe të shkuarës, jo rrallë herë Shqipëria është gjendur në të tilla situata. Kujtojmë vetë ish-Presidentin Moisiu që ka thirrur një tryezë mes palëve në momente të vështira. Ju thoni që nuk mund të imponohen partitë politike për të marrë pjesë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje përtej negociatave dhe uljes së palëve në bisedime?
Në çdo rast kur janë ulur palët në të shkuarën në prani të presidentëve, gjithmonë ka qenë gatishmëria e palëve politike për t’u ulur se nëse do mungonte dëshira dhe vullneti politik i një pale, nuk do të realizohej ajo tryezë, dhe kjo situatë mbetet. Ajo që unë shoh, pikërisht shoh si zgjidhje të vetmen dialogun, shoh si zgjidhje të vetme komunikimin.

Unë besoj se do të arrihet, sepse historia dhe jo vetem shqiptare, ka treguar se ka qenë një qëndrim i caktuar politik, është dashur ndoshta të paguhet një kosto më e madhe po përsëri është adresuar dhe konkluzioni ka mbetur te ajo që është kërkuar që në fillim, te proceset e kontaktit, te proceset komunikative. Unë mendoj se procesi i komunikimit në distancë tashmë është i qartë, por duhet të ketë edhe një komunikim institucional dhe besoj se institucionet e shtetit shqiptar e posedojnë seriozitetin e nevojshëm edhe të gjithë ambientin e përshtatshëm për të krijuar mundësinë e negociimit edhe të diskutimit edhe të orientimit me procesin e domosdoshëm që duhet të ketë vendi.

Si do t’i përgjigjeshit ju akuzave për një President palë? Ju kanë quajtur President palë të pafuqishëm për të zgjidhur situatën në të cilën ndodhet vendi.
Akuzat janë tjetër dhe mundësia për të zgjidhur një situatë politike është tjetër gjë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Akuzat padyshim që janë akuza politike, akuza që kanë startuar që ditën e parë të zgjedhjes sime si President i Republikës.

Nuk janë ndalur asnjëherë janë akuza që asnjëherë nuk kanë patur fakte, prova, as logjikë politike, as njerëzore, nuk kanë qenë të besuara në asnjë argument. Kanë mbetur gjithnjë shabllon i agresivitetit dhe artikulimit shterp politik. Sa i takon procesit për të zgjidhur Presidenti i Republikës, edhe një herë e them se asnjë President nuk ka parë kushtetuta jonë mekanizma që të orientojë palët që të shkojnë në një zgjidhje apo në një zgjidhje tjetër.

Institucioni i Presidentit të Republikës është një institucion që garanton seriozitetin dhe konfidencialitetin e bashkëbisedimit dhe të artikulimit në opinionin publik të parimeve dhe adresimive më të mira të mundshme që qetësojnë situatën, largojnë ngërçin, ç’tensionojnë në tërësi ambjentin dhe mbajnë edhe garancinë e realizimit të premtimeve dhe dakordësisë që arrihet.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: