Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi mundësinë e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do ta zhvendosin ambasadën nga Tel Avivi në këtë qytet, duke theksuar se Jerusalemi është vija e kuqe e muslimanëve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jerusalemi është vija e kuqe për muslimanët. Marrja e një vendimi të tillë si shenjë mbështetjeje për Izraelin, në një kohë kur vazhdon të rrjedh gjak nga plagët e popullit palestinez, kur çdo ditë vazhdojnë shkeljet e të drejtave, persekutimet dhe presionet, nuk është vetëm një shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por edhe goditje e rëndë ndaj ndërgjegjes njerëzore”, tha Erdoğan në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

“Amerika i përfundoi të gjitha punët dhe i mbeti vetëm kjo? E përfundoi punën me DEASH-in dhe i mbeti kjo? Për momentin, Netanyahu dhe Izraeli nuk po arrijnë t’i mbyllin llogaritë e brendshme. Natyrisht, ne deri në momentin e fundit do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjen tonë në këtë aspekt. Kjo gjë mund të shkojë edhe deri te ndërprerja e marrëdhënieve tona diplomatike me Izraelin”, theksoi presidenti turk.

Presidenti Erdoğan tha se si kryesues të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), Turqia deri në fund do ta ndjek këtë çështje.

“Nëse kjo gjë ndodh, ne menjëherë do të mbledhim krerët e OBI-t në Stamboll”, u shpreh Erdoğan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: