Gjatë prezantimit të fanellave të reja të Kombëtares, Armando Duka ka dhënë një deklaratë për mediat.

Kreu i FSHF-së nuk ka ngurruar të bëjë një deklaratë disi thumbuese për lojtarët dhe stafin e Kombëtares, duke u shprehur se duhet të japin më shumë pasi festa tani ka mbaruar:

“Do të doja t’i jepja një mesazh Kombëtares, që, festa tashmë ka mbaruar, se ndoshta nuk e kanë kuptuar ende. Tashmë është një luftë e re sportive. Duhet djersitur më tepër, për të marrë rezultate më të larta dhe jo të buzëqeshin më shumë dhe të marrin më pak rezultate. Në futboll, pasi t’i kesh bërë të gjitha duhet të presësh edhe pak fat. Dhe unë uroj që ne të kemi këtë fat me Italinë. Nuk dyshoj që ekipi do të ketë reflektuar, jam i bindur që nuk kemi dhënë më të mirën në ndeshjet e kaluara. Mund të them që ekipi ka kaluar një lloj shoku pas suksesit, një lloj shoku normal që e kemi kaluar të gjithë dhe pika e kthesës të jetë Italia, grafiku i ri të vijë në drejtimin e paraqitjes së mirë.

Tifozët? Nuk ka munguar tifozi për ekipin kombëtar shqiptar dhe nuk do të mungojë, jam shumë i bindur, as në Palermo, pavarësisht numrit të kufizuar të biletave që kemi si Federatë. Jam shumë i bindur që shqiptarët që jetojnë në Itali apo Europë, apo qoftë edhe ata që jetojnë në Shqipëri, do të kenë mundësinë të sigurojnë një biletë nëpërmjet rrjetit të Federatës dhe ta skuqin stadiumin e Palermos”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: