Zhvillimi spontan i bujqësisë, qoftë në kulturat që kultivohen, qoftë në tregjet që synohen nuk e ka ndihmuar aspak sektorin. Për më tepër akoma edhe sot shumica e atyre që kanë në pronësi një tokë bujqësore veprojnë të vetëm çka në shumë raste i përplas në kufijtë e mbijetesës. Konferenca Kombëtare e Bujqësisë e mbajtur sot nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxori në pah edhe objektivin e ri që do të ketë zhvillimi i sektorit në katër vite.

Skema e re mbështetëse e cila përbëhet nga një fond prej 20 milionë eurosh synon që t’i japë zgjidhje pikërisht tre çështjeve. Së pari ndjekja e modelit ekonomik të rritjes së eksporteve duke mbështetur të gjithë ato produkte bujqësore që kanë peshë në shportën totale të eksporteve, së dyti afrimi i sa më shumë fermerëve në organizma të përbashkët çka siguron qëndrueshmëri dhe prodhim më të lartë dhe së treti politikat që mund të ndërmerren për të zhvilluar ato sektorët e ndërmjetëm si agroturizmi, agriturizëm, agropërpunim, peshkim dhe akuakuturë.

Fermerët që aplikojnë bashkë marrin 25% më shumë
Janë 2, 6 miliard lekë të cilat do të shkojnë për materializimin e prioriteteve që Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka vënë në shërbim të Bujqësisë, Blegtorisë, Peshkimit dhe Agropërpunimit gjatë këtij mandati.

Gjatë fjalës së tij, në këtë konferencë, ku u bë prezantimi publik i politikave për sektorin dhe skema e re mbështetëse prej 20 milionë euro, Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi tha se tashmë janë jetësuar ferma të mëdha, dhe se trend janë fermerët e rinj të shkolluar jashtë që kanë investuar kursimet e tyre në bujqësi.

Ministri u ka kërkuar fermerëve të ndryshëm të grupohen në Shoqëri të Bashkëpunimet Bujqësor (SHBB) sepse në këtë mënyre mund të përfitojnë më shumë nga Skema e Mbështetjes.

“Ne kemi mundësi që përmes ARZHR të mund të zbusin kostot. Mbështeten me 25% më shumë nëse aplikojnë si grup fermerësh” tha ministri. Në këtë kontekst ai solli shembullin e fermerëve të zonës së Xarrës me mandarinat.

Për Ministrin rolin më të madh do ta luajë Agjencitë Rajonale të Zhvillimit Rajonal nëpërmjet skemë mbështetëse.

Nga drurët frutorë tek bimët medicinale, çfarë do mbështetet
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije se konceptimi i skemës mbështetëse është kryer në bashkëpunim me shumë aktorë vendas dhe të huaj. Nga ky bashkëpunim u krye identifikimi i sektorëve proritare në bujqësi, agriturizëm, agropërpunim, peshkim dhe akuakuturë po kështu u përcaktuan 15 produkte të shportës bazë ku përfshihen që nga drurë frutorë, prodhime të serave, bimë medicinale.

Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen me masën e punësimit.

Përfituesit e skemës Kombëtare të Mbështetjes
Fermerët që kooperojnë në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të përfitojnë më shumë sesa një fermer i vetëm. Përpunuesit e qumështit, blegtorët, prodhuesit dhe grumbulluesit e bimëve medicinale do të kenë kriteret e tyre që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve. Një mbështetje do t’u jepet grumbulluesve të cilët kërkojnë të bëjnë qendra të reja grumbullimi në sektorin e peshkimit.

Një nga përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes do të jenë dhe fermerët dhe sipërmarrësit e rinj të moshës 22 – 35 vjecare, të cilët do të përfitojnë një trajtim tjetër. Gjithashtu nga kjo skemë do të përfitojnë dhe prodhuesit e produkteve artizanale

“Një risi që Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural do të sjellë është kryerja e aplikimit në Skemën e Mbështetjes do të bëhet on line me zero shpenzime. Regjistrimi do të bëhet në portalin eAlbania vetëm me anën e kartës së identifikimit dhe Nipt- it të fermerit. Ngritja e sporteleve Agropika do t’u vijë në ndihmë fermerëve për plotësimin e formularit të aplikimit dhe do të ketë informacion të plotë rreth fushave që mbulon dhe çfarë ofron kjo skemë” njoftoi ministria./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: