TIRANE– Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Ministrinë e Kulturës prezantuan veprën “Danub” të shkrimtarit bashkëkohor italian, Claudio Magris, me pjesëmarrjen e veçantë të vetë autorit, si dhe të ambasadorit italian në Tiranë, Alberto Cutillo. Të pranishëm ishin edhe përkthyes, shkrimtarë, studiues, botues dhe studentë.

“Danub” vjen për lexuesin shqiptar përmes përkthimit të Alma Hafizit, dhe cilësohet si kryevepra e Magris, e cila shenjon atë si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë italianë.

Peisazhe, humor, takime, reflektime dhe meditime të një udhëtari mendjehapur që përshkon me përkushtim e dëshirë rrjedhën e Danubit plak, që nga burimet e deri në Detin e Zi, duke ripërtypur idetë mbi një jetë dhe kulturën bashkëkohore, mbi ngjarjet e rëndësishme dhe vragat e lëna në kohë.

Autor i një sërë veprash letrare, eseistike, publicistike, pjesë teatrale, etj., si “Një identitet kufiri” (1982), “Stadelmann” (1988), “Utopia dhe zhgënjimi” (1999), “Udhëtim i pafund” (2005), “Historia nuk ka përfunduar” (2006), “Verbërisht” (2005), “Ekspozita” (2001) , “Pra Ju do të kuptoni” (2006), “Etikë, politikë, laicitet”, “Alfabetet”, “Ese letrare” (2009), “Shënime civile” dhe në vitin 2015 “Letërsia është hakmarrja ime” së bashku me Mario Vargas Llosa.

Fitues i një sërë çmimesh prestigjoze në fushën e letrave Claudio Magris në vitin 1986 iu akordua Çmimi “Bagutta” për veprën e tij “Danub”; Çmimin Strega me romanin “Mikrokozme”; Çmimin “Principe delle Asturie” Çmimin “Chiara”, etj. Në vitin 2016 u vlerësua me Çmimin Kafka për “merita të larta letrare dhe aftësinë për të përfshirë lexuesin”./ATA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: